LAJMI I FUNDIT:

Nga Drita e Gjilanit në futbollin spanjoll

Nga Drita e Gjilanit në futbollin spanjoll

Mesfushori brazilian me pasaportë italiane, Edenilson Bergonsi, ka lënë Dritën në Superligën e Kosovës, duke u transferuar në Spanjë.

Edenilson kishte firmosur për Dritën e Gjilanit në fillim të nëntorit, duke luajtur 4 ndeshje, por gjithsesi dha një kontribut të çmuar, sepse shënoi golin e fitores 1-0 në fushën e Hajvalisë më 26 nëntor, ndërkohë që me të në fushë Drita e mbylli me 7 pikë në 3 ndeshjet e fundit të fazës së parë, duke u larguar ndjeshëm nga dy vendet e fundit në renditje.


Pas përfundimit të fazës së parë më 1 dhjetor, Edenilson ka përfunduar raportin me Dritën dhe ka zgjedhur të shkojë në Spanjë, ku ditët e fundit ka firmosur për Eldensen.

Klub i divizionit të tretë, Eldense është në vendin e fundit në grupin III në Segunda B, ndaj po bën përforcime për të evituar rënien.

Mesfushori 29-vjeçar luan në Europë prej vitit 2010, kur firmosi për Varezen në Serinë B italiane, por nuk arriti të debutonte dhe pas gjysmë sezoni në Itali, shkoi te RËDM Brukseli, në divizionin e dytë belg.

Pas 6 muajsh aty, Edenilson shkoi te Çerno More në Bullgari, ku shkëlqeu, duke kaluar te CSKA Sofia në sezonin 2014/2015. Pak ndeshje aty dhe transferim te Pirini, ku gjithashtu luajti shumë pak sezonin e shkuar.

Pa punë prej verës së shkuar, Edenilson pranoi ofertën afatshkurtër të Dritës, për të gjetur formën optimale fizike, ndërsa tani siguron një kontratë në Spanjë, në divizionin e tretë, ku jeta, kushtet dhe terrenet mbeten më të mira sesa në Kosovë.