LAJMI I FUNDIT:

Nuk pushojnë përpjekjet për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi

Nuk pushojnë përpjekjet për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi

Për 17 vjet, Fatos Bytyqi është përpjekur t’i sjell para drejtësisë vrasësit e vëllezërve të tij. Ai thotë se njeriu që kishte porositur ekzekutimin e tyre është bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq.

Vëllezërit Ylli, Mehmeti, Agroni dhe Iliri takoheshin te restoranti “Hampton Bays Diner” në fund të ditëve të gjata të punës në ndërtimtari apo gatimit të pizza-ve. Vëllezërit, të gjithë rreth moshës njëzet vjeçare, i çmbështillnin ditët duke shijuar birrë dhe shujta restoranti.


Sot, restoranti është i mbyllur dhe, nga katër vëllezërit, vetëm Iliri është gjallë. Ishte Nju Jorku vendi ku Iliri dhe vëllezërit e tij e shtinë shortin që ua vulosi fatin. Atëherë, Kosova ishte në luftë me Serbinë, dhe vëllezërit vendosnin se cilët nga ta do t’i bashkoheshin Batalionit “Atlantiku”, një dege të UÇK-së e cila përbëhej kryesisht nga kosovarët e Amerikës dhe Europës Perëndimore. Ilirit i ra shorti të qëndronte, kurse Ylli, Mehmeti dhe Agroni u nisën drejt Kosovës ndërkohë që Iliri mbeti prapa dhe vazhdoi të fitonte para për familjen e tij.

Vëllai tjetër i Ilirit, Fatosi, i cili e shkruan emrin me një “e” shtesë (Fatose) për shkak të një gabimi të bërë nga zyrtarët serbë në dokumentet e tij, ishte në Prizren me motrën dhe prindërit e tij. Ata nuk kishin qenë të vetëdijshëm se tre djemtë e tyre ishin regjistruar të luftonin për një Kosovë që shpresonin se dikur do të bëhej e pavarur. Kur vëllezërit u shfaqën duke kryer stërvitje ushtarake në lajmet e Shqipërisë të orës gjashtë të pasdites në prill, Fatosit i ishte dashur ta linte Prizrenin bashkë me vëllain. Ata druanin se mos ndëshkoheshin nga forcat ushtarake serbe, të cilat dihej se kishin sulmuar të afërmit e të gjithë atyre që ishin bërë pjesë e ushtrisë. Fqinjët e tyre, familja rome Mitrovica, u kishte ndihmuar të iknin përmes ballkonit të tyre pa aguar, duke iu shmangur një bastisjeje policore në banesën e tyre. Ata mbërritën në Shqipëri, dhe familja u ribashkua pas luftës me bijtë ushtarë.

Pas luftës ndodhën sulmet mbi familjet rome, të cilët u panë si bashkëpunëtorë të mundshëm të armikut si nga forcat shqiptare, edhe nga forcat serbe. Në qershor të vitit 1999, Ylli, 24 vjeç, Agroni, 23, dhe Mehmeti, 21, vendosën t’ua kthenin me të mbarë fqinjëve të tyre që ua kishin bërë një nder duke i shpënë drejt sigurisë në Kralevë të Serbisë.

Ata nuk u kthyen kurrë

Fatosi filloi t’i lypte vëllezërit e tij pasi ata nuk u kthyen në Prizren, duke shkuar edhe në Prokuple, një qytezë që gjendet në jug të Serbisë.

“I kërkova vazhdimisht, janë vëllezërit e mi”, thotë Fatosi për Gazetën JNK gjatë një interviste në kafenenë Hampton Bays.

Kufomat e Yllit, Mehmetit dhe Agronit janë gjetur në vitin 2001 në një varr të pashënuar ndanë një kampi policor të trajnimit në Petrovo Selo, afër qytezës Kladovo. Duart e tyre ishin të lidhura me tel, sytë e mbështjellë me shami dhe secila kafkë kishte një vrimë plumbi: ishin ekzekutuar në vend. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.

“[Qeveria] e ka ditur këtë qysh nga viti 2000”, thotë Fatosi. “Ata e kanë ditur prej fillimit se kush e kishte kryer atë dhe e kanë tërë rastin. Kanë dëshmi, e dinë se kush ka qenë në Petrovo Selo, kush ka punuar aty, dhe pse u vranë vëllezërit Bytyqi. Ata i dinë të gjitha, si të gjitha qeveritë. Jo vetëm qeveria e Vuçiqit, por edhe qeveritë e mëhershme e kanë ditur, por ata me të vërtetë nuk kanë dashur të merren me të”.

