LAJMI I FUNDIT:

Ngrohja e banesave të reja përmes Termokosit, banorët do të paguajnë edhe për muret dhe ballkonet

Ngrohja e banesave të reja përmes Termokosit, banorët do të paguajnë edhe për muret dhe ballkonet

Zgjerimi i ngrohjes për qytetarët e Prishtinës është një lajm i shumëpritur. Por, ndonëse ata që jetojnë në banesa “të vjetra” janë më të “privilegjuarit” kjo nuk do të vlejë edhe për ata të “banesave të reja”. Kjo për faktin se faturimi i ngrohjes, në momentin që ata do të kyçen do të bëhet në bazë të metrave katrorë, llogaritje e cilat tek këto të fundit bëhet në bazë të sipërfaqes bruto.

Prishtina është qyteti në të cilin nga pas lufta janë ndërtuar shumë objekte të reja banesore, e shtimi i ndërtimeve ka rritur edhe kërkesën e banorëve për tu ngrohur nga Termokosi sidomos pas përdorimit të avullit të KEK-ut për ngrohje.


Për zgjerimin e rrjetit në lagjet ekzistuese dhe në disa të reja janë ndarë miliona euro.

Zëdhënësja e Termokosit, Aferdita Uka ka thënë për Telegrafin se nga lagjet e reja që do të përfitojnë me rrjet ngrohës janë “Mati 1” dhe “Kalabria”. Sipas saj, në këtë fazë lagja Arbëria nuk është përfshirë.

“Faza e tretë e Projektit të kogjenerimit, që ekskluzivisht i dedikohet zgjerimit të rrjetit të ngrohjes është e planifikuar për vitet 2017-2018. Për zgjerim të rrjetit Komisioni Evropian ka ndarë 8.3 milionë euro, ndërsa Qeveria Gjermane nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim 5 milionë euro, 250 mijë euro nga Komuna e Prishtinës dhe 250 mijë euro nga Termokos”, tregon Uka.

Sipas saj, zgjerimi i rrjetit, në rrjetin e ngrohjes do të kyçen fillimisht disa objekte të vjetra kolektive banesore.

“Në këtë fazë do të kyçen disa objekte banesore në lagjen ‘Qendra’, ‘Dardani’ dhe ‘Ulpianë’. Ndërkaq, zgjerimi i rrjetit në lagje të reja me fondet e siguruara dhe me kapacitetet aktuale termike nga KEK-u do të bëhet për një pjesë të lagjeve ‘Kalabria’ dhe ‘Mati 1’”, ka thënë tutje zëdhënësja Uka.

Por pavarësisht se qytetarët e presin me pa durim sistemin ngrohës të Termokosit, ata që kanë banesa të reja mund të jenë gjithashtu të dëmtuar.

Kjo për faktin se përllogaritja e metrave katrorë do të bëhet sipas kontratave, e që në realitet sipërfaqja e banesave të reja e shfrytëzueshme nuk është e llogaritur në neto por në bruto.

Kjo nënkupton edhe pagesë për ngrohje edhe për ballkonet, në rastet kur banesat e reja kanë një ose disa të tillë. Gjithashtu një përllogaritje e tillë, duke pasur parasysh përllogaritjet gjatë shitjes së tyre, një pagesë e tillë do të bëhet edhe për muret e banesës.

Rrjedhimisht në faturën e ngrohjes qytetarëve do tu llogaritet edhe ballkoni dhe një pjesë e mureve të banesës.

Në Termokos konfirmojnë se faturimi i ngrohjes në objektet e reja do të bëhet sipas të dhënave të investitorëve.

“Përllogaritja e metrave katror të sipërfaqeve banesore bëhet sipas të dhënave që ofron investitori i secilit objekt të ri banesor për sipërfaqet ngrohëse të secilit subjekt banesor, në bazë të të cilave bëhet faturimi”, ka bërë të ditur Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokosit.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Brahim Selimaj, ka konfirmuar për Telegrafin se në shitjen e banesave, nuk llogariten hapësirat e përbashkëta.

“Gjatë shitjes së banesave, blerësit nuk ngarkohen me hapësirat e përbashkëta, siç janë korridoret, ashensori, shkallët,…,kurse muret, ballkonet janë pjesë e hapësirës së banimit”, ka thënë Selimaj. /Telegrafi/