LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Simbolet e propozuara nga presidenti Rugova, t’i bëjmë shtetërore

Mustafa: Simbolet e propozuara nga presidenti Rugova, t’i bëjmë shtetërore

Lidhja Demokratike e Kosovës shënoi sot 23 vjetorin e themelimit të saj. Me këtë rast u tha se për shumë vite me radhë, LDK-ja ishte më tepër se një parti, ishte lëvizje gjithë popullore, e cila mbrojti vlerat kombëtare. Kreu i LDK-së, Mustafa, veç tjerash në këtë përvjetor, theksoi se me kjo parti do të angazhohet që simbolet e propozuara nga ish presidenti Ibrahim Rugova, të jenë simbole shtetërore.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se kjo parti lindi në kohën kur po binte një sistem tragjik për Kosovën dhe për popullin shqiptar. Ai më tej theksoi se LDK-ja ka ide dhe programe se si të tejkalohet kolapsi zhvillimor i Kosovës dhe të hapet perspektiva e vendit.

“LDK-ja do të luftojë për konceptin e shtetit në të cilin demokracia do të ngritet mbi bazat e zhvillimit ekonomik dhe social dhe në të cilin puna do të bëhet kriter i pasurisë dhe jo korrupsioni dhe abuzimi i parasë publike”, ka thënë Mustafa.


Kreu i LDK-së, Mustafa, veç tjerash në këtë përvjetor, theksoi se me kjo parti do të angazhohet që simbolet e propozuara nga ish presidenti Ibrahim Rugova, të jenë simbole shtetërore.

“LDK do të bëjë realitet bashkë me qytetarët e vendit, që flamuri i Dardanisë, faluri i Ibrahim Rugovës, të jetë flamur zyrtar i Republikës së Kosovës. Ndërsa, himni i propozuar nga presidenti Ibrahim Rugova, ‘Kur ka ra kushtrimi në Kosovë’, të jetë himn i Republikës së Kosovës”, transmeton RTK.

E, nënkryetari i LDK-së, Sabri Hamiti tha se 23 dhjetori i vitit 1989, shënon edhe fillimin e pluralizmit politik në Kosovë. Ai po ashtu theksoi se për dallim nga sot, para mëse dy dekadash, Kosova u orientua kah shtrati politik evropian me program strategjik të orientimeve euroatlantike.

“Kosova ende është larg realizimit të synimeve të programeve e të standardeve dhe vlerave evropiane që kërkojnë konkurrencë, vlera humane e autentike, e jo rrjete të korrupsionit e të krimit të organizuar, qofshin këto jo formale apo formale”, tha Hamiti.
Lidhja Demokratike e Kosovës u themelua më 23 dhjetor 1989 dhe për 14 vjet u udhëhoq nga lideri i saj Ibrahim Rugova. Si hap i rëndësishëm i këtij subjekti politik konsiderohet edhe anëtarësimi i saj, gjatë këtij viti, në Partinë Popullore Evropiane. Ndërkohë, udhëheqësit e LDK-së, kërkuan edhe një herë ndriçimin e të gjitha vrasjeve të anëtarëve të saj pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Me rastin e përvjetorit të 23, udhëheqësit e këtij subjekti politik bënë homazhe te varri i presidentit historik dhe kryetarit shumëvjeçar të kësaj partie, Ibrahim Rugova. /Telegrafi/