Vëllezërit u pritën si heronj në Prishtinë dhe më pas kufomat u dërguan në Bronx (Nju Jork) për t’u varrosur.

Të dhënat e gjyqit më vonë treguan se vëllezërit ishin marrë në kalimin e pashënuar kufitar në Merdarë, i cili sot është kalim zyrtar me Serbinë, dhe janë ndaluar sepse kishin hyrë në Serbi pa vizë. Teksa iknin nga burgu u Prokuples, ata sërish ishin kapur dhe ndaluar. Ata u dërguan në qendrën policore të trajnimit në qytezën serbe të Petrovo Selo-s, dhe u vënë në mbajtje.

Fqinji i tyre, Miroslav Mitroviqi, i cili ishte njoftuar se ata do të lëshoheshin, i kishte pritur vëllezërit jashtë. Ai më vonë dëshmoi se Aleksandër Gjorgjeviqi, i cili atëbotë ishte kreu i burgut të Prokuples, i ka thënë se i kishte parë dy policë civilë duke u larguar bashkë me vëllezërit në një veturë të bardhë të pashënuar.

Meqenëse vëllezërit janë qytetarë amerikanë, Departamenti i Shtetit e bëri ndjekjen penale të vrasësve të vëllezërve Bytyqi prioritet kyç për përmirësimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Uashingtonit.

Pas vitesh lobimi nga familja Bytyqi dhe qeveria e SHBA.-ve, filloi hetimi për identifikimin e personave që kishin ndaluar vëllezërit. Sipas B92-shit, personi i parë që u hetua ishte Vlastimir Gjorgjeviqi, ish-shef i sigurisë publike në ministrinë e brendshme, i cili kishte lënë vendin pasi pranoi Medaljen e Flamurit Jugosllav të Gradës së Parë nga Milosheviqi në korrik të vitit 1999.

Ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Dushan Mihajloviqi, kishte thënë se Gjorgjeviqi ishte një ndër burrat që ka implementuar urdhrin për fshehjen apo marrjen me viktimat shqiptare në Kosovë, dhe kishte dhënë urdhrin për dërgimin e vëllezërve në Petrovo Selo, gjë që e mohon Gjorgjeviqi.

Në atë kohë, kryeprokurori i shtetit po ashtu donte ta intervistonte Gjeneralin Goran Radosavljeviq, i quajtur “Guri”, i cili kishte qenë komandant i njësitit special në kampin e trajnimit policor. Ai mohon fuqimisht te gjitha deklaratat, duke thënë se ishte në një pushim gjuetie atë kohë.

Prokuroria serbe e krimeve të luftës kishte hetuar Gjorgjeviqin, i cili tash vuan një dënim me burg prej 18 vjetësh të dhënë nga Tribunali i Hagës për krimet e kryera në Kosovë, si dhe ministrin e brendshëm, Vlajko Stojilkoviqin, i cili e vrau veten në vitin 2002.

Dëshmitarët, përfshirë Miroslav Mitroviqin, i cili vdiq në vitin 2004 në Kralevë, thonë i janë nënshtruar kërcënimit.

Dy oficerë policorë janë ndjekur penalisht nga prokurori serb për krime të luftës për dërgimin e vëllezërve në kamp. Por, pas dy gjykimeve, dy apeleve dhe vite të tëra pritjeje, asnjëri nuk është dënuar. Gjatë gjykimit, të pandehurit kishin thënë se Vlastimir Gjorgjeviqi i kishte urdhëruar t’i dërgonin vëllezërit në Petrovo Selo.

Familja Bytyqi dhe avokati i tyre, i cili nuk u kërkoi pagesë, thonë se hetimi i tyre dëshmon se urdhrat për ekzekutimin e tre vëllezërve gjasshëm erdhi drejt nga kryeqendra e Ministrisë së Brendshme, të lëshuara nga Radosavljeviq.

Prokurorët serbë si dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd thonë se Radosavljeviqi, i cili u tërhoq nga shërbimi ushtarak dhe tani është sipërmarrës që shërben në kryesinë e partisë qeverisëse në Serbi, SNS-së, ka ndërhyrë në këtë rast dhe ka kërcënuar dëshmitarët.

