LAJMI I FUNDIT:

Nesër mblidhet Kuvendi, PAN-i i vendosur të mos marrë pjesë në seancë

Nesër mblidhet Kuvendi, PAN-i i vendosur të mos marrë pjesë në seancë
-->

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se nesër (e hënë), duke filluar nga ora 10:00, është thirrur vazhdimi i seancës konstituive, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit të Parlamentit.

Megjithatë, koalicioni PDK-AAK-NISMA (PAN), ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në seancë për të propozuar kandidatin e tyre, duke e bojkotuar kështu edhe një tjetër tentativë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit.

Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, në një prononcim për KosovaPress ka deklaruar se deputetët e koalicionit PAN nuk do të jenë pjesë e seancës së nesërme, duke thënë se “është thirrur në mënyrë të njëanshme”.

Sipas saj, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, e ka bërë të qartë se Grupi Parlamentar do të bojkotojë seancën në rast se nuk mbahet takimi konsultativ i të gjitha subjekteve politike.

Ajo ka shtuar se “PDK është për zgjidhjen e krizës institucionale përmes një konsensusi në mes të të gjitha subjekteve politike dhe jo në mënyrë të njëanshme”.

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, më i moshuari i përbërjes së re, Adem Mikullovci, ka hedhur poshtë kërkesën e PAN-it për vazhdimin e konsultave. Ai madje gjatë ditës ka paralajmëruar se në seancën e nesërme do të ketë dy befasi, gjithnjë nëse do të ketë kuorum.