LAJMI I FUNDIT:

OEK ‘freskon’ biznesmenët me ligjëratën e Daut Demakut, për mendimin pozitiv

OEK ‘freskon’ biznesmenët me ligjëratën e Daut Demakut, për mendimin pozitiv

Në takimin e mbajtur sot në Odën Ekonomike të Kosovës, u diskutua për aktualitetin politiko-ekonomik në Kosovë dhe mundësinë e transformimit pozitiv të shoqërisë kosovare.

Drejtori i Odes Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se kjo konferencë ka ardhur si rezultat i një bisede të gjatë me publicistin Daut Demaku.


Sipas tyre, Kosova gjendet në një aktualitet politik, i cili nuk është motivues aspak, dhe se ekonomia nuk po mund të jetë e lirë nga agjenda politike.

Gërxhaliu tha se aspekti psikologjik dhe ai social i situatës në Kosovë, nuk po merret parasysh.

Ai tha se qëllimi kryesor i konferencës ishte që të diskutohet se si mund të kemi një përmirësim dhe një motivim për popullatën.

“Ky takim e ka një veçanti, sepse po vjen me një moment kur shoqëria kosovare dhe qytetarët janë duke u ballafaquar me sfida të shumta. Zakonisht ne jemi dëshmitar të një aktualiteti politik, i cili nuk është në favor të motivimit. E kemi një aktualitet ekonomik, i cili nuk po mund të jetë i lirë nga agjenda politike dhe nga e tëra kjo që është duke e përfshirë Kosovën dhe problemet gjithmonë po analizohen nga këto dimensione politike dhe ekonomike, dhe shumë pak nga aspekti psikologjik dhe nga aspekti social”, tha Gërxhaliu.

I ftuar në takim ishte edhe publicisti Daut Demaku, i cili mbajti para të pranishmëve ligjëratë për rëndësinë e mendimit pozitive në shoqëri, dhe rëndësinë që ka populli dhe media në zhvillimin e një vendi.

Ai mori shembuj të shumtë nga filozofë të mëdhenj të historisë, ku u diskutuan gjërat bazë që duhen në transformimin pozitiv të një shoqërie. Demaku tha se pavarësisht problemeve që mund të hasen rrugës drejt suksesit, ideja është ajo që asnjëherë nuk mund të ndalet.

“Hygo i pavdekshëm ka thënë se ‘një ushtri e fuqishme edhe mund të ndalet, por një ide e fuqishme, nuk mund të ndalet”.

“E kemi parë më sy në jetën tonë këtu në Kosovë, ku e ka pas mundësinë të ndalet një fuqi e organizuar ushtarake, mirëpo ideja e lirisë nuk ka pas mundësi të ndalet. Prandaj jemi të sigurt se kjo ide të cilën gjithë e dimë dhe shumë pak e zbatojmë, shans teorike nuk ka që të ndalet, por me ndihmën e mediave mund të depërtojë shumë thelle dhe shumë suksesshëm”, tha ai.

Përveç Safet Gërxhaliut dhe Daut Demakut, në konferencë kishte edhe pjesëtarë të bizneseve, për të cilët edhe u mbajt ligjërata rreth mendimit dhe qëndrimit pozitiv në ekonomi dhe shoqëri./Telegrafi/