0Shares

Burimi i kryesor i kësaj vitamine në organizëm është ndikimi i rrezeve të diellit direkt në lëkurën tonë, e cila me procese të njëpasnjëshme sintetizon këtë vitaminë joaktive e cila aktivizohet nga mëlçia dhe pastaj nga veshkat.

Ass.Merita Emini Sadiku,MD,MSc,PhD
Interniste-endokrinologe-diabetologe
Mob: 044 161 069
E-mail: merita_endo@yahoo.com

Çka është Vitamina D?

Vitamina e “rrezeve të diellit” tani është një temë aktuale në mbarë botën si një problem shëndetësor publik global i cili prek diku 1 bilion njerëz në mbarë botën. Quhet kështu, sepse, burimi i kryesor i kësaj vitamine në organizëm është ndikimi i rrezeve të diellit direkt në lëkurën tonë, e cila me procese të njëpasnjëshme sintetizon këtë vitaminë joaktive e cila aktivizohet nga mëlçia dhe pastaj nga veshkat. Në formën e saj aktive Vitamina D vepron në shumë organe dhe sisteme organesh duke mundësuar procese shumë të rëndësishme për organizmin tonë.

Pasoja kryesore e kësaj deficience është rahitisi tek të vegjlit dhe osteomalacia tek të rriturit (apo e njohur ndryshe zbutja e kockave). Por ekziston një numër i madh i çrregullimeve tjera si rezultat i kësaj mungese siç janë: sëmundjet e skeletit, muskujve, sëmundjet metabolike, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet autoimmune, sëmundjet konjitive (në sferën e njohjes, mendimit dhe kujtesës) kanceri dhe ose mortaliteti.

Shumica e njohurive tona mbi vitaminën D janë zbuluar 15 vitet e fundit, dhe duke u rritur çështjet rreth deficiencave nutritive, shumica e problemeve shëndetësore është gjetur që ka të bëjë pikërisht me vitaminën D. Korrigjimi i këtyre deficienca nuk është aq i thjeshtë. Të dhënat në këtë artikull do të ju ndihmojnë të dini gjithçka mbi beneficionet e arritjes dhe mbajtjes së vlerave optimal të vitaminës D si dhe sëmundjet të cilat shoqërohen me nivelin e ulët të saj apo deficiencen e vitaminës D.

Vitaminat janë konsideruar nutrientë esencial për shkak se ose nuk mund të krijohen nga trupi i njeriut ose ato krijohen në një sasi joadekuate. Kjo do të thotë se ju duhet t’i siguroni ato nëpërmjet dietës ose duke i marrë si suplemente. Duke qenë esenciale për shëndetin tuaj, kur ato mungojnë, mund të jenë me pasoja për shëndetin dhe mund të paraqiten si sëmundje të mirëfillta në sisteme të ndryshme organesh.

Vitamina D është një prej katër vitaminave liposolubile (A, D, E dhe K). Ekzistojnë dy forma të vitaminës D: D2 dhe D3. Vitamina D2, gjithashtu e njohur si ergokalciferol, përfitohet nga ushqimet e fortifikuara, bimët dhe suplementet. Vitamina D3 gjithashtu e njohur si kolekalciferol, përfitohet nga ushqimet e fortifikuara, ushqimet shtazore (peshku i yndyrshëm, vaji i mëlçisë së merlucit, vezët etj.) dhe suplementet, dhe gjithashtu mund të përfitohet kur lëkura juaj është e ekspozuar ndaj rrezeve ultraviolet nga dielli.

Norma ditore e kësaj vitamine përcaktohet nga Instituti i Mjekësisë së Akademisë Shkencore Amerikane si dhe Shoqata për Endokrinologji.

Simptomat e mungesës së Vitaminës D

Simptomat kryesore janë dhimbja e kockave dhe dobësia muskulore. Megjithatë, mungesa e lehtë e saj jo domosdoshmerisht shoqërohet me simptoma.

