LAJMI I FUNDIT:

Opinioni publik dhe skandalet e “pandëshkuara”!

A po shërben opinioni publik në Kosovë si një kontroll social i cili do të duhej të kushtëzohej me arritjen e një konsensi, apo gjendja është katandisur keq e më keq e shoqëruar me skandale dhe ngjarje e vendime politike të sjella nga nëntoka. Po duket se opinioni ynë është bërë arenë spekulimesh, hapësirë ku organizohen kampanja në stilin: secili kundër secilit (e jo në funksion latent për shoqërinë dhe parlamentarizmin)! Si duket opinioni, as ligji e as institucioni, as tradita, as tuta nga ndëshkimi, nuk po bëjnë punë!

Është shumë interesant ta shpjegojmë se si krijohet opinioni për çështje të caktuara politike? A mund të pasojë “ndëshkimi moral” nga kjo sferë për keqbërësit? Së pari, është e ditur se aktorët kryesorë që e sajojnë këtë opinion janë të shumtë. Opinioni publik ndahet në disa sfera – arena (Gerhards/Neidhardt 1990). Opinion ka Parlamenti, Qeveria, policia, gjyqësia, politikanët, partitë politike, mediat, shoqatat, ndërmarrjet ekonomike, publike etj. Të gjitha këto opinione partikulariste bëhen publike përmes mediave publike apo private. Këto burimet primare arrijnë përmes mediave të bëhen mendime të përgjithshme dhe fitojnë legjitimit shoqëror. Paradigma e opinionit publik, veçmas ai i krijuar përmes mediave dhe diskutimeve në opinionin publik janë interesant, prandaj duhet t’i shtjellojmë pakëz, për ta kuptuar çështjen që po shtrojmë, që ndërlidhet me interesin e publikut dhe shoqërisë e cila përbëhet po nga publiku – nga individë me pritje dhe shije të ndryshme, për çështje të caktuara.

Si gjithkund në botë, opinioni publik edhe tek ne (këtu bëhet fjalë për një pjesë të këtij opinioni që krijohet nga mediat) bazohet në përpjekjen e një bashkësie njerëzish për të arritur deri tek një opinion i vlefshëm dhe i kërkuar në mënyrë që të merren vendime për çështje të rëndësishme politike. Qysh në Greqinë e antike opinioni publik shërbente si një kontroll social që u hynte në punë të gjithëve e që kushtëzohej me arritjen e një konsensi. Sokrati e quante opinionin publik “ligj të pashkruar”, d.m.th ligj që fal ndikimeve psikologjike përfillej nga njerëzit pa ndërhyrjen e shtetit.

Sipas John Lokes, filozofit klasik, opinioni publik kishte forcën më të madhe të ndëshkimit sesa që e kishin ligjet e shkruara apo edhe ritualet e rrepta fetare në rastet e mosrespektimit të normave të tyre. Ndërsa, rasti ynë po del ta ketë humbur fare ndikimin, ndryshe nuk mund të sqarohen shumë skandale ku është përfshirë e gjithë hierarkia më e lartë e qeverisë, e partive politike dhe shërbyesve zyrtar të shtetit dhe institucioneve tjera. Ose, ndikimi i opinionit publik ndaj veprimeve politike devijonte duket të jetë i pafuqishëm: u bë si puna e “tigrit pa dhëmbë”.

Në opinionin tonë publik, më shumë se asnjëherë tjetër, shpifja, thashethemet në media, lidhur me këto skandale, janë bërë si ajri i përditshëm. Muk na pengon fare, por na mundëson jetën. Pse heshtim, në kolektivitet? Pse nuk i “dënojmë” apo pse heshtin organet që duhet të merren me çështjet e tilla? Pasojat e tilla të heshtjes do t’i ndiejmë më vonë. Çuditërisht ato akoma askush nuk po i llogaritë. Çdo individ i përfshirë në këto skandale po e peshon vetëm interesin e tij personal, por jo pasojat që do t’i ketë në të ardhmen kjo prishje e moralit dhe etikës shoqërore për gjeneratat e ardhshme. Damka megjithatë do të mbetet edhe nëse shërohen plagët!