Radosavljeviqi ka mohuar me ngulm të gjitha akuzat.

Edhe pas gjithë këtyre vjetëve, Fatos Bytyqi e viziton rregullisht Serbinë për të rritur vëmendjen për hallin e familjes së tyre dhe për të kërkuar drejtësi.

“Nuk frikësohem kurrë t’i them anës tjetër: ju vratë me armë, por ne do t’ju dënojmë me ligjet e juaja”.

Liderët politikë serbë vazhdimisht kanë dështuar të sjellin drejtësinë për vëllezërit Bytyqi pavarësisht premtimeve nga nivelet më të larta, përfshirë kryeministrin Aleksandër Vuçiq, thotë Fatosi.

“Ata kanë dëshmi, e dinë se kush ishte në Petrovo Selo, kush punonte aty, dhe përse u vranë vëllezërit Bytyqi,” thotë Fatosi. Ata dinë gjithçka, sikur të gjitha qeveritë [të pasluftës]. Jo vetëm qeveria e Vuçiqit, po edhe qeveritë e mëhershme e dinin, po nuk donin të merreshin me të… Edhe [kryeministri] Vuçiqi më ka thënë, nuk është vetëm Guri. Është i gjithë sistemi. Dhe për atë arsye po na merr kaq shumë kohë”.

Me vjet të tëra, Beogradi nuk ka qenë i gatshëm t’i ndjekë krimet e luftës, thotë Milica Kostiq, drejtoreshë ligjore e programit në Fondin për të Drejtën Humanitare.

“Ky rast është paradigmatik dhe ngërthen mjaft mirë të gjitha dështimet e sistemit serb për ndjekjen e krimeve të luftës”, ka thënë Kostiq për Gazetën JNK.

“Fakt është se në Serbi nuk ka pasur asnjëherë vullnet politik në për t’i hetuar rastet sikur rastin Bytyqi, e as nuk ka pasur vullnet politik për t’i ndjekur personat sikur Goran Radosavljeviqin. Zyra e Prokurorit për krime lufte asnjëherë nuk i ka akuzuar dorasit kryesorë në ushtrinë serbe dhe hierarkitë policore të asaj kohe, ndërkohë që liderët serbë i nderojnë të dyshuarit dhe kriminelët e luftës si heronj, i emërojnë në pozita publike, apo i mbajnë si aleatë të afërt. Prokurori për Krime Lufte deklaroi publikisht se: “Secilën herë që hetohen krimet e luftës të kryera nga policët, goditet një mur heshtjeje”.

Në fakt, në fund të vitit 2014, dy deputetë të SNS-së kanë paditur prokurorin për krime lufte, Vladimir Vukçeviqin, nën akuzat e spiunazhit sepse gjoja kishte ndarë informata për rastin Bytyqi me zyrtarë të Ambasadës së ShBA-së në Beograd.

Për më shumë, thotë Kostiq, “ministria e brendshme dhe ajo e mbrojtjes kanë penguar sistematikisht qasjen në dëshmi brenda arkivave të tyre dhe dëshmitarët në gjykimet e tyre për krime lufte kërcënohen, siç edhe është dokumentuar në rastin Bytyqi.

Kryeministri Vuçiq në mënyrë të përsëritur ka premtuar se do të ketë progres në këtë rast, duke u zotuar fillimisht se çështja do të zgjidhet në verë të vitit 2014, mandej deri në mars të 2015. Gjatë një vizite në Uashington D.C. në qershor të vitit 2016, ai ka thënë “do ta zgjidhim, dhe mendoj se është punë dhe detyrë e jona që ta bëjmë”, dhe se rasti do të zgjidhet “shumë shpejt apo më shpejt sesa mund të pritet”.

Fatosi vazhdon të nxisë sjelljen e një vendimi dhe është ngopur me mungesën e një zgjidhjeje.

“Kryeministri Vuçiq e ka qeverisur Serbinë për së paku tri vjet dhe vazhdon të japë premtime të zbrazëta për rastin e vëllezërve të mi”, tha Fatosi për Gazetën JNK. “Familja ime ka vuajtur mjaft. Premtimet boshe nuk na bëjnë të ndihemi më mirë. Ne meritojmë drejtësi. Ai na e ka premtuar drejtësinë. Ne presim drejtësi”.

