LAJMI I FUNDIT:

Nuhiu: Konflikti politik është bartur edhe në MPB

Nuhiu: Konflikti politik është bartur edhe në MPB

Konflikti politik është bartur edhe në MPB, por nuk mund të themi se ka cenim serioz në vendimet dhe urdhrat e kësaj ministrie, thekson zv/ministri i brendshëm, Agim Nuhiu në emisionin 10 minuta. Ai pranon se ka tendenca për urdhra të dyfishtë në MPB , por strukturat organizative të kësaj ministrie duhet të jenë në komandën e ministrit Oliver Spasovski.

“Por, duhet të pranojmë se ka një konflikt politik që tani është bartur edhe në MPB. Ka vështirësi në disa segmente, por në instancë të fundit përsëri në MPB komandon Ministri Spasovski”, u shpreh Agim Nuhiu, Zëvendësministër i punëve të brendshme.


Lidhur me hyrjen e fundit të PPS-s në DSK, zëvendësministri Nuhiu është i kujdesshëm në vlerësimet e tij. Sipas tij, në këtë rast verdiktin final do të jap gjykata.

“Nuk mund të them se Drejtoria për siguri dhe kundërzbulim përpiqet që të fsheh të vërteten e përgjimeve sepse ky është një mozaik që nuk mbështetet vetëm në një fakt ose mjet prove dhe besoj se në fund gjyqësori do të jep fjalën e vet”, shtoi Nuhiu.

Nuhiu pas skadimit të mandatit të qeverisë teknike do të jetë ministër i MPB-së deri në zgjedhjen e Qeverisë së re që do të dal nga zgjedhjet e 11 dhjetorit. Ai thotë se zotohet për frymën e reformave, mosdiskriminimit dhe transparencës në MPB. /Telegrafi/