Tradita shqiptare e thotë qartë: shpifja, fyerjet apo përhapja e thashethemeve ndalohen rreptësishtë, sepse ato cenojnë rënd nderin e individit. Ky perceptim ka rrënjët tek filozofia e vjetër antike. Nëse dikush i thyen ligjet fetare, thotë filozofi John Loke, ai mund ta ngushëllojë vetveten se ndoshta një ditë do t´ia fal (zoti) mëkatin. Nëse dikush vepron kundër ligjeve të shtetit, ai shpreson se nuk do të zbulohet, vetëm se do ta paguajë dëmshpërblimin. Por, askush nuk mund t´i ikë ndëshkimit të opinionit publik, ambientit, bashkësisë së tij, pjesë e të cilës është ai, nëse i shkel parimet dhe normat e shoqërisë (J. Loke).

Sipas kësaj logjike, opinioni publik do të duhej ta detyrojë për respekt edhe qeverinë apo ministrat e saj, nëse ata përfshihen në skandale e në korrupsion do të duhej japin dorëheqje, sepse shtypja trysnia nga opinioni publik është aq e madhe sa ata nuk do t’i rezistonin turpit të bërë. Dhe, nëse qeveria nuk e përfill këtë rregull, apo nëse ajo nuk ndërmerr asgjë për ta ndryshuar imazhin e vet, për t’u ndarë nga e keqja, apo për ta kthyer opinionin në dobinë e vet, atëherë rënia e saj është e sigurt. Përkundër këtyre aferave korruptive, Qeveria duket si asnjë njëherë më e fort e stabile! Edhe pse në opinion vazhdon avazi i skandaleve ose vazhdohet të flitet dhe përflitet, përkundrazi askush nuk e ndien damkosjen, ndëshkimin..!

Pyetja: pse jemi bërë të “qëndrueshëm” ndaj thumbimit (akuzave) në opinion, ose bëhemi se nuk po ndodh asgjë? Këtu ka dy faktorë përgjegjës: mediat ose janë të brishta dhe nuk janë të vetëdijshme për rolin e tyre, pra sajojnë akuza dhe spekulime, ose çdo raport i tyre është i vërtet dhe politikanët apo elita politike nuk brengoset fare! Dhe, dihet fare mirë se normat morale janë elemente që e mundësojnë të ruhet stabiliteti dhe kohezioni shoqëror. Humbja e përhershme e këtij kontrolli është problem për vet klasën elitare.

Si do t’i zgjidh këto enigma skandalesh shoqëria pa kritika dhe dhënie përgjegjësish nga të apostrofuarit të cilët do të duheshin “rrëfyer” rreth skandaleve? Për faktin se institucionet nuk kanë thënë dëshmi, opinioni publik do të merr koordinatën e gjykimit të peshuar politik dhe do të drejtohet kundër rrymës konformiste. Pra, opinioni publik duhet të zgjedh njërin nga dy nocionet, elitarizmin apo konformimzmin. Ose si alternativ e tretë do të preferoj modelin miks.

Në rast se gazetarët, komentuesit e ngjarjeve politike në medie thirren si individë që kanë aftësi për të vlerësuar, për të na informuar mirë mbi ngjarjet politike, për të na bërë qytetarë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, atëherë kjo përgjegjësi do t’u bie të gjitha mediave ta bëjnë këtë në mënyrë transparente. Në realitet, disa prej tyre po e shtrembërojnë idenë e shkëmbimit të argumenteve dhe shprehjes së opinioneve me qëllim, vetëm e vetëm të ndikojnë në kontrollin e mendimit të popullit!

Ideale do të ishte zbatimi i funksionit të medias ashtu siç parashihet nga Kushtetuta. Pra, do ta jepte informacionin e saktë, do ta bënte balancimin e komenteve dhe do të ushtronte kritikë ndaj fenomeneve negative në shoqëri në interes të publikut dhe jo të bëjë propagandë për një subjekt politik apo elitë të caktuar. Vetëm gazetaria kritike mund të ndihmojë të mbijetojë sistemi i demokracisë. Përmes saj do të dihej sa po punohet mirë nga institucionet tona e sa jo.

