LAJMI I FUNDIT:

Noli ka qenë ateist, prift u bë, kishën e themeloi për motive atdhetare

Noli ka qenë ateist, prift u bë, kishën e themeloi për motive atdhetare

Gazetat e djeshme, bazuar në një letër të publikuar në librin me titull “Helenizimi i Epirit të veriut dhe marrëdhëniet greko-shqiptare, 1897-1918”, jepnin lajmin se Fan Noli ka qenë ateist. Letra është e vitit 1915, dhe është e shkruar nga një diplomat grek. Dhe, aty, diplomati grek informon eprorët e vet mbi faktin që Noli është antigrek e… ateist.

Ka shumë gjasa që lajmi të ketë kapur në befasi shumë vetë, madje mund ta përfytyrojmë reagimin e tyre: “Si? Noli ateist? Po ai është themeluesi i kishës ortodokse autoqefale. Si ka mundësi kjo gjë”? Një gazetari, në këtë gjendje shoku, i kishte shkuar mendja të pyeste Nasho Jorgaqin. Ky i fundit ishte treguar shumë i prerë: “Nuk ka asnjë dokument që të tregojë se Noli ishte ateist; të thuash që Noli ka qenë ateist, e fyen atë dhe figurën e tij”.

Është kështu? Tani që Jorgaqi është një njohës i mirë i jetës e veprës së Fan Nolit, kjo nuk ka diskutim. Ai e ka provuar këtë gjë në më shumë se një rast. Për më tepër, është ai që ka përgatitur e kuruar publikimin e veprës së plotë të Nolit në pesë vëllime, e duhet thënë se kjo punë e tij është bajagi e paqme. E, megjithatë, ai gabon kur tregohet kaq i prerë lidhur me këtë çështje. Ai gabon ca më shumë kur, në përpjekje për të vërtetuar tezën e tij se nuk është e vërtetë që Noli ka qenë ateist, sjell një bisedë të tijën me një zonjë, të ëmën e Artur Liolinit, me emrin Helena. Kjo zonjë e ka takuar Nolin disa herë gjatë jetës së vet dhe i ka treguar Jorgaqit, mes të tjerash, se si në një rast një zonjë tjetër e ka pyetur nëse është e vërtetë ajo që thonë, d.m.th. që Noli është ateist?! Dhe, përgjigja që Noli i ka dhënë është: “Po si thua zotrote, të ketë njeriu një jetë e t’ia kushtojë një ideje tek e cila nuk beson”?

Nuk kemi arsye që të dyshojmë tek autenticiteti i kësaj dëshmie të bërë nga kjo zonjë. Po e marrim për të vërtetë. Por, puna është se kjo dëshmi nuk mjafton për të rrëzuar tezën se Noli ka qenë ateist. Ka dëshmi të tjera që thonë të kundërtën. E, janë dëshmi më të forta se kjo e kësaj zonje. Janë më të forta, ngaqë janë të bëra nga vetë Noli. Dhe, Jorgaqi e di mirë që është kështu.

Në veprën 4 të kolanës së përgatitur nga ai është letërkëmbimi që Noli ka pasur me të tjerë. Dhe, aty, në disa raste Noli dëshmon ose në mënyrë të troçtë, ose në mënyrë të nënkuptuar se me fenë nuk e lidhte ndonjë gjë. Letrën që ia dërgonte Thanas Tashkos nga Jamestowni, më 9 korrik 1906, Noli e mbyllte me fjalët: “Perëndinë s’e mbesonj, i ardhtë keq” (faqe 36).

Në një letër tjetër, dërguar të njëjtit person më 23 korrik 1906, rrëfen se në një takim shqiptarësh për të mbledhur fonde në ndihmë të një gazete të Sotir Pecit, kish takuar një shqiptar tjetër, shumë të zgjuar, “atë më të squarin, që ishte edhe pak ateist, dhe zumë miqësi të paqme; unë pa humbur kohën e vyer, hapa valixhen dhe i dhashë Zarathustrën e Nietzsches që të bëhet ateist komplet e të mirremi vesh tamam” (faqe 37).

Në po këtë letër që ishte disi e gjatë, teksa flet për Sotir Pecin, ai thotë: “Është mëmëdhetar i mirë, por… ah, të kishte kënduar ca pak Nietzsche!”, dhe diku më pas, i kapur nga një vetëpëlqim i lezetshëm, e krahason veten me Nietzschen, ateistin par excellence, premton se ai vetë do të bënte një Perëndi shqiptar e do t’i falej, por kjo Perëndi do të ishte e tij, vetëm e tij, madje Perëndia do ishte ai. Dhe, e mbyll këtë moment duke thënë: Cosi parlava Nietzsche! Merret vesh, është një përshtatje e titullit të librit të Nietzsches: Cosi parlò Zarathustra! Por, nuk merret vesh pse lojën me këto fjalë e bën në italisht.

