LAJMI I FUNDIT:

Ndërrimi sezonal i qimeve te kafshët

Ndërrimi sezonal i qimeve te kafshët

Çfarë është procesi i ndërrimit të qimeve dhe si zhvillohet? Sa zgjatë ky proces dhe cilët janë faktorët që ndikojnë në të? Çka duhet bërë pronari gjatë këtij procesi?

Dvm. Fisnik Vejsa,
mjek veterinar
tel. 045 789 900


Gjatë kësaj periudhe të gjithë adhuruesit e manarëve hasin me procesin e ndërrimit të qimeve tek manarët e tyre. Proces që adhuruesit të rinj e marrin me frikë, kurse adhuruesit e vjetër me përvojë e presin të përgatitur.

Ndërrimi i qimeve është një proces fiziologjik, proces me të cilin qimet e vdekura zëvendësohen me ato te reja, ku mbulesa e qimeve bëhet më e ndritshme dhe më e bukur.

Në natyrë, në përgjithësi, ndërrimi i qimeve tek kafshët ndodh dy herë në vit, gjatë pranverës dhe vjeshtës për të krijuar mbulesë verore dhe dimërore të qimeve adekuate.

Ndërrimi i qimeve është proces që zgjatë 18 deri në 21 ditë, varësisht nga lloji i qimeve të shkurta apo të gjata.

Ky proces i ndërrimit të qimeve është pjesë i një cikli më të gjatë, i cili kalon nëpër tri faza:

– Anagen ose faza e rritjes së qimeve, ku gjatë kësaj faze qimja rritet 0.3 mm në ditë;
– Catagen ose faza e pushimit, ku gjatë kësaj faze pushon rritja e qimeve dhe kjo fazë zgjatë për 130 ditë;
– Telogen, fazë gjatë të cilës bie qimja dhe zgjat prej 18 deri në 21 ditë;

Ndërrimi i qimeve zakonisht fillon nga ana e pasme e trupit duke vazhduar në drejtim të kokës, ku mbulesa dimërore është më e dendur nga ajo verore për të mbrojtur nga të ftohtit. Por, në përgjithësi, dendësia e qimeve varet nga raca e qenve dhe mosha e tyre.

Tek manaret (qeni dhe macja) që gjatë tërë vitit qëndrojnë në një temperaturë konstante, ndërrimi i qimeve ndodh gjatë tërë vitit në mënyrë konstante duke mbajtur sasinë e nevojshme të qimeve për atë temperaturë.

Në rast se kohëzgjatje e ndërrimit të qimeve vazhdon, tregon që diçka nuk është në rregull, ose diçka po ndodh në organizëm. Ndërrimi i qimeve me kohë më të zgjatur se zakonisht ndodh për shkak të çrregullimeve hormonale, sistemit imunitar të ulët; për shkak të sëmundjeve të tjera, mungesa e vitaminave (kryesisht vitaminë A dhe biotin), cilësisë së dobët, ushqimit të pamjaftueshëm; ndërhyrjeve kirugjikale (p.sh., sterilizimi/kastrimi).

Për këtë arsye, rekomandohet që në çdo dyshim gjatë kësaj periudhe, të vizitohet veterineri më i afërt.

corbis_rm_photo_of_vet_examining_dog

Në praktikën veterinare, më së shpeshti ndeshemi tek qentë, kurse më rrallë tek macet me fenomenin e ndërrimeve drastike të temperaturave të ambientit. Shembull mund të merren kafshët, që netët e dimrit i kalojnë brenda shtëpisë, afër burimeve të nxehtësisë, ndërsa ditën rrinë jashtë, në temperatura të ulëta.

Ndryshime të tilla të papritura në temperaturë, gati njëzet gradë celsius është një goditje për qimet dhe lëkurën. Kësisoj, mbulesa e qimeve bëhet e thatë, e brishtë, e çrregullt dhe për një kohë të shkurtër, ndodh që qeni, pothuajse, humb një sasi të madhe të qimeve.

Nëse keni një problem të tillë, pyeteni veterinerin tuaj se cilat preparate dhe vitamina duhet dhënë gjatë vjeshtës, që, pastaj, gjatë sezonit dimëror, mbulesa dhe lëkura e kafshës suaj, të ruajë freskinë dhe kualitetin e tyre.

Kujdesi gjatë këtij procesi konsiston në krehje ditore me mjetet adekuate për llojet e qimeve dhe kozmetiken që përdoret gjatë kësaj kohe. Kjo do të ndihmojë largimin sa më të shpejtë të qimeve të vdekura, gjë e cila do të bëjë mbulesën e kafshës suaj më të shëndoshë dhe më të ndritshme.

Pavarësisht nga procesi i ndërrimit të qimeve, krehja duhet të jetë obligim ditor ndaj manarit tuaj, bëhet largimi i qimet e tepërta dhe përmirësohet qarkullimi i gjakut në lëkurë.

Mos harroni! Krehjen e filloni nga koka në drejtim të bishtit dhe mos u bëni merak se, qentë dhe macet pas krehjes, shkunden. Kjo ndihmon që qimet të palosen në mënyrë natyrale.

cat-bath

Krahas krehjes, rol të veçantë ka edhe larja e manarëve tuaj. Pastrimi duhet kryhet me shampon të veçantë për secilën kafshë, kurse tharja e parë e mbulesës duhet kryhet me peshqir dhe pastaj të përdoren tharëset elektrike.

Dhe, për fund nga një fjali e urtë për kafshët, kësaj radhe për qentë: ‘nuk ka qen të keq, por pronar të keq’. /Telegrafi/