0Shares

Qytetarë të shumtë ia kishin mësyrë sot fshatit Prekaz të Drenicës për të nderuar të rënët e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, në nëntë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në kompleksin ku prehen trupat e 50 e të rënëve të familjes Jashari që u vranë më 5 mars të vitit 1998 u bën homazhe ndërsa qytetarët edhe vizituan kullën e Jasharve, ku edhe u vranë pjesa më e madhe e familjes Jashari.

Të rënët e Jasharëve i ka nderuar duke bërë homazhe edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri Isa Mustafa si dhe personalitete tjera të Kosovës.

Por as kësaj radhe krerët e shtetit nuk vizituan familjen Jashari e cila gjendet vetëm disa metra larg kompleksit.

Për qytetarët që ishin sot në Prekaz, dita e Pavarësisë është ditë e shenjtë ndërsa vlerësojnë lart kontributin e familjes Jashari.

Arsim Zymberi tha se nuk ka emocion më të madh se në këtë ditë të madhe ta vizitosh një vend të rëndësishëm siç është Prekazi.

Ndërsa Veton Mujaj tha se vjen shpesh në Prekaz për të nderuar familjen Jashari ndërsa kësaj radhe me vete ka marr edhe fëmijët.

“Unë kam ardhur disa herë. Por, sot kam marr edhe fëmijët me veti. Është dita e Pavarësisë së Kosovës dhe baza e themeli i ndërtimit të shtetit. Kështu, që po vizitojmë një vend të shenjtë për neve. Nuk ka vlerësim më të madh se puna dhe kontributi që ka dhënë familja Jashari jo vetëm për ne por edhe për Shqipërinë”, tha Mujaj.

Kontributi i familjes së Jasharëve duhet të përfshihet më shumë në kurikulën arsimore, tha një mësimdhënës që sot ishte në Prekaz.

Sipas Fehmi Ramajt, lufta e lavdishme e Jasharëve dhe UÇK-së nuk duhet të përfshihet vetëm në një njësi mësimore, por më shumë.

Ndërsa, për 10 vjetorin e pavarësisë ai pret ta festojë me lajmin për parakalimin e ushtrisë së Kosovës.

Duke bërë homazhe në varrezat e Jasharve, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se sot po përkujtojnë luftëtarët e lirisë që dhanë jetën për liri.

Në Prekaz për homazhe ka shkuar edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai tha se sot po nderohet sakrifica dhe gjaku i derdhur i të gjithë atyre që ranë për liri.

Kompleksin “Adem Jashari” deri më tani e kanë vizituar 12 milionë njerëz, ndërsa vetëm vitin e kaluar në këtë kompleks kanë qenë 400 mijë vizitorë.

Ciceroni i këtij kompleksi, Xhevat Imeri, tha se këto vizita janë pasuria më e madhe që i bëhet këtij vendi.

Por, Imeri është i shqetësuar për neglizhencën nga institucionet qeveritare për konservimin e të gjitha objekteve në atë kompleks.

Në mini-muzeun e hapur në Prekaz janë ekspozuar arma e Adem Jasharit, pushka e Hamzës, magjja, enë të ndryshme, motoçikleta, etj.

Kureshtarë për të parë mini-muzeun e Jasharëve në nëntë vjetorin e Pavarësisë janë edhe shqiptarë nga jashtë trojeve të Kosovës. /kp/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)