LAJMI I FUNDIT:

Nishani: Reforma, me konsensus dhe besueshmëri

Nishani: Reforma, me konsensus dhe besueshmëri

Presidenti Bujar Nishani priti sot në një takim drejtuesen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz-Calavera.

Gjatë takimit, Nishani falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen e madhe që po ofron në realizimin e reformës në drejtësi, e vlerësuar prej tij si “aq jetike për vendin”.


Duke vlerësuar punën e bërë deri tani, Nishani evidentoi se dy elementët që kanë qenë dhe mbeten thelbësorë për suksesin e reformës janë konsensusi dhe besueshmëria.

Ai inkurajoi zonjën Calavera dhe nëpërmjet saj institucionet e Bashkimit Evropian, që të nxisin më tej procesin në këtë trajektore, me qëllim rritjen e besimit ndërmjet palëve.

Kreu i shtetit theksoi gjithashtu se ftesa e drejtuar ndaj partnerëve ndërkombëtarë për të ndihmuar në realizimin e reformës në drejtësi ka qenë shumë e sinqertë.

“Ndaj përfshirja e tyre edhe në Kushtetutën e vendit, edhe pse përbën një rast unik, është gjykuar si thelbësore për zbatimin efikas të reformës”, ka vijuar Nishani.

Në këtë kontekst, ai ka nënvizuar se në cilësinë e kreut të shtetit ka kërkuar zbatimin rigoroz të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit nga të gjitha palët përfshira, përfshirë këtu partnerët ndërkombëtarë.

Në fund të takimit, Nishani vuri në dukje edhe domosdoshmërinë e shmangies së çdo tentative për politizimin e procesit, duke inkurajuar ruajtjen e transparencës, paanshmërisë dhe kushtetutshmërisë. /Telegrafi/