LAJMI I FUNDIT:

Në Serbi u arrestua Mishkoviqi, po në Kosovë a ka të tillë?!

Historia është mësuesja e jetës dhe strehë për idealistët ose përkthyer në shqip: budallenjtë!
Historinë e kanë bërë dhe ribërë moralistët, të ndershmit, atdhetarët, filantropët, kokat gjeniale që e kanë ndryshuar botën duke ua ndriçuar rrugën njerëzimit, shpeshherë duke e sakrifikuar veten!

Në kohën para, gjatë dhe pas inkuizicionit dhe fushatave të ndryshme të dhunës, në stivat me drunj ua kanë vërë flakën kryesisht atyre që kanë parë më larg se zjarrvënësit, përkatësisht atyre që kanë paraparë se çfarë procese do të ndodhin pas qindra vjetësh!


Ndërkaq, historinë e kanë shkruar dhe rishkruar kryesisht horrat të politikës dhe intelektualët e padinjitetshëm të shndërruar në shërbyes të këtyre horrave, që së bashku kanë formuar një duzinë horrash.

Kështu ishte dikur, por nuk e di nëse kam guxim të them se kështu është edhe sot! Po e lë çështje të hapur përmbajtjen kuantitative të horrllëkut dje dhe sot. Disa popuj gjatë këtyre zhvillimeve janë treguar më pragmatik dhe më praktik se popujt tjerë kur kanë qenë në pyetje mbrojtja e interesave kombëtare dhe shtetërore. E kanë luajtur lojën që është kërkuar në atë kohë, ndonëse këto veprime kanë qenë në kundërshtim të plotë me moralin, traditën dhe botëkuptimet nacionale të kohës.

Serbët ishin ata që ditën t’i luajnë lojërat e kohës. Në Stamboll, në çardakun e sulltanit dërgoheshin me radhë kokat e obrenoviqëve dhe karagjorgjeviqëve të prera nga vet serbët, për të dëshmuar përkushtimin dhe përuljen ndaj Sulltanit dhe sundimit të tij. Mos të flasim se si pasurohej haremi i sulltanit me bija, motra dhe gra të sundimtarëve serbë! Për të dëshmuar përkushtimin dhe përuljen ndaj Sulltanit dhe pushtetit të tij!

Njësitë më elite dhe më besnike të ushtrisë turke ishin jeniçerët, e që në fakt ishin fëmijë sllavë të cilëve përmes shpëlarjes së trurit arrinin t’i bënin më turq se sa vetë turqit! Si dikur shqiptarët që i shërbenin Jugosllavisë dhe Serbisë e të cilët bëheshin më jugosllavë se vet jugosllavët dhe më serbë se vet serbët! Edhe sot mbetjet e tyre që janë gjallë dhe trashëgimtarët e tyre po bëhet më shqiptarë se vet shqiptarët! Dhe po kanë shumë sukses!

Atëherë serbët arrinin dy qëllime: përmes bindjes ndaj Sulltanit dhe sundimit të tij fitonin favore politike, ndonëse në skenën e brendshme ua hiqnin kokat kundërshtarëve të tyre. E luftonin konkurrencën për pushtet! Ndonëse shumica ishin çetnikë serbët vet e vranë babanë e rezistencës çetnike serbe, gjeneralin Drazha Mihailoviq. Më vonë e rehabilituan kur u ringjall çetnikizmi serb. E sakrifikuan edhe atë që donte ta bënte shtetin serb sipas parimit “Serbia do Tokia” (Serbia deri në Tokio – kryeqyteti i Japonisë), Sllobodan Millosheviq, të cilin duarlidhur e dërguan në burgun e Hagës.

E vranë Baxhën, Stanishiqin, Arkanin dhe e arrestuan Lleginë! Të gjithë këta vranë dhe arrestonin për interes të shtetit serb! Vet Serbia e krijoi imperinë financiare të vëllezërve Kariq dhe vet Serbia e rrënoi përtokë kur nuk kishte nevojë për kariqët. Nga e gjitha këto veprime Serbia nxori përfitime politike dhe materiale!

Sulltani i Turqisë, një ndër shteteve të para që ua njohu pavarësinë ishte pikërisht shteti serb, në ndërkohë që shqiptarët që kërkonin të drejta dhe liri i mbyti në gjak! Pas 500 vjet sundimi të egër mbi ne! Dhe tash po kërkojnë të mos flasin për robërinë 500 vjeçare nën turqit, por për miqësinë dhe vëllazërinë e përjetshme! Prandaj, edhe po e okupojnë Kosovën materialisht (përmes privatizimit), në planin kulturor përmes serialeve “pleh” dhe emocionalisht përmes Tarkanit dhe Ibrahim Tatlisesit!

Serbia gjithmonë kur ka vlerësuar se fiton në planin ndërkombëtarë, ka hequr koka në planin kombëtar! Kohën e fundit ishte miliarderi serb Mishkoviq, pronar i kompanisë Delta Holding. Evropa kërkoi dëshmi se Serbia po e lufton korrupsionin si kusht për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësimin në BE. U pre koka e Mishkoviqit. Si dikur kokat e obrenoviqëve dhe karagjorgjeviqëve që dërgoheshin në Stamboll. Kjo e Mishkoviqit do të dërgohet në Bruksel!

Serbët po e luajnë lojën, ndërsa ne po ngulemi! Në pamundësi të lëvizin në shtetet tjera, për shkak se na mungon Shengen Viza, po ngushëllohemi me një vikend në Muçiverc te Ziza. Pa Viza! Për arrestimin e Mishkoviqit më shumë do të qajnë kosovarët se serbët e Serbisë! Në Serbi e eliminuan si njeri me ndikim në politikbërje dhe vendimmarrje. Si dhe, për shkak se caktonte përbërjen e Qeverisë dhe caktonte në poste të rëndësishme njerëz të vet.

Edhe në Kosovë i kishte njerëzit e vet. Në biznes dhe politikë, në media dhe në shoqëri civile! Ata do ta ndjejnë mungesën e tij! Mos të flasim për Shqipërinë. Atje e blenë gjysmën e Shqipërisë dhe të gjithë politikanët që i duheshin. Bizneset më fitimprurëse në Shqipëri i kontrollonte Mishkoviqi me (s)piunët e tij! Po më duket se po i shoh së bashku Berishën dhe Fazlliqin duke vuajtur me lot këtë arrestim! Zoti u dhashtë gajretin!

Mishkoviqi u arrestua sepse dyshohet se paska bërë dallavere në procesin e privatizimit. Procesi i privatizimit i ka sjellë shumë para Serbisë. Vetëm fabrika për përpunimin e duhanit në Nish i është shitur “Philip Morrisit” më shtrenjtë se të gjitha asetet e privatizuara deri tash në Kosovë. Prandaj, shpresoj dhe uroj që disa ministra që e kanë shkërdhyer pasurinë e Kosovës dhe të qytetarëve të saj të dalim para gjyqit. Sot, nesër ose më vonë. Vetëm të mos i shpëtojnë dorës së drejtësisë.

Ata, përveç shpërdorimit duke shitur pasurinë për një grusht dollarë apo euro, në fakt duhet të akuzohen edhe për tradhti kombëtare, sepse e kanë dëmtuar Kosovën në aspektin strategjik! Këta është dashtë të arrestohen moti! Jo të mbrohen apo të vishen me fuqi politike! Rasti i Dino Ascinajt nuk duhet të përdoret si “raport i auditorit të pavarur” me të cilën do të mbuloheshin krimet gjatë proceset të privatizimit, por si material dëshmues për zbardhjen e keqpërdorimeve kolosale gjatë procesit të privatizimit në Kosovë! Në të cilën kanë bashkëjetuar dhe bashkëpunuar për mrekulli hajnat ndërkombëtarë dhe kombëtarë

! Kroacia e prangosi dhe dënoi Sanaderin, shkaku se e detyruan nga BE, ndonëse dikur Sanaderi ishte benjamin i Evropës. Serbia e prangosi Mishkoviqin. Mali i Zi dhe Maqedonia po punojnë në atë drejtim, ndërsa Shqipëria dhe Kosova hajninë e kanë ambalazhuar me pupla të patriotizmit, andaj nuk duan ta heqin një pupël të vetme! Të mos duket e vërteta në tërë lakuriqësinë e saj! Sepse, nën puplat patriotike do të shfaqej një hajni ordinere. Prandaj, jemi bira e fundit e kavallit evropian! Dhe të tillë do të mbesim edhe për aq kohë sa do t’i hyjnizojmë injorantët dhe hajdutët!

***

Temperaturat e larta në strofullin e Gjarprit: Ramushi u kthye nga Haga. Dhe mirë u bë që u kthye. Sepse, ishte luftëtar i pashoq. Nuk e bënte luftën as në prapavijë, as në Tiranë e as duke mrizuar!

Pas përfundimit të luftës në një konferencë në Budva të Malit të Zi, disa oficerë dhe sigurimca të ikur nga Kosova deklaronin se “Ramush je veliki borac. On nam je j….majku” (Ramushi është luftëtar i madh. Ai na ka shkërdhyer nanën ). Edhe kur ushtarët e Tahir Zemës ikën në Shqipëri, për ta çliruar Kosovën, Ramushi me një grusht luftëtarësh e vazhdoi luftën. Deri në fitore. Definitivisht Ramushi ishte i madh në luftë!

U gëzuan të gjithë. E pritën mirë të gjithë. U gëzua sidomos partia e tij e cila ishte lodhur shumë. E cila shkonte drejt varrezave ku ishin varrosur ORA e Vetonit, PLK e Gjergjit, Alternativa e Editës, Socialdemokratja e Kaqushës. Demokristianët e nuk di të kujt, sepse ishin disa pronarë të saj, LDD e Amkademik Dacit dhe FER-i i Dellit etj. U gëzuan mediat elektronike dhe të shkruara, shoqëria civile me orientim “kombëtar” dhe sidomos EULESH, një mision i falimentuar ndërkombëtar!

U hidhëruan shumë ivanoviqët e Mitrovicës, serbët e Serbisë, qeni i Zhivadinit dhe një ministër në Qeverinë multietnike të Hashimit! Edhe në Shqipëri u dekorua për trimëri dhe u shpall Qytetar Nderi, që në fakt ishte pjesë e folklorit patriotik, pasi u është futur në xhep ndonjë metelik! Aq kanë vlerë këto mirënjohjet që ndahen në Shqipëri sipas parimit “unë të shpall Qytetar Nderi ose Kontribues të Shekullit Kombëtar për 100, 500 apo 1000 euro apo dollarë”.

Unë mbeta pa u dekoruar dhe pa mirënjohje. Kam dëgjuar se mund të dekorohem nga Kuvendi i Hajkobillës, sepse duke shkruar për të kam kontribuar në planin afirmativ. Jam budalla i madh. E pranoj! Kam mundur të shkoj te Presidentja e Kosovës dhe ta lus të më ndajë ndonjë mirënjohje apo dekoratë!

Unë së paku do të lusja! Disa të tjerë vet e kanë caktuar formatin dhe përmbajtjen e dekoratës. Duke organizuar edhe konferencë për media! Pastaj, kam mundur të marrë 500- 1000 Euro dhe të shkoj ne Shqipëri. Me këto para do t’i merrja së paku 10 dekorata e 11 mirënjohje, si p.sh. Çoban i certifikuar i Kurveleshit , zëvendëskomisar i Brigadave Proletare te Martaneshit, Trashëgimtar i Fronit Mbretëror në Egjipt i Ahmet Leshit, Përgjegjës i Zjarrfikësve në Kurbin, Udhëheqës i Zjarrvënësve në Peçin, Kryeplak në Mallakastër, Zëvendës i Janullatosit në Gjirokastër, si dhe ca mirënjohje në Tiranë, Lezhë, Durrës, Fier dhe Elbasan. Mjafton t’u lë një bakshish të vogël në sahan!

Vërtet kjo çështje e dekoratave dhe mirënjohjeve u degjenerua dhe degradua në atë masë sa marrja me plasë! Prandaj, ç’më duhen këto dekorata dhe mirënjohje të porositura dhe falsifikuara e kinse me ar, nder, burrëri dhe merita te praruara !

Ramushi duket sa ka fituar kondicion për garë politike! Jo për maratonë, por për një sprint të shpejtë. Po takohet me të gjithë: majtas, djathtas, para dhe mbrapa! Pa dallime! Mirë po bën. Po punon për zgjedhjet e ardhshme. Disa po thonë se Hashimi i Paqes dhe Gjarpri i Luftës do ta shkrijë apo do ta djeg politikisht. Sikur tjerët që i paska djegur. Përmenden Gjergja, Fatmira (Sejdiu dhe Limaj), Zezdita etj. si dhe kinse po bëhet gati ta vë në stivën e drunjve edhe Gjet Pacollin për ta bërë hi politikisht.

Mendoj se e kanë shumë gabim! Askush nuk mund të djegë nëse vullnetarisht nuk i afrohesh zjarrit. Populli e ka një thënie filozofike të përjetshme: “Kush ngutet, merr në thua dhe përfundon në përrua”! “Dëshira” e Hashimit për të pasur Ramushin në koalicion dhe “dëshira” e Ramushit për koalicion me Hashimin e ka një burim dhe prapavijë tjetër. Kjo ngjizje e dashurisë së vonuar për koalicion, për ndrikulla kanë ndërkombëtarët. Për disa hiena të AAK-së ky koalicion është shpëtim. Ringjallje politike dhe mëkëmbje ekonomike! Po një gjë nuk e kam të qartë lexues të nderua: ndonëse thonë se në strofullin e Gjarprit shkrihen edhe akullnajat e Arktikut dhe Antarktikut, ndonëse digjen ata që hyjnë në strofull, pse të gjithë presin me radhë para strofullit të Gjarprit?! Madje kërkojnë të hyjnë pa radhë! Më shumë po e duan Krematoriumin Politik të Gjarprit se Flladin apo Mrizin e Amshueshëm shumëvjeçar në Partitë e tyre politike!

Vërtet interesant! Nga aspekti i arsyes e pakuptueshme, ndërsa nga aspekti i qasjes në Grazhd materialisht e pranueshme dhe moralisht e padiskutueshme!

Në trend

Më shumë
Portieri i Real Madridit u ndihmua nga bashkëlojtarët e tij para pritjes së penalltisë së Kovacicit, njëri luajti rol kyç

Portieri i Real Madridit u ndihmua nga bashkëlojtarët e tij para pritjes së penalltisë së Kovacicit, njëri luajti rol kyç

Liga e Kampionëve
Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Një fotografi e Kim Kardashianit nga pushimet ka shkaktuar të qeshura në internet, për shkak të detajit të pakuptimtë të saj

Një fotografi e Kim Kardashianit nga pushimet ka shkaktuar të qeshura në internet, për shkak të detajit të pakuptimtë të saj

Magazina
Tifozët e Arsenalit gjetën justifikimin për humbjen: Bayern mashtroi Topçinjtë me një truk

Tifozët e Arsenalit gjetën justifikimin për humbjen: Bayern mashtroi Topçinjtë me një truk "të pistë"

Liga e Kampionëve
Lojtarët e Barcelonës e kanë ndjekur Mbappen në tunel pas humbjes nga PSG

Lojtarët e Barcelonës e kanë ndjekur Mbappen në tunel pas humbjes nga PSG

Liga e Kampionëve
Makina larëse harxhon dy herë më shumë energji elektrike për shkak të një gabimi që bëjmë

Makina larëse harxhon dy herë më shumë energji elektrike për shkak të një gabimi që bëjmë

A e dini se...
Kalo në kategori