Marijuana Gheorghiu
Para pak kohësh rrëshqita në një gur dhe dërmova kyçin e këmbës. E kjo më ndodhi jo në Berlin, por në një fshat të vogël grek të quajtur Mani, në Peloponez. Duket se është më e lehtë nganjëherë që të kalosh kufijtë administrativë brenda BE-së se të kalosh kufijtë administrativë dhe rajonalë brenda një vendi. Për të shkuar me ambulancë në spitalin në Kallamatë u desh një ambulancë e re që u dërgua posaçërisht për mua në kufirin rajonal. Dhe, më vonë, në aeroportin e Berlinit, Schönefeld, u desh që shokët të më prisnin në mes të natës dhe të më çonin vetë në spital, sepse ambulanca e porositur në Berlin nuk kishte të drejtë të merrte një pacient në Landin e Brandenburgut, ku ndodhet aeroporti i Schönefeldit.
Po unë doja dhe duhet të shkoja në Berlin. Tri ditë në spitalin grek më bindën që operacionin ta bëj në Gjermani. Megjithë shkollimin e shkëlqyer të mjekëve, për të cilët pata dëgjuar vetëm gjëra të mira, më frikësuan pasojat e krizës financiare greke në sektorin e shëndetësisë. Personeli i paktë merrte përsipër të gjitha detyrat, jo vetëm ato mjekësore, por edhe pastrimin, dhe qe i mbingarkuar përtej kufijve. Shpesh mungonin mjetet më të thjeshta të ndihmës, si karriget me rrota, patericat, fashot. Kur nuk ecje dot si pacient, të vinin automatikisht një kateter dhe të jepnin antibiotikë – po të mos kishe me vetë të afërm, të cilët të të ndihmonin në banjë. Një ngushëllim qe ushqimi. Dy herë në ditë të jepnin ushqim të ngrohtë shtëpie.
Edhe pas operacionit, të afërmit janë të pazëvendësueshëm. Anëtarët e familjes jetonin me të sëmurët e tyre në krevate portative dhe në karrige të parehatshme. I furnizonin ata 24 orë në ditë dhe blinin për ta medikamente dhe gjëra të tjera të nevojshme në qytet. Personeli i mbingarkuar ishte i dekurajuar, pa durim dhe jo shumë miqësor.
Kur mbërrita në një spital të Berlinit, e ndjeva veten sikur të kisha mbërritur në parajsë. Personel miqësor, i gatshëm për ndihmë, me durim. Kirurgë tepër të specializuar që vinin dy herë në ditë për vizitë. Infermiere dhe infermierë të cilët kujdeseshin me përkushtim të theksuar për pacientët e tyre, megjithë mungesat në infermierë të rinj. Dhe, kishte fizioterapetë, masazhistë, personel pastrimi dhe ndihme: çdo ditë të jepnin këmisha nate të pastra, çarçafë e këllëfë të pastër, peshqirë, peceta rrobe për t’u larë. Për çdo pacient: një telefon, televizor, karrige me rrota, paterica. Çaj dhe kafe pa ndërprerje. Madje pranë ishte edhe një kafene.
Problemet e para nisën me ushqimin. Vaktet silleshin nga një shërbim Catering. Ai me sa duket nuk ia kishte haberin as rregullave të ushqimit për të sëmurët, as entuziazmit për të gatuar. Ushqimi vetë nuk e mbështeste patjetër procesin e shërimit. Infermieret të këshillonin që të ankoheshe. Pacientët janë klientë. Dhe, klienti është mbret. Spitali është një sipërmarrje që duhet të nxjerrë fitim.
Po ku ta çosh një pacient pas një operacioni të rëndë të këmbës, kur në shtëpi ai nuk kujdeset dot për vete, por nuk i ka mbushur as 75 vjeç? Unë rashë në një boshllëk në sistem dhe u ktheva në një paciente që refuzonte të largohej nga spitali, për aq kohë sa për të nuk qe gjetur një zgjidhje. Në minutën e fundit pastaj u gjet një zgjidhje. Më çuan në një pavijon të përkujdesjes së përkohshme. Spitalet janë të detyruara t’u kushtojnë vëmendje pacientëve. Dhe, kur pacienti ngul këmbë, për përjashtime gjenden edhe zgjidhje të veçanta.
Po më duket se askush që punon në mënyrë aktive për shërimin në sektorin e shëndetësisë, qofshin mjekët, infermieret, infermierët dhe personeli tjetër nuk është dakord që pacientët të trajtohen si klientë dhe që spitalet të shndërrohen në sipërmarrje fitimi. Ndoshta do të ishte e dobishme që të intensifikohet komunikimi, kohezioni dhe solidariteti midis të sëmurëve, persona në nevojë për ndihmë dhe ekipeve të mjekëve. Sepse, në fund të fundit, pacienti duhet të ndihet i pranuar me hallet dhe mundimet e tij dhe të mos e humbasë besimin. Ajo që ka rëndësi parësore është shërimi i tij. Sepse, kudo në BE bëhen përpjekje që të arrihet efikasitet dhe përfitim për shoqërinë. Në shëndetësi dhe në vende të tjera. Por, në këtë kuadër, mirëqenia e individit nuk duhet të vijë në radhë të fundit dhe të sakrifikohet për hir të detyrimit për fitim.
(Autorja është shkrimtare rumuno-gjermane dhe docente. Jeton në Berlin dhe jep seminare për “Shkrimin kreativ”)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëSkandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova
Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit
"Mendova se mi theu të gjithë dhëmbët" - Evander Holyfield zbuloi se cili boksier e goditi më fort
Zbulohen dy kërkesat që Laporta ia bëri Xavit në një takim urgjent – njëra ka të bëjë me Guardiolën
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
E jotja është mu koncentru, e karriges Gaming me t’rahatu
Karrige që ta relakson mendjen dhe trupin
Knaqja zemrën vetit: Bli fustanin me zbritje në Melodia Px
Autobusi bon me t’ik, a kjo bluzë me zbritje hiç kërqysh!
Sako nga MelodiaPx që t’shton vetëbesim!
Më të lexuarat
Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet
Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit
Del rezultati përfundimtar në Gostivar, këto janë rezultatet
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova
Zbulohen dy kërkesat që Laporta ia bëri Xavit në një takim urgjent – njëra ka të bëjë me Guardiolën