LAJMI I FUNDIT:

Një shans për një fushatë elektorale – me dinjitet në Francë

Një shans për një fushatë elektorale – me dinjitet në Francë

Në fillim gjithçka është si më parë. François Hollande përpiqet t’i bindë bashkëqytetarët e tij se presidenca e tij nuk ishte kaq e keqe. “Rezultatet do të vijnë”, thotë ai dhe ka parasysh me këtë papunësinë dhe ekonominë e paralizuar franceze. Por përfundimi është një tjetër nga ai që kishin pritur shumë vetë. Ai, presidenti më i papreferuar qëkur ekzistojnë sondazhet në Francë, nuk do të rikandidojë.

Me sa duket realiteti politik arriti pas pesë vjetësh tek Presidenti francez. François Hollande i tërhoqi në humnerë me politikën e tij të lëkundur dhe larg realitetit socialistët e Francës, humnerë prej së cilës ata mund të dalin vetëm të bashkuar. Prandaj së Majtës i duhet dikush në krye, të cilin ajo ta mbështesë e bashkuar. Konservatorët e gjetën këtë politikan te François Fillon, presioni te socialistët që të paraqesin sa më shpejt kundër-Fillonin e tyre është rritur. Shanset që me një kandidat të tillë të arrihet të paktën raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale nuk janë të këqia.


Shumë tema, që preokupojnë jo vetëm njerëzit në Francë, por në të gjithë Evropën janë tema klasike të majta. Në klientelën tradicionale të socialistëve krejt në krye është mbrojtja e “ouvrier”, punëmarrësit: nga globalizimi, nga kapitalizmi i shfrenuar, digjitalizimi dhe automatizimi. Shumica e këtyre zgjedhësve potencialë, në të kaluarën ia kanë dhënë votën automatikisht socialistëve. Tani shumë prej tyre shkojnë drejt Front-it National, i cili e premton më besueshëm për ta këtë mbrojtje nga rreziqet e botës moderne të punës.

Nëse ndonjë kandidat majtas François Fillon do të ketë ndonjë shans, ai duhet t’i bëjë të vetat këto tema. Suksesi i të majtëve në Francë, si në të gjitha partitë nuk varet vetëm nga temat, por edhe nga personat që veprojnë. François Hollande si kandidat do të kishte qenë një farsë. Kuota e mbështetjes së tij në popull së fundi ishte katër përqind. Ajo që ishte më e keqja, refuzimi i personit të tij dukej se kalonte tek ai pa i bërë ndonjë përshtypje. Por pastaj përfundimi, të cilin e patën pritur vetëm pak vetë: Hollande nuk kandidon sërish.

Kur e tha këtë fjali, presidenti francez të linte një përshtypje autentike dhe emocionale, gjë që ndodhi rrallë në pesë vitet e fundit. Sado e hidhur që të jetë për të: për herë të parë ai të linte përshtypjen e një njeriu që e ka menduar thellësisht diçka, që kishte nxjerrë prej saj përfundimet e duhura dhe që ishte i gatshëm t’i vinte në jetë ato përfundime. Sado larg popullit francez që u duk ai në pesë vitet e fundit, i mbyllur hermetikisht François Hollande nuk ka qenë, këtë të paktën e tregon fjalimi i tij i së enjtes mbrëma.

Tani ai – ashtu siç duhet – hap rrugën për dikë, i cili mund të nisë një përpjekje të besueshme për ta bashkuar të majtën pas vetes. Çdo kandidat do ta ketë të vështirë kundër François Fillon. Por François Hollande i dha të enjten partisë së tij të paktën shansin për të kryer një fushatë elektorale me dinjitet dhe ndoshta për të penguar që Marine le Pen të arrijë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Me këtë ai i bëri Francës dhe Evropës një favor të madh.