LAJMI I FUNDIT:

Nga shtatori, arsim i mesëm dyvjeçar në Maqedoni

Nga shtatori, arsim i mesëm dyvjeçar në Maqedoni
Foto: Ilustrim
-->

Arsimi i mesëm profesional, duke nis me vitin shkollor 2017/2018, nuk do të jetë më vetëm katër dhe trevjeçar, por edhe në kohëzgjatje prej dy vjetësh, shkruan gazeta KOHA. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka tanimë listën e 24 profileve të reja, të asaj që zyrtarisht e quajnë arsim i mesëm profesional me plane dhe programe të reformuara, të cilat do të jenë së shpejti pjesë e Konkursit për regjistrimin e nxënësve në këtë vit shkollor. Reforma, sikurse thotë përgjegjësi për arsim të mesëm, Safet Neziri, është bërë konform kërkesave të tregut të punës.

“Meqë prej kohësh ishte ndjerë nevoja që të bëhen disa reforma në drejtim të kuadrove me arsim të mesëm, në konsultim me ekspertë të jashtëm, kemi propozuar modelime dhe profile të reja në arsimin profesional”, shprehet për KOHA Neziri, ndërsa thotë se profilet u janë ofruar paraprakisht të gjithë shkollave profesionale. Fillimisht, sikurse tregon përgjegjësi për arsim të mesëm, shkollat në nivel shteti janë njoftuar me listën e profileve të reformuara, u janë ofruar të njëjtat dhe më pas është lënë në të drejtën e shkollave të zgjedhin ato profile.

“Ministra do të lejojë formimin e drejtimeve dhe profileve në bazë të kresave që na kanë ardhur prej shkollave, respektivisht komunave. Në masë të madhe, nga 95 deri 99 për qind e kërkesave që na vijnë në Ministri, pasi shqyrtohen në Komisionin shtetëror të regjistrimit të nxënësve, i inkorporojmë në Konkursin përkatës”, deklaron ai. Lidhur me shkollimin e mesëm dyvjeçar, që për herë të parë do të nis në arsimin profesional, Neziri sqaron se nuk bëhet fjalë për ndonjë projekt në fazë pilotimi.

Nga 24 profilet e reformuara të këtij viti, 14 janë trevjeçare, kurse 10 profile dyvjeçare. Në mesin e kualifikimeve të tilla janë: kopshtar, luleshtar, bojaxhi-dekorues, montues ndërtimi, mirëmbajtës i ulluqeve, autoelektricist, si dhe elektricist për elektronikë, për telekomunikacion, për harduerë dhe për softuerë. Në profilet e reformuara me kohëzgjatje prej tre vjet, do të ketë kualifikime si: përkujtesës shëndetësor i pleqve, kasap, stampues i përpunimeve grafike, e të ngjashme.

Reformën në fjalë MASH e ka përgatitur në bashkëpunim me Konsorciumin Internacional nga Italia dhe Turqia me ndihën e ekspertëve të Mbretërisë së Bashkuar, konform kërkesave dhe nevojave të tregut të punës. Bazuar në Analizën e Shkathtësive të Nevojshme, për vitin 2015/2016, kompanitë të cilat iu përgjigjën pyetësorit përkatës, kanë vlerësuar se në 6-12 muajt e ardhshëm pritet të hapen 12.580 vende të terja pune.