LAJMI I FUNDIT:

Mungojnë politikat për thithjen e investimeve të jashtme

Ditëve të fundit, institucionet tona po dalin me deklarata qesharake. Po krenohen për prurjen e investitorëve në Kosovë. Në disa gazeta ditore po bëjnë bombardime rreth punës së mirë të qeverisë dhe politikave që po i bëjnë institucionet tona për prurjen e investimeve. E kemi rastin e PTK-së, KEK-ut, Trepçës…

Unë nuk jam përkrahës i mos privatizimit, mirëpo kjo Qeveri është e korruptuar deri në atë masë saqë korrupsioni ka hyrë në të gjitha institucionet. Po ashtu, problemi i Mitrovicës, ngecja e njohjeve të jashtme, mos anëtarësimi në organizata ndërkombëtare kreditore të fuqishme… Çka do të thotë kjo? Ne si vend nuk do të kemi zhvillim ekonomik nëse vazhdojmë me këta trendë.

Tregu i vogël, imazhi i keq në botë, proceset e stërzgjatura të privatizimit, janë vetëm disa faktorë që ndikojnë në mosardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Parakusht i domosdoshëm për rritje ekonomike në çdo vend, e veçmas për Republikën e Kosovës, është qeverisja efektive e ndërlidhur me prioritetet e qarta në sferat në stabilitetin politik dhe sundimin e rendit dhe ligjit në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, administratë, në luftimin e dukurive negative, në politikën monetare, në integrimet politike ekonomike. Pra, të gjitha këto sfera ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen ekonomike.

Për shembull, pa stabilitet politik, akterë të së cilës janë subjektet politike dhe liderët e përgjegjshëm, të ndershëm e profesional, dhe pa sundimin e rendit e ligjit, nuk ka investime serioze afatshkurta, as afatgjata, nga investitorët e brendshëm dhe të jashtëm. Nga ky stabilitet politik e juridik, varen edhe qëndrimet e organizatave ndërkombëtare politike e financiare, si dhe qëndrimet e vendeve të ndryshme.

Të gjithë kërkojnë shtete të forta, pra aty ku sundon rendi dhe ligji. Pa arsim cilësor në të gjitha nivelet, që ndërlidhet më nevojat momentale dhe të ardhme të punës në Kosovë dhe tregut të jashtëm të punës, nuk mund të ketë rritje ekonomike. Pa investime qeveritare të mirëfillta në infrastrukturë, nuk ka rritje ekonomike. Vetëm më tenderë të pa korruptuar dhe më partneritet publiko-privat të mirëfilltë, mund të krijohet infrastrukturë e mirë për rritje ekonomike.

Kosova nuk ka investime të huaja për shkak se ka të bëjë me problemin e madhësisë së tregut në Kosovë, i cili treg nuk është shumë atraktiv dhe është një treg vetëm prej një milion e tetëqind mijë banorëve dhe Kosova nuk ka qenë në gjendje të hapë tregje të tjera potenciale prej nga do të mund të plotësoheshin produktet që do të prodhoheshin në Kosovë. Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk ka bërë asgjë për tërheqjen e investitorëve. Kosova ende nuk po arrin të ndërrojë një perceptim tek investitorët për tërheqjen e investimeve.

Në Kosovë gjërat ende rregullohen prej elementeve të tjera që ndikohen prej politikës apo grupeve të ndryshme të interesit, gjë që ka ndikim të madh në tërheqjen e investitorëve të huaj. Investimet e huaja në Kosovë në radhë të parë të parë mungojnë për shkak të klimës biznesore. Investimet e huaja çdo vit janë duke rënë dukshëm, ngase pa qeverisje të mirëfilltë, demokratike e funksionale, nuk ka as liri e as zhvillim ekonomik. Dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ketë as pranime e përkrahje ndërkombëtare.

Nuk mund të ketë integrime politike e ekonomike, përderisa ne nuk jemi të aftë të qeverisim vetveten. Këto ndryshime unë i shoh që të funksionojë ligji: ndryshimet në politikat fiskale, sidomos në raport me sektorin privat, duke krijuar mundësi që përmes politikave stimulative dhe avancuese fiskale jo vetëm të luftohet ekonomia informale dhe evazioni fiskal, por edhe të stimulohen përmes këtyre politikave favorizuese të gjitha bizneset që gjenerojnë vende të reja pune. Ngase, përcaktimet zhvillimore të vendit në periudhat e ardhshme duhet që përmes politikave fiskale të bëjnë rritjen e konkurrencës drejtë ekonomisë së tregut të lirë (të fuqizohet sektori privat duke krijuar një ambient të sigurt stabil dhe efikas për bizneset e reja, posaçërisht në sektorin e bujqësisë dhe sektorët tjerë natyral të Kosovës që kërkojnë më pak shpenzime investuese e mundësojnë gjenerim të vendeve të reja të punës).

Kjo Qeveri duhet të ndryshojë politikat ekonomike, në përmirësimin e mjedisit afarist përmes zvogëlimit të procedurave burokratike, zvogëlim të konkurrencës joformale dhe korrupsionit, sundimin të ligjit. Si dhe, garantimi i mekanizmit të tregut të lirë do të ishte një parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm të ndërmarrjeve dhe ekonomisë së vendit. Nëse kjo Qeveri mendon seriozisht për zhvillim ekonomik dhe zvogëlim të papunësisë, atëherë duhet t’i lirojë nga tatimi ndërmarrjet e reja për një periudhë njëvjeçare – të stimulojë investitorët nga jashtë dhe ata vendorë që të kemi një rritje ekonomike me të shpejtë dhe më stabile.