Praveen Madhiraju, avokati pa pagesë i familjes Bytyqi, thotë se nuk ka arsyetim për gjithë këto vjet të premtimeve të thyera.

“Zoti Vuçiq ka fuqi politike të pashoqe në Serbi. Nuk ka arsyetime se pse nuk ka bërë thuajse asgjë për ta zgjidhur rastin Bytyqi. Në qoftë se i vlerëson premtimet e tij të shumta ndaj një familjeje të përzitur, publiku në Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët tanë më të lartë duhet t’i prishin marrëdhëniet me kriminelët e luftës sikur Goran ‘Guri’ Radosavljeviqin dhe të marrin hapa seriozë për zgjidhjen e rastit Bytyqi”.

Fakti se janë shtetas të ShBA-së ka sjellë më shumë shqyrtim. Në Serbi janë gjetur kufomat e 938 shqiptarëve të Kosovës në varreza masive, dhe sipas Fondit për të Drejtat Humanitare, 110 persona që janë fajtorë për operacionet e zhvarrosjes dhe fshehjes së kufomave, përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë, vazhdojnë të jetojnë të lirë në Serbi.

“Familja Bytyqi ka përjetuar fatin e njëjtë sikur familjet e 938 viktimave të gjetura në varrezat masive në Serbi. Askush nuk është ndjekur penalisht për këtë operacion. Asnjë familje nuk ka marrë asnjëherë dëmshpërblim. Asnjë viktimë apo varrezë masive nuk është përkujtuar në ndonjë mënyrë. Nuk po bëhen përpjekje të vërteta për gjetjen e fajtorëve apo gjetjen e viktimave tjera të zhdukura”.

Një muaj pas një vizite me ish-Asistent Sekretarin e Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë qershorin e kaluar, Vuçiq ka thënë se është i vendosur t’i zgjidhë vrasjet.

“E di si është me serbët, shumë do të thonin se ‘pse ta zgjidhim këtë, janë shqiptarë’. Megjithatë nuk guxon të fshehet as edhe një krim i vetëm”, u ka thënë Vuçiqi gazetarëve.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit i ka thënë Gazetës JNK në kushte anonimiteti se rasti mbetet prioritet në marrëdhëniet e dyanshme me Serbinë. “Zyrtarët serbë janë zotuar se qeveria e tyre do të bëjë çdo gjë që është e mundur për ta zgjidhur rastin, dhe ne vazhdimisht e ngrisim atë në bashkëveprimet me zyrtarët serbë në të gjitha nivelet”, tha zyrtari.

FBI-a dhe Departamenti i Shtetit janë të përfshirë aktivisht në këtë rast, thotë Madhiraju, dhe kongresmeni nga shteti i Nju Jorkut, Lee Zeldin, ka mbështetur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve duke e quajtur faktin se asnjë individ nuk është përgjigjur për krimin “të qortueshëm”” dhe se “progresi në zgjidhjen e këtij rasti duhet të mbesë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e zhvillimeve të mëtutjeshme në marrëdhëniet ShBA-Serbi.

Madhiraju pret që rezoluta të kalojë sivjet

Uashingtoni po ashtu ka kërkuar nga Serbia që të ketë llogaridhënie nga ana e njerëzve që ia vunë flakën Ambasadës se ShBA-së në Beograd si përgjigje ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Sidoqoftë, sasia e trysnisë që ShBA-ja mund ta ushtrojë mbi Beogradin mund të mos jetë e mjaftueshme, thotë ish-Ambasadori Amerikan, Bob Barry, tani këshilltar pa pagesë i familjes Bytyqi.

“Duke pasur parasysh përpjekjet e mëhershme të qeverisë së ShBA-së, është e rëndësishme të kujtohet se kemi një shumësi interesash për t’i zhvilluar me Serbinë, dhe ato shpesh janë kundërthënëse”, ka thënë Barry për Gazetën JNK. “Serbët e kuptojnë këtë dhe veprojnë në përputhje me të”.

Kostiq shpreh keqardhje për mosshfaqjen e lidershipit nga ana e BE-së për këtë rast, pavarësisht faktit se zgjidhja e krimeve të luftës është obligim për integrimin në BE.

