LAJMI I FUNDIT:

Një letër për ty, çlirimtari ynë!

Një letër për ty, çlirimtari ynë!

Erblina Tahiraj

Nuk e di nëse do i shohësh këta rreshta që dua t’i dedikoj. Por, dua të them se sonte, më erdhi frymëzimi t’i shpalos ato mendime që çdo qytetar i ruan në zemër për ty. Mendoj se ke nevojë t’i lexosh.


Ato mendime që kanë mbetur peng në zemrën e tyre ngase pushtetarët ua burgosën, duke i zëvendësuar me para, punësime pa konkurse, e çfarë jo.

Sot kërkuam drejtësi, kryetar!

Sot protestuam për lirinë tënde!

Ishte ditë shumë e ftohtë kryetar. Por mbase jo aq e ftohtë sesa në ditët kur t’i luftoje pa ndalur për lirinë tonë.

E përfunduam protestën… rrugës shihja pakënaqësinë në sytë e popullit, ata dukeshin të thyer, por nga thellësia e zemrës thërrisnin me zë të lartë emrin tënd. Vazhduam të ecnim rrugës, kombinimi erë-dëborë po ngrinte fytyrat tona, por jo edhe sytë tonë të përlotur që i shkaktonte dhimbja për shtegtarin tonë të lirisë që na e kanë burgosur. Mbylla sytë dhe po mendoja.

Ndërkohë, dëgjoja bisedat e qytetarëve “nuk ka sikur Ramushi”, “e dua me zemër Ramushin”, “askush nuk e do vendin e vet sikur Ramushi”, “me qëllim po ia bëjnë Ramushit”… e fjalë të pafundme që nuk i largoja dot nga mendja. Për të kuptuar gjithë këto që përjetove, për një moment vendosa veten në vendin tënd.

Sa jetë e vështirë kryetar! Por, kurrë nuk të pashë me kokë të ulur. Ishe komandant, kishe peshën më të madhe të përgjegjësive, kishe të ftohtë në dimër, ishe i uritur, ishe i etur, nuk mund ta duroje të ngrohtit e verës, kurrë askush nuk të bëri këto pyetje.

Humbe vëllezërit e tu. Të dhimbte shpirti, të çante zemra, por duhej të bëheshe i fortë, ngase nëse ty do të pikonte loti ushtarët e tu do rrëzoheshin nga pasiguria.

Përfundoj lufta, dorëzove postin tënd të kryeministrit për të dëshmuar pastërtinë e UÇK*së, por askujt nuk i shkoj në mendje sesa e vështirë ishte të arrije në cak, por të kthehesh prapa për akuza të pabaza.

U ktheve fitimtar! Por, askush nuk të pyeti se sa e dhimbshme ishte të shikoje fëmijët e tu që u rritën duke të munguar dashuria e tyre, duke të munguar zërat e tyre teksa qajnë e qeshin, duke të munguar përqafimi i tyre.

Ti prapë po akuzohesh kryetar…, edhe sot, anipse mundohemi të kuptojmë, mendoj që kurrë nuk të kemi kuptuar. Je njeri i madh kryetar, je bujar, je i përgjegjshëm, i ndershëm, njeri i fjalës.

Sot unë po të shkruaj duke të kuptuar ty, duke kuptuar lotin e sinqertë në sytë e babës tënd, duke kuptuar dëshpërimin e nanës tënde, duke kuptuar zemërimin e vëllezërve të tu, duke kuptuar mallin e fëmijëve tu për ty, duke kuptuar paqartësinë në mendjet e nipërve e mbesave të tua.

Kryetar, më pate nderuar duke më quajtur Era, ngase e pëlqeje këtë emër, prandaj nga Era dhe rinia e Aleancës pranoi këto fjalë të sinqerta. Jemi me ty çlirimtari ynë. Deri në ditët kur do të kemi pranë, lexo këtë letër dhe mos harro që je shpresa jonë.