LAJMI I FUNDIT:

Një shuplakë e madhe për gazetat gjermane

Një shuplakë e madhe për gazetat gjermane

Mediat gjermane e kanë trajtuar çështjen e refugjatëve në periudhën 2015/16, jo në mënyrë të pavarur, por në sipas qëndrimit që kishte kancelarja Angela Merkel për këtë çështje. Madje, në vend që të sqaronin në mënyrë të pavarur këto zhvillime komplekse, ato kanë bërë politikë në favor të pushtetit duke u përpjekur ta bindnin popullin për kulturën e mikpritjes dhe madje pothuajse duke e urdhëruar për një gjë të tillë.

Kjo akuzë nuk është e re, por deri tani atë e bënte vetëm partia e djathtë AfD. Tani në këtë përfundim ka arritur një studim shkencor i Hamburg, Media School, dhe i Universitetit të Lajpcigut. Ato kanë analizuar artikujt e katër mediave më të mëdha gjermane – Süddeutsche Zeitung (SZ), Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Die Welt dhe Bild-Zeitung – dhe kanë arritur në përfundimin se gazetarët dhe redaktorët në vend që të raportonin dhe të shkruanin në mënyrë kritike, janë sjellë më tepër si edukatorë dhe moralizues. Në studim kritikohet në mënyrë masive mënyra e raportimit për krizën e refugjatëve.


Fjalët “kulturë e mikpritjes” dhe “mirëseardhje” u hymnizuan prej mediave si fjalë magjike, thuhet në studim. Raportimi ka qenë tejet moralizues dhe kush shprehej ndryshe, menjëherë damkosej si radikal i djathtë.

“Nga 35,000 artikujt e analizuar, vetëm gjashtë për qind kanë qenë reportazhe apo artikuj që përbënin punë të mirëfillte hulumtuese gazetareske. Pjesa dërmuese e artikujve kanë qenë komente”, konstaton drejtuesi i grupit studimor, Michael Haller.

Sipas studimit, 43 për qind e personave të cituar në artikujt e analizuar ishin përfaqësues të qeverisë federale gjermane, ministra apo deputetë. Po ashtu, politikanët e Partisë Ekologjike, që shpreheshin pro ardhjes së azilkërkuesve, janë marrë në intervista dy herë më tepër se ata të partisë E Majta. Kurse, përfaqësues të partisë së ekstremit të djathë AfD, e cila është e përfaqësuar ndërkohë në shumë parlamente landesh, thuajse nuk janë intervistuar asnjëherë. Po, ashtu pak janë marrë në intervista apo u është marrë mendimi edhe ekspertëve në lidhje me veçoritë etnike të azilkërkuesve. Thuajse fare nuk janë marrë në konsideratë në artikujt e analizuar vullnetarët që janë kujdesur për azilkërkuesit. Për ta është shkruar vetëm në 3,5 për qind të artikujve.

Nga analiza del se 83 për qind e artikujve janë shprehur pozitivisht ose shumë pozitivisht për çështjen e refugjatëve duke u bërë megafon i idesë së kulturës së mikpritjes të predikuar nga partitë në qeveri. Për ata që kishin rezerva ndaj politikës së qeverisë dhe të kancelares Merkel dhe argumentet e tyre, mediat kanë njoftuar vetëm në mënyrë periferike.

Autorët kanë marrë në analizë edhe artikujt e shkruar pas sulmeve të migrantëve meshkuj ndaj vajzave dhe grave natën e Vitit të Ri në Këln. Në këto artikuj duket një lloj korrigjimi në qëndrimin ndaj temës së refugjatëve dhe sipas studiuesve të krijohet përshtypja, sikur gazetarët tani donin të përmirësonin në shkrimet e tyre ato që kishin lënë pas dore në shkrimet e mëparshme.

Kjo analizë – edhe pse vende-vende ka disa gjëra kontradiktore – është një shuplakë për mediat, sepse ato që konstatohen për gazetat, vlejnë në thelb edhe për raportimin në televizion, edhe pse ky për arsye kohe nuk qe pjesë e posaçme e studimit. /DW/