LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Kosova mund të përfitojë nga fondet e BE-së

Mustafa: Kosova mund të përfitojë nga fondet e BE-së

Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, i cili po merr pjesë në Samitin e Triestes, ka thënë se takimet që ka zhvilluar janë të një rëndësie të veçantë, pasi është një prezencë e shteteve më të rëndësishme të vendeve evropiane dhe kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në një intervistë për RTK, Mustafa ka shpjeguar se në Samit mbizotëroi tema e bashkëpunimit ekonomik, ku u kërkua që të kalohen problemet zhvillimore dhe po ashtu u kërkua bashkëpunim ekonomik, pa u cenuar sovraniteti i asnjë shteti.


“Vazhdimi këtyre takimeve, të cilat kanë filluar në Berlin, është i rëndësishëm, pasi që komunikojmë së bashku dhe të zgjidhim problemet që kemi”, tha Mustafa dhe shtoi se prania e udhëheqësve më të lartë evropian, është një mesazh i mirë për vendeve e Ballkanit Perëndimor dhe është interes i fuqizimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e saj për integrim në BE.

Mustafa shtoi se Kosova mund të përfitojë në disa fusha me praninë e saj në këtë samit.

“Mund të përfitojmë në tërheqjen e përbashkët të investimeve të Bashkimit Evropian, mund të përfitojmë në fonde të BE-së për ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe në fushën e Teknologjisë Informative në procesin ekonomik”, ka thënë ai.