LAJMI I FUNDIT:

MZHE parasheh 3 miliardë euro investime në sektorin e energjisë

MZHE parasheh 3 miliardë euro investime në sektorin e energjisë

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) në dhjetë vitet e ardhshme ka paraparë investime të shumta në sektorin e energjisë. Të paktën 3 miliardë euro parashihen të investohen në Kosovë në dhjetë vitet e ardhshme. Kështu parashihet në Strategjinë dhjetëvjeçare të MZHE-së për energjinë e miratuar javën e kaluar në Qeverinë e Kosovës.

Për arritjen e objektivit të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem elektroenergjetik stabil MZHE ka planifikuar që vetëm në Objektivin e parë të investoj të paktën më shumë se gjysmën e kësaj shume të parapara, që do të mundësonin sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil elektroenergjetik.


“Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm, cilësor, të sigurt dhe të pandërprerë me energji elektrike është një prej kushteve kryesore për zhvillimin e një vendi. Ky problem është bërë një problem akut në Kosovë dhe kërkon një zgjidhje urgjente, ndonëse është mjaft e kushtueshme për vetë natyrën e investimeve të nevojshme”, thuhet në Strategji.

Për të plotësuar caqet dhe obligimet në efiçiencë të energjisë, burime të ripërtëritshme të energjisë dhe mbrojtje të mjedisit MZHE parasheh që të investojë mbi 700 milionë euro.

Në dhjetë vitet e ardhshme, MZHE ka planifikuar që të investoj rreth 45 milionë euro në programin e veprimit për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë.

Kjo ministri ka planifikuar që të rritë kapacitetet ekzistuese të sistemeve termike dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja që të shmang përdorimin e energjisë elektrike për ngrohje të hapësirave që është barrë e madhe për sistemin elektroenergjetik. Trajtimi i energjisë termike për ngrohje nëpërmjet sistemeve qendrore është një prej objektivave kryesore të sektorit të energjisë në Kosovë ku janë paraparë të investohen rreth 200 milionë euro. /Telegrafi/