LAJMI I FUNDIT:

Muri tek Ura e Ibrit, indikacion për tensionim të situatës!

Muri tek Ura e Ibrit, indikacion për tensionim të situatës!
-->

Ndërtimi i një muri të betonit nga autoritetet serbe përball Urës së Ibrit që ndan etnikisht qytetin kosovar të Mitrovicës ngjalli reagime të shumta në opinion.

E pas këtyre reagimeve të shumta, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor sot ka dhënë vendim për ndërprerjen e punimeve të murit në pjesën veriore për të shikuar se ky mur a është pjesë e planit për rivitalizimin e Urës së Ibrit apo jo.

Mirëpo, gjatë ditës, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka bërë matje gjeodezike dhe ka ardhë në përfundimin se perimetri i murit rrethues të rrethrrotullimit nuk është pengues për sheshin, merr vesh Telegrafi.

Kështu, sipas kësaj i bie që është hedhur poshtë vendimi i Ministrisë së Planifikimit Hapësinor për rrënimin e tij.

Njohës të çështjeve të sigurisë, ndërtimin e këtij muri e shohin si indikacion të tensionimit të situatës.

Kështu ka thënë për Telegrafin eksperti i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani.

“Ndërtimi i murit në anën veriore të urës së Ibrit është indikacion për tensionim të situatës. Qartësisht, besoj se niveli i tensioneve të deritashme mund të rritet në vazhdimësi nëse qasja e përbashkët e Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar nuk arrin të ketë sukses”, ka thënë Ramadani.

Ai ka theksuar se muri duhet të hiqet dhe kjo duhet të bëhet në mirëkuptim me komunitetin e atjeshëm dhe me ndihmën direket të partnerëve ndërkombëtarë.

Problemi kryesor, sipas tij, është se nuk është reaguar paraprakisht, qysh në ditën kur ka filluar të ndërtohet muri.

“Situata para aktit të kryer zakonisht nuk i kanë ndihmuar konsolidimit të shtetit të Kosovës në mënyrë të qetë dhe stabile”, thotë Ramadani.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka theksuar se është dashur ende pa filluar themeli i këtij muri, strukturat e sigurisë t’i raportojnë Qeverisë së Kosovës se çfarë po ndërtohet.

Ai më tej ka shtuar se në këtë kontekst menjëherë ngjallen dyshimet se a ka qenë në dijeni Qeveria e Kosovës se po ndërtohet muri.

“Nëse institucionet e Kosovës kanë qenë në dijeni se po ndërtohet ky mur, atëherë përse ky reagim kaq i vonshëm, a është dashur të pritet reagimi i opinionit apo përse nuk është reaguar dhe në fund na del se prapë do të bëhet kompromis”, ka thënë Islami për Telegrafin, duke shtuar se kështu po i bëhen favore Serbisë.

Ai ka theksuar se në pjesën veriore funksionon sistemi i Serbisë dhe atyre njerëzve të cilët sipas tij po mbrojnë interesat e Rusisë.

Njohësit e sigurisë kanë theksuar se institucionet e Kosovës duhet të tregojnë maturi në zgjidhjen e këtij problemi. Ndërkaq, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Maja Kocijancic, ka thënë se muri që u ndërtua në Urën e Ibrit në Mitrovicë, do të lidhë unazën me zonën e këmbësorëve.

Ajo ka theksuar se nuk do të jetë mur, por një shkallë që lidhë unazën me zonën e këmbësorëve.

Në anën tjetër kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka këmbëngulur se ngritja e murit në cep të urës në veri është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, dhe se për këtë kanë qenë të njoftuara institucionet kosovare, kompanitë ndërtimore dhe përfaqësuesit e BE-së.

Kurse, kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri ka theksuar se muri është ilegal dhe se i njëjti do të rrënohet.

E i pari i qeverisë, Isa Mustafa gjatë ditës së djeshme deklaroi se çështja e ndërtimit të këtij muri do të trajtohet sipas ligjeve në fuqi, dhe se nuk kemi nevojë ta qesim gjoksin dhe nuk do t’i tregojmë muskujt. /Telegrafi/