LAJMI I FUNDIT:

Operacioni estetik i hundës

Operacioni estetik i hundës

Duke pasur parasysh që hunda është e vendosur në qendër të fytyrës, rrjedhimisht pas syve, është pjesa më e shikuar e fytyrës gjatë komunikimit tonë të përditshëm. Prandaj edhe forma e saj ka vend të rëndësishëm në dukjen tonë.

Dr.Lirim Ukimeraj
Otorinolaringolog
ukimeraj_dr@yahoo.com
044 116 361

Çka është rinoplastika?

Rinoplastika është operacion estetik i hundës. Deformimet e piramidës së hundës qofshin ato të karakterit trashëgues apo si pasojë e lëndimeve, me rinoplastikë mundohemi të ripozicionojmë fragmentet e hundës duke krijuar një hundë simetrike, ndërsa kurrizin e theksuar të hundës që është deformiteti më i shpeshtë e heqim në tërësi.

Kur mund të aplikohet rinoplastika?

Në literaturë hasim kryesisht qëndrime që rinoplastika mund të aplikohet tek femrat prej moshës 14 vjeçe, ndërsa tek meshkujt prej moshës 16 vjeçe, që është e bazuar në faktin se zhvillimi fizik është më i hershëm tek femrat se tek meshkujt, ndërsa në anën tjetër në këto mosha gati 90% e rritjes është kryer.

Megjithatë, mendoj se në rrethanat tona koha me e përshtatshme për një ndërhyrje të tillë është mosha mbi 18 vjeç për të dy gjinitë.

Konsulta dhe këshillat paraprake

Vizita e parë tek kirurgu dhe biseda e hapur për problemin është e një rëndësie të veçant. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju të keni ide të qarta se çfarë po kërkoni dhe nga ana tjetër të merrni vlerësimin e kirurgut se sa real jeni në kërkesa dhe se çka mund të realizohet e çka jo, duke patur parasysh se këtu bëhet fjalë për inde të gjalla dhe se mundësitë janë të limituara.

Para dhe pas intervenimit kirurgjik bëhet fotografimi i hundës në pozicione të ndryshme që të kemi mundësi të bëjmë vlerësimin e suksesit të operacionit.

Si realizohet rinoplastika?

Operacioni estetik i hundës realizohet në dy mënyra:
1. me metodë të mbyllur – nëpërmjet vrimave të hundës, dhe
2. me metodë të hapur (dekortikim) – nëpërmjet shtyllës së hundës.

Operimi mund të realizohet me anestezion lokal apo të përgjithshëm dhe zgjat zakonisht 1-1.5 orë, në raste të veçanta apo edhe te rastet e operuara më parë edhe më gjatë.

Pas përfundimit të operacionit, hunda mbyllet me tampona, ndërsa piramida e hundës imobilizohet (fiksohet) me gips (masë plastike apo copëz llamarine) që mbahen me shirita ngjitës (fllaster).

Çka ndodh pas operimit?

Ditën e parë post operative pritet rrjedhë e lehtë gjaku dhe sekreti nga hunda, për çka edhe preferohet ndërrimi i tamponit nën hundë. Gjithashtu 3 ditët e para postoperative pritet ajtje si dhe mavijosje rreth syve, pas kësaj periudhe pason tërheqja e këtyre shenjave.

Ditën e 3-5 hiqen tamponat, ndërsa ditën e 8-10 hiqet maska nga fytyra. Tre javë pas operimit rreth 85% e ajtjes tërhiqet, që do të thotë se mund të shijojmë formën e re të hundës.

Kujdesi pas operimit

Në punë mund të ktheheni pas 10-14 ditësh. Dy muajt e parë duhet t’i shmangemi aktivitetit fizik, notit, rrezitjes si dhe bartjes së syzeve. Kujdes, duhet të ruheni nga loja me fëmijë sepse janë të paparashikueshëm dhe mund të pasojë lëndimi e që në këtë fazë hunda është mjaft e ndieshme.

Komplikimet e mundshme

Fatmirësisht komplikimet e rrezikshmërisë së lartë janë shumë të rralla, prandaj edhe ky lloj operacioni aplikohet në numër mjaft të madh në botë.

Disa nga komplikimet që mund të përmendim këtu jane: gjakderdhja intraoperative apo postoperative, infeksioni, ndjeshmëria e zvogëluar e lëkurës mbi piramidën e hundës që me kohë tërhiqet, dëmtimi i indit nënlëkuror, cikatrikset, frymëmarrja e vështirësuar me hundë, ndjeshmëria ndaj anestetikeve.

Qëllimi i operacionit estetik

Qëllimi i rinoplastikës është realizimi i një hunde me dukje natyrale dhe në harmoni me tërësinë e fytyrës.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Shëndetësi
Kalo në kategori