LAJMI I FUNDIT:

NBA, vazhdon dueli për MVP ndërmjet Westbrook dhe Harden

NBA, vazhdon dueli për MVP ndërmjet Westbrook dhe Harden

Russell Westbrook ka dhuruar një tjetër performancë magjike në “Pepsi Center” të Denverit, ku ishte vendimtar në fitoren e ngushtë 104 – 105 të Oklahoma City Thunder ndaj Denver Nuggets.

Ylli i Thunder realizoi 50 pikë, dha 10 assite dhe kontrolloi 16 topa poshtë koshit, për t’i dhënë fitoren e 46-të sezonale skuadrës së tij. I jashtëzakonshëm edhe italiani Gallinari, që shënoi 34 pikë për Denverin, që me këtë humbje ndoshta të pamerituar, mbetet jashtë zonës Play Off në Konferencën e Perëndimit


James Harden mban gjallë garën për MVP e sezonit, duke iu përgjigjur Westbrook me statistika të frikshme në fitoren 128 – 135 të Houston Rockets ndaj Sacramento Kings. Ylli i Rockets për herë të 21-të në këtë sezon arriti dopio shifra në tre aspekte të lojës: Realizoi 35 pikë, dha 15 asiste dhe kontrolloi 11 topa poshtë koshit. Anderson shtoi 21 pikë për Houston, ndërsa në radhët e Sacramentos spikati Labissiere me 25 pikë. Në fakt, në “Golden 1 Center” të Sacramentos Harden me shokë nuk e vunë asnjëherë në diskutim fitoren, duke udhëhequr deri +20 pikë, megjithatë në periodën e fundin lëshuan pak terren, që gjithsesi nuk e rrezikoi suksesin e 54 sezonal, transmeton SuperSport.

Los Angeles Lakers arriti suksesin e katërt radhazi, këtë radhë 110 – 109, ndaj Minnessota Timberwolves, falë një trepikëshi të D’Angelo Russell në sekondat e fundit. Në fakt në Staples Center spikati dyshja Wiggin – Towns me 81 pikë në total, por fati ishte me Lakers që fitoi me vetëm një pikë diferencë.

Memphis Grizzlies iu imponua 90-103 Detroit Pistons, por ky sukses nuk ndryshon asgjë për skuadrën nga Michigani, që ka mbetur jashtë zonës Play Off. Nga ana tjetër Grizzlies e kanë siguruar pjesëmarrjen në Play off me vendin e shtatë.

Phoenix Suns fitoi 124-1111 me Dallas Mavericks, i udhëhequr nga Warren, Booker dhe Uilis, që realizuan nga 21 pikë secili. Ndeshja mori rrjedhë të pakthyeshme që në periodën e parë me Suns që falë një rezultati të pjesshëm 17-0 e mbyllën këtë periodë 40-29. Mavericks u kthyen në lojë në periodën e dytë duke e mbyllur pjesën e parë 68 – 65. Në pjesën e dytë Suns rritën ndjeshëm ritmin duke triumfuar në fund me 13 pikë diferencë.