LAJMI I FUNDIT:

“Njerëzit do të punojnë katër orë në ditë, vetëm katër ditë në javë”!

“Njerëzit do të punojnë katër orë në ditë, vetëm katër ditë në javë”!

Njerëzit do të punojnë shumë më pak pas tri dekadave të ardhshme, ka thënë Jack Ma, themelues i gjigantit kinez të tregtisë së internetit “Alibaba”.

“Njerëzit do të punojnë katër orë në ditë dhe ndoshta katër ditë në javë. Gjyshi im punoi 16 orë në ditë në tokë bujqësore dhe [mendonte se] ishte shumë i zënë, ne punojmë tetë orë, pesë ditë në javë dhe mendojmë se jemi shumë të zënë”, tha Ma për CNBC në Detroit në konferencën “Gateway 17” për sipërmarrësit.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, parashikimi i tij korrespondon me atë të bërë nga ekonomisti i njohur John Maynard Keynes, i cili tha se në vitin 2030 java e punës do të ishte rreth 15 orë, pasi automatizimi do të zëvendësonte punëtorët.

Ma ka vlerësuar gjithashtu se të pasurit dhe të varfrit, shefat dhe punonjësit e tyre do të preken gjithnjë e më shumë nga automatizimi.

“Revolucioni i parë teknologjik shkaktoi Luftën e Parë Botërore”, tha Ma. “Revolucioni i dytë teknologjik shkaktoi Luftën e Dytë Botërore, ky është revolucioni i tretë teknologjik”.

Ma parashikoi gjithashtu se njerëzit do të jenë në gjendje të udhëtojnë në një numër më të madh të destinacioneve sesa tani.

“Njerëzit normalë vizitojnë 30 vende, tridhjetë vjet më vonë, ndoshta do të vizitojnë 300 vende”, tha ai.

Ish-mësuesi anglez Ma themeloi “Alibaba” në vitin 1999. Kompania bashkon një familje të bizneseve të bazuara në internet, e cila u mundëson përdoruesve të blejnë ose shesin kudo në botë. /Telegrafi/