Problem mbetet akoma teorema e sistemit social, e cila e ndan publikun nga gazetaria, politikën nga media dhe opinionin publik nga politika dhe nga vet media dhe e bënë çështjen shumë komplekse. Publiku me një anë është një ambient i jashtëm i gazetarisë dhe gazetarët vetëm supozojnë se ata “e dinë e mirë se çka do publiku”! Shtrohet pyetja: a mundet media të përfaqësojë publikun dhe interesin e tij kur ky përbën sistem në vetvete dhe është opozitë për median? Ose ndryshe: a është publiku i pavarur nga gazetaria dhe interesat e saja?

Publiku interpreton, analizon dhe preferon produkte kulturore “artefakte” sipas shijes dhe interesave të tija. Natyrisht se në sferën e publikut bëjnë pjesë edhe vet politikanët, gazetarët nëse gjykojnë dhe veprojnë aktivisht si publik. Pra, edhe një politikan numërohet si publik kur konsumon mediat, kur lexon gazetë apo kur shikon TV, por jo kur intervenon që lajmet ta transmetojnë ngjarjet sipas tekeve të tija për të dominuar, sepse është njeriu më i gjithëdijshëm. Publiku mund të jetë i tillë apo të kalojë anën tjetër të gjykojë dhe të interpretojë edhe si politikan, gazetar, por pa ndërhyrje direkt në produktin gazetaresk etj. Pra, nuk ka dhe nuk do të ketë detyrim të dhunshëm, ose nuk do të ketë shtytje për të qenë aktiv në opinionin publik apo në politikë. Për t’i gjykuar skandalet, askush nuk mund të na imponojë një gjë të tillë, të thirret në emër të publikut. Nëse pajtohemi me fatkeqësinë e pashmangshme kundër këtij detyrimi, do të themi se varet nga individi se a do të kyçet ai në jetën politike, a do t’i interesojnë çështjet publike apo do të tërhiqet në jetën e tij private, të izolohet, të shikoj “betejën” e muskujve nga hija.

Në kohë kauzash, respektivisht në kohë skandalesh, kur prijësit politikë dhe elita politike nuk ka përgjegjësi ndaj zotimeve të veta, logjika e konceptit konformist (intergrues) të duket e arsyeshme dhe njeriu kërkon ta gjejë shpëtimin në kanalet e opinionit publik duke presupozuar pjesëmarrjen dhe vendimmarrjen aktive politike. Këtë provokim njeriu mund ta fitojë plotësisht, sepse për nga natyra e tij sociale ai vuan nga droja e izolimit social, prandaj i nënshtrohet tërësisht konceptit konformist, duke marrë parasysh këtu edhe frikën që ka nga sanksionet në raste e mospërfilljes së ligjeve të “kontratës shoqërore”.

Përgjigjen më të mirë në këtë drejtim e ka dhënë publicistja gjermane Elisabeth Noelle-Neumann,, e njohur me teorinë e “Spirales së heshtjes“. Në rastin e opinionit publik, shumë intelektualë, pjesëtarë të elitës, i shprehin opinionet e tyre në publik apo angazhohen në komunikim ndër-personal, sepse ndihen të kërcënuar nga izolimi. Edhe në këndvështrimin politik, opinioni publik ka karakter integrues dhe përforcon bashkëveprimin politik dhe njihet si drejtim elitarist. Në luftën kundër skandaleve dhe në zbardhjen e tyre, si në çdo konflikt tjetër, zhvillohet një betejë e pa kompromis. Një tip eksperimental i këtij lloji që do përmendi në vijim mund të përfshijë edhe publikun, pjesën e ambientit të mediave, por nga kjo anë shumë pak ka shans për ta luftuar dominimin e elitës, e cila është shtresa e cila dikton dhe dominon agjendën politike (Teun van Dijk 1993).