“Strategjia Kombëtare për Krimet e Luftës ishte obligim në kuadër të planit të Veprimit për Kapitullin 23 në negociatat e Serbisë me BE-në, por në thelb është bllokuar si pasojë e mungesës së zgjedhjes së Prokurorit për Krime Lufte dhe, përveç një gjuhe të rëndë nga BE-ja aty-këtu, nuk po ushtrohet shumë trysni”.

Serbia do t’i mbajë zgjedhjet presidenciale më 2 prill, por zgjidhja e krimeve të luftës nuk do të jetë prioritet për administratën e re, thotë Kostiq.

“Asnjëri nga kandidatët për president nuk flet për këtë çështje, e lëre më për dërgimin e një mesazhi për elektoratin e tyre të mundshëm se ata do ta luftojnë moszgjidhjen e krimeve të luftës, as kandidatët liberalë, pro-europianë, pro-të drejtave të njeriut”, tha ajo.

Presidenti i tanishëm, Tomislav Nikoliq, e ka paralajmëruar një prokuror “të ketë kujdes kur gërmon në Serbi” kur u zbuluan dëshmi që implikonin shefin e tanishëm të ushtrisë serbe me një varrezë masive.

Serbia ka dështuar t’u bindet vendimeve të Tribunalit të Hagës që vendosën se Beogradi duhet t’i dërgojë tre anëtarë të Partisë Radikale Serbe të akuzuar për mosbindje ndaj gjyqit në Hagë për t’u gjykuar. Partia qeverisëse, SNS-ja, gjithashtu ka mbajtur pranë vetes kriminelë lufte në mbledhje dhe grumbullime partiake. Në njërën nga to protestuan anëtarë të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut nga Beogradi, por ata u rrahën thuajse menjëherë dhe iu nënshtruan kërcënimeve dhe vandalizmit.

“Në qoftë se është në rregull për partinë që të rrah, apo ta mbështesë rrahjen e aktivistëve fëmijë për një kriminel të dënuar të luftës i cili është, sa i përket asaj, i pakontestueshëm, parafytyroni se çfarë mund të bëjnë për dikë me të cilin kanë një çështje politike dhe që mund të dënohet me 20 vjet burgim”, tha Kostiq, duke iu referuar Radosavljeviqit.

Asnjëra nga këto nuk e ka dekurajuar Fatosin, i cili udhëtoi në Beograd së fundi në nëntor të vitit 2016, duke dalë në shfaqjen hulumtuese serbe Insajder e titulluar “Harresa Kolektive”, edhe duke folur serbisht me shpresë që publiku serb do ta kuptojë më mirë luftën e tij.

“Përpjekjet e Fatosit janë heroike”, thotë Ambasadori i pensionuar i ShBA-së, Robert Barry, këshilltar pa pagesë i familjes Bytyqi. “Nëse qeveria serbe mendon se ai do të heq dorë, janë të gabuar”.

Në një kafene përbri restorantit të mbyllur Hampton Bay, Fatosi thekson vendosmërinë e tij të palëkundur.

“Nuk do të dorëzohem derisa të vdes. Pa marrë parasysh se nga vijnë bllokimet, ne do ta gjejmë drejtësinë. Por mund t’u them se do ta shkatërrojnë vetveten, e jo mua. Turpi qëndron te ata, jo te ne”. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
SHBA-ja synon ta

SHBA-ja synon ta "fortifikojë" Ballkanin Perëndimor

Lajme
Protesta e dhunshme para Bashkisë së Tiranës, reagojnë ambasadat e SHBA-ve dhe BE-së

Protesta e dhunshme para Bashkisë së Tiranës, reagojnë ambasadat e SHBA-ve dhe BE-së

Lajme
Trajnimi i ushtarëve ukrainas, ambasadori Kapiti: Krenarë me përkushtimin e FSK-së

Trajnimi i ushtarëve ukrainas, ambasadori Kapiti: Krenarë me përkushtimin e FSK-së

Siguri
500 euro gjobë, 5 pikë negative, 6 muaj masë mbrojtëse e sekuestrim i veturës – Policia dënon vozitësin në Pejë

500 euro gjobë, 5 pikë negative, 6 muaj masë mbrojtëse e sekuestrim i veturës – Policia dënon vozitësin në Pejë

Kronika e Zezë
11-vjet nga marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq, deklarohet Stano: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

11-vjet nga marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq, deklarohet Stano: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

Lajme
Kalo në kategori