Për herë të parë mbi nevojën e themelimit “të kishës ortodokse shqip” flet në një letër dërguar shoqërisë “Bashkimi”, në vitin 1907, në 20 shkurt. Dhe, thotë: “Në u bëftë kjo gjë, përveç tërbimit të armiqve tanë, do të ketë edhe një rëndësi të madhe për përparimin e punës tonë këtu n’Amerikë” (faqe 53). Dhe në këtë pikë fillon e zbulohet motivimi i tij në përpjekjet për ta ngritur këtë kishë. Dhe, ky motivim nuk është fetar. Është patriotik. Thënë me fjalë të tjera, Noli nuk ka qenë ortodoks. Ai ka qenë atdhetar. Kishën e ka ngritur në emër të atdhetarizmit. Kjo duket në letra të tjera. Në fund të letrës dërguar Thanas Tashkos më 15 mars 1907, në një postscriptum, shkruan: “Në mos e mbarofsh këtë punë, do të mallkonj. Po mund të më thuash se mallkimi im nuk zë pa qenë prift. Po unë them që zë, se në mos jam tani prift i kishës, pa fjalë jam prift i Shqipërisë” (faqe 59).

Kur e kish vendosur që do bëhej prift, një nga gëzimet më të mëdha ishte që “do t’u hyhej në hundë grekëve, (që) të pëlcasin në vend”. Në një letër që i dërgon Lef Nosit, më 14 gusht 1908, ai i premton se “vitin tjetër do shkoj në Shqipëri e do nis luftën e parë kundër klerit grek” (faqe 79). Në një letër që i dërgon kryepeshkopit rus, ia bën: “Nuk bëj kabull të përgjigjem në kallzimet e grekëve të ndyrë, dhe më vjen keq që kisha ruse paska rënë kaq poshtë sa të zvarriset në këmbët e tyre” (faqe 151). Dhe, këtu del në pah një nga motivimet më të rëndësishme të tij në rrugën drejt kishës shqiptare autoqefale: antigreqizmi.

Noli nuk gjente dot paqe në mes të ndikimit të madh që kishte kisha greke mes ortodoksëve shqiptarë në rrethanat që shqiptarët po bënin përpjekje shteruese për krijimin e shtetit shqiptar. Noli është antigreku më i madh në historinë e Shqipërisë. Kjo qasje e tij mund të duket si një teprim aposteriori, në mos si një paranojë, por atëbotë nuk ka qenë kështu. Atëbotë grekët ishin me të vërtetë një problem i madh për shqiptarët.

Pasi bëhet prift, bëhet edhe besimtar, gjë që duket te përmbajtja e letrave, dhe te mbyllja e tyre me fjalët “urimtari juaj me Krishtin”, ose “Ju dërgoj bekimet e kishës” etj. Por ky besim i tij ishte më shumë një besim ex officio (për shkak të përgjegjësisë fetare që mori), se sa një besim që i vinte nga rropullitë. “Fati i Shqipërisë zemërgure më ka vendosur të tretem e të venitem bashkë me kryqin që kapa…” (faqe 70). Vini re: … kryqin që kapa. Sic!

Por, edhe në letërkëmbimin që vijon pasi u bë prift, ai veç si prift nuk flet. Diku krahason Krishtin me Nietzschen që janë në një mendje në një çështje, diku tjetër i thotë Thanasit që t’i thotë Vruhos që ky i fundit t’ia kthejë një borxh që i ka, në mos “do t’i dërgonte mallkimin e tij” (faqe 83). Etj. etj. etj.

Fan Noli nuk ka diskutim që ka kontribut në krijimin e kishës autoqefale ortodokse që, prej njëzet e kusur vitesh, autoqefale nuk është (si mund të jetë, kur në krye të saj nuk është një shqiptar? Në mos, më i madhi. Noli me siguri do jetë kthyer përmbys në varr kur ka marrë vesh se një grek, Anastas Janullatos, është zgjedhur, dhe vijon të jetë akoma, në krye të kishës ortodokse së themeluar prej tij si një kishë edhe antigreke). Ai ka krijuar gjuhën liturgjike shqipe, ka botuar në gjuhën shqipe libra të kishës, është përpjekur që të zgjojë ndjenjat patriotike tek ortodoksët e Shqipërisë (jo me ndonjë sukses kushedi se çfarë në këtë pikë) etj., por të gjitha këto ai nuk i ka bërë si besimtar. I ka bërë si patriot. Nuk është çudi që të jetë bërë besimtar më vonë, ndoshta në pleqëri, kur ka takuar edhe atë zonjën që i është rrëfyer Jorgaqit, por në fillimet e veta, e për një kohë të gjatë më pas, ai ka qenë ateist, edhe pse u bë prift.

Unë nuk di të them nëse ky fakt e rrit apo e zvogëlon figurën e Nolit si kreun e themeluesin e kishës ortodokse autoqefale shqiptare. Nuk di të them gjithashtu nëse ky fakt e zhvlerëson disi aktin e themelimit të kësaj kishe autoqefale (një kishë që themelohet nga një ateist nuk është me kredenciale të mira, apo jo?). Ndoshta e zhvlerëson. Por pavarësisht kësaj, Fan S. Noli, apo Theofan Mavromati, siç ka pasur qejf ta quajë diplomati grek në letrën që u përmend në krye (Theofan Mavromati ishte një emër që Noli e përdorte edhe vetë, meqë ra fjala), ai mbetet një nga figurat më të mëdha të historisë sonë kombëtare. Në panteonin e atdhetarisë, Noli është lart fare, dhe vetëm shumë pak të tjerë i bëjnë shoqëri.