0Shares

Para ca ditësh, publicisti Daut Dauti, në profilin e tij në Facebook shkruan për një paradoks tjetër mes shqiptarëve, se si nuk kuptojnë se shpenzimet e mëdha të turistëve të pasur vështirësojnë jetët edhe të banorëve të varfër të vendit.

“Kur autobusët bëhen cak i sulmeve ndaj turistëve

Në Durrës është problem kur turistët harxhojnë pak kurse në Barcelonë për shkak se harxhojnë shumë!

Gjatë kësaj vere kemi dëgjuar disa herë që autobusët me turistë nga Kosova kanë shkaktuar paknaqësi në Durrës. Sipas informatave, durësakët ankohen se autobusët nga Kosova janë duke shkaktuar tollovi në qytet dhe se kosovarët nuk janë duke harxhuar para sa kërkohet prej tyre.

Në Barcelonë, gjatë javës së kaluar janë sulmuar autobusët me turistë të huaj. Sulmuesit kanë qenë të maskuar dhe kjo u ka shkaktuar frikë turistëve dhe qytetarëve tjerë.

Derisa durësakët ankohen për mungesë të harxhimeve, barcelonasit ankohen për shkak të harxhimeve të mëdha të turistëve të cilët janë duke e dëmtuar qytetarin e zakonshëm apo vendasin e Barcelonës dhe tërë Katalonisë. Çmimet kanë shkuar në qiell dhe vendasit nuk munden më ta përballojnë kosoton e jetës.

Sulmi ndaj autobusëve në Barcelonë ka edhe një karakteristikë tjetër pasi që sulmuesit janë pjesëtarë të ARRAN një organizate që synon pavarësinë e Katalonisë” (sic.), ka shkruar Dauti.

Në fakt, ëvizja kundër turistëve në Barcelonë ka pak vite që ka filluar dhe fiton gjithmonë dhe më shumë mbështetës në çdo sezon turistik. Ky fenomen i ri që po pagëzohet “turizmofobi”, është diçka e paprecedentë dhe përbën habi për shumë njerëz. Turizmi është diçka e mirë do të mendonte një qytetar shqiptar. Turizmi sjell të ardhura dhe ndihmon ekonominë.

Megjithatë, në Kataloni ka mbingopje me një numër jashtëzakonisht të madh turistësh që mbipopullojnë rajonin. Barcelona është qytetit i 20-të më i vizituar në botë me më shumë se 34 milionë vizitorë në vitin 2016, një rritje kjo me 25 për qind në krahasim me katër vite më parë.

Fluturimet me çmim të ulët, apartamentet e lira që jepen me qira për turistët kanë qenë dy faktorë që kanë shtyrë këtë bum turistik. Shumë pronarë shtëpish nuk po i japin më tek familjarët, madje po zbojnë dhe ata që kanë vite në ato banesa për t’ia mundësuar akomodimin turistëve. Vetëm për shkak të turizmit kostoja e banesave në Barcelonë është rritur me 16 për qind.

Imagjinoni si ndihen qytetarët e vjetër të Barcelonës teksa shohin që kostoja e jetesës së tyre rritet çdo ditë. Zgjohesh në mëngjes të bësh pazarin, por dyqani i perimeve është i tejmbushur me turistë dhe ti e ke të vështirë të marrësh atë që do. Më pas shkon tek furra e bukës. Bukëpjekësi është i mërzitur, sepse apartamenti në të cilin ka jetuar që në fëmijëri do të shitet që të ndërtohet një hotel për turistët. Ku do të shkojë ai tani? Ai ja dilte me çmimin e vjetër të qerasë, por tani me tregun e ri të fryrë nga para të ardhura nga jashtë ai nuk e përballon dot koston e një banese të re.

Më vonë, ti vendos të hash një drekë me miqtë e tu tek restoranti pranë shtëpisë tënde. Atje ka radhë njerëzish dhe ti duhet të presësh 45 minuta që të të vijë ushqimi për shkak se restoranti është plot me klientë. Më vonë ti shkon për një kafe me miqtë. Ti mezi gjen vend në lokalin e dhjetë ku ke shkuar. Pas kafes është darkë dhe ndjehesh përgjumësh. Shkon në shtëpi dhe sheh një grup të rinjsh të dehur që bërtasin në një gjuhë të huaj. Shpejton hapin që të shkosh në shtëpinë tënde të gjesh qetësi, vetëm kur zbulon se këta të rinj të dehur kanë marrë me qera apartamentin poshtë shtëpisë tënde dhe nuk kanë ndërmend të pushojnë as së piri dhe as së bërtituri.

Këto ngjarje tashmë janë bërë përditshmëria e një qytetari të Barcelonës dhe jo pa të drejtë sondazhet tregojnë se opinioni publik atje e sheh turizmin si problemin më të madh. /tiranapost.al/Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)