LAJMI I FUNDIT:

Në shkurt, eksporti i Kosovës shënoi rënie

Në shkurt, eksporti i Kosovës shënoi rënie
-->

Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2017 kishte vlerën 23,6 milionë Euro, ndërsa importi 197,8 milionë Euro, ku është një rënie prej (-1.6%) për eksport dhe një rritje prej 2.2% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Kështu thuhet në njoftimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës e cila ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2017.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë sipas ATK-së, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 2.7% në muajin shkurt 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 174,1 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 169,6 milionë Euro në vitin 2016. Eksporti mbulon importin me 12.0%.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 37.1% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.7% e përbëjnë produktet minerale; 10.7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 9.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.3% e përbëjnë produktet bimore; 4.3% e përbën lëkura dhe artikuj prej saj; 4.4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.9% të importit e përbëjnë produktet minerale; 13.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.2% e përbëjnë mjetet e transportit; 8.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.9% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.3% e përbëjnë produktet bimore; dhe 5.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6,1 milionë Euro, ose rreth 25.7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-11.8%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (5.9%), Holanda (4.1%), Britania e Madhe (3.8%), Austria (2.5%) dhe Bullgaria (2.5%).

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 84,2 milionë Euro, ose 42.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1.0%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.4%), Italia (5.2%), Greqia (3.5%), Polonia (2.7%) etj. /Telegrafi/