Mediat, pavarësisht se cilën anë mbajnë, e kanë më lehtë t’i vejnë në pranga “ ti gjykojnë” punët e këqija, skandalet, ryshfetet dhe korrupsionin në opinion publik, se sa publiku dhe individët pa qasje në medie. Ta marrim shembull një TV apo një botues i një gazete më të madhe në Kosovë, ka kondita shumë me të mira për reklamim ose denoncim të një skandali, të paraqitjes për së miri apo për së keqi të një kandidati kundërshtar apo përkrahës. Publiku, nga ana e tij, ose mund ta përkrah ose të rri si opozitë, të mos e përkrah dhe të ushtrojë kundërshtim, por çfarë pastaj?! Këtu mund të vije në shprehje kundërshtimi përmes mosbindjes, formë kjo e re e cila do ti kundërvihej dominimit elitar përmes formave të leximit (John Fiske 2000).

Teoria e spirales së heshtjes argumenton se çdo individ, si pjesë e publikut, nuk njeh mosbindjet. Ai do të hesht ose do të flas. Flet kur sheh se mendimi i tij po forcohet dhe dominon. Të kundërtën, heshtë, bie në depresion dhe izolohet kur bindet se nuk ka përkrahje. Në një mënyrë apo një tjetër, ata që flasin lënë përshtypjen se janë edhe më të fortë, se janë me shumicën, mendojnë se u kanë bërë ballë shantazheve dhe skandaleve. Ata që heshtin mendojnë se janë më të dobët dhe dorëzohen ose binden se janë të pafuqishëm, janë të izoluar dhe pa ndikim. Ky është konflikt publicistik që shoqëron edhe procesin e orientimit elektoral, para dhe gjatë votimit!

Praktika e deritanishme e ngritjes së zërit, apo “heshtjes” apo “izolimit” po shihet sheshit se shumica e elitës gazetareske preferon t´i shkojë pas karrocës me muzikë, ta përkrah mendimin dominues politik duke menduar dhe duke qenë të bindur se ata janë dhe do të jenë në anën fitimtare!

Ndryshimi i dytë teorik, mes modelit të “ spirales së heshtjes” dhe “Bandwagon Effect-it” qëndron në atë se tek kjo e fundit ka një shpërblim për ata që i përcjellin reaksionet e ambientit dhe kyçen në opinionin publik. Ata që nuk përfillin mendimin dominues, kanë mundësi të jenë humbës sepse nuk do të kenë pozita në pushtet dhe qasje në resurse dhe burime tjera shoqërore. Aktivizimi i tyre ka në epiqendër frikën dhe drojën e individit nga izolimi dhe lëçitja në kolektivin e tij. Rreziku më i madh që na vije është nga përkrahja e elitës dominuese dhe hegjemonisë së saj. Ky do të jetë momenti kur e gjithë sfera e jetës sonë bëhet (konstruktohet) përmes këtyre projeksioneve. Andaj, kjo gjendje është edhe sinjali i parë se nuk do të jemi larg sistemit totalitar.

Në këtë stad askush nuk guxon t’i ndryshojë agjendat e elitës dominuese. Elita dominuese bëhet pronarja e mendimit e gjykimit dhe ekzekutuesja e vendime gjyqësore, ndërsa mendimi alternativ, i cili është njëherë themel i demokracisë, do të tretet përtej detit, do të kalojë në idhujt e tabuve. Me kalimin e tyre në statutin “tabu” ,ato do t’i mbulojë “varri i heshtjes”. Tabut nuk konsiderohen përgjithmonë të vdekura. Nën sfondin e tyre fshihet një vullkan i pashpërthyer. E këto janë konfliktet sociale, si për shembull revoltat. Shembull tipik i këtyre është revolucioni i pranverës arabe!

Lutja më e thjesht për shoqërinë tonë do të ishte: dashtë Zoti që dhuna kurrë të mos jetë e pranishme, sikur nuk do të duhej të mbizotëroj dominimi hegjemonist. Sepse, këto mund të na ngufasin jetën pluraliste dhe demokracinë! Prandaj, qytetarë të nderuar e syhapur, opinioni publik është gjithmonë “një komponente irracionale dhe e stërmbushur me (vlera morale dhe estetike)”! Ta ruani dhe të mos e ndotni si një kanalizim duke hedhur lloj-lloj ujërash të ndyta në të. Kujdes nga ndotja morale, sepse pa bazën normave morale nuk mund të konkretizohet as “politika” dhe “idetë e saja racionale”!

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori