LAJMI I FUNDIT:

Në gjashtëmujorin e parë, në Podujevë janë ndërtuar 13 kilometra trotuare

Në gjashtëmujorin e parë, në Podujevë janë ndërtuar 13 kilometra trotuare

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka inspektuar sot punimet në ndërtimin e trotuarit me kubëza në segmentin rrugor të magjistrales Podujevë – Shtedim dhe në fshatin Shajkoc.

Në kuadër të realizimit të projekteve të infrastrukturës në Komunën e Podujevës, aktualisht janë duke u realizuar dy projekte të ndërtimit të trotuareve me kubëza dhe janë finalizuar disa të tjera.


Për të përcjellë nga afër punimet, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, vizituan segmentin rrugor në magjistralen Podujevë-Shtedim, dhe në fshatin Shajkoc, ku janë duke u ndërtuar trotuaret.

Me këtë rast kryetari Veliu tha se krahas ndërtimit të infrastrukturës rrugore, një nga prioritetet e Ekzekutivit vazhdon të jetë edhe ndërtimi i trotuareve.

“Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kemi ndërtuar 13 kilometra trotuare me kubëza, në disa segmente rrugore në lokalitete të ndryshme. Me ndërtimin e trotuarve po krijojmë kushte për lëvizje më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët dhe veçmas për nxënësit”, tha kryetari Veliu.

Përveç trotuareve në segmentin rrugor të magjistrales Podujevë – Shtedim dhe fshatin Shajkoc, ku aktualisht janë duke u zhvilluar punimet, ditë më parë ka përfunduar ndërtimi i trotuarit në fshatrat Batllavë dhe Llugë. /Telegrafi/