Sëmundjet skeletike – marrja e kalciumit duhet të shoqërohet me marrjen e Vitaminës D. Kjo është e nevojshme sepse Vitamina D nxit absorbimin e kalciumit në lukth dhe mban nivelin normal të kalciumit në gjakut bashkë me parathormonin (PTH) duke mundësuar kështu mineralizimin normal të kockave. Kur Vitamina D mungon mund të çojë drejt hipokalcemisë e cila mund të manifestohet edhe me konvulsione.

Pamjaftueshmëria e Vitaminës D mund të çojë drejt hiperparatiroidizmit sekondarë i cili çon drejt rritjes së humbjes kockore, osteopenisë, osteoporozës, osteomalacisë dhe rritjes së rrezikut të frakturave. Dhënia e Vitaminës D së bashku me kalcium zvogëlon rrezikun e frakturave për deri 10-15%.

Gjithashtu një avantazh tjetër i zëvendësimit të deficiencës së vitaminës D është parë në uljen e dhimbjes së gjunjëve dhe kërdhokullave.

Çdo vit një në tre njerëz mbi moshën 65 vjeç përjeton një rrëzim i cili rezulton me 5.6% të jetë frakturë nga Vitamina D zëvendësimi i së cilës mund të luaj rol në parandalim. Në SHBA dhe Evropë >40% e popullatës mbi moshën 50 vjeç ka deficiencë të vitaminës D.

Sëmundjet e muskujve -Ekzistojnë receptorë të Vitaminës D në muskuj të cilët japin efekt direkt në fortësimin e muskujve. Deficienca e rëndë e Vitaminës D shkakton miopati, e cila jep dobësim dhe dhimbje të muskujve. Zëvendësimi i kësaj Vitamine mund të përmirësojë komplet këto ankesa.

Sëmundjet kardiovaskulare – Mungesa e Vitaminës D është shoqëruar me rritje të prevalencës së hipertensionit, hiperlipidemisë, sëmundjeve vaskulare periferike, infarktit të miokardit, insuficiencës kardiake dhe insultit cerebrovaskulare.

Infeksionet – Mungesa e Vitaminës D rrit rrezikun e infeksioneve të traktit të sipërm dhe të poshtëm respirator si dhe urinar.

Depresioni – Vitamina D luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e adrenalinës, noradrenalinës dhe dopaminës në tru përmes receptorëve të tyre për Vitaminën D të vendosur në korteksin e gjëndrave mbiveshkore, si dhe efekti mbrojtës kundër rënies së serotoninës dhe dopaminës.

Gjithashtu në sëmundjet si skleroza multiple, epilepsia dhe tuberkulozi është parë të shoqërohen me mungesë të Vitaminës D.

Diabetes mellitus – është parë që pacientët me nivel mbi 25 të Vitaminës D kanë për 43% rrezik më të vogël për të zhvillua diabetin se ata me vitaminë D nën 14.

Vitamina D ka rol shumë të rëndësishëm në imunitetin e organizmit, alergjisë, apnesë së gjumit dhe uljen së kariesit dentar dhe mineralizmin e dhëmbëve.

Çka e shkakton mungesën e Vitaminës D?

– Ekspozimi i kufizuar në diell.  Edhe në vendet me klimë të nxehtë kemi prevalencë të rritur të mungesës së vitaminës D. Në Kosovë niveli i ulët i Vitaminës D prek të gjitha moshat dhe sipas parashikimeve të klinicistëve endokrinolog mungesa e saj në popullatën tone është shumë e madhe.

Ne të gjithë kemi dëgjuar për rrezikun nga kanceri i lëkurës si dhe nevojën e mbrojtjes nga rrezatimi i tepërt në mënyrë që të ruhemi nga kjo sëmundje. Këto njohuri dhe veprimet tona parandaluese kanë ndikuar në uljen e nivelit të kësaj Vitamine në organizëm.

Faktorët mbrojtës deri në 30 ulin sintezën e Vitaminës D për më shumë se 95%. Është parë që njerëzit duhet të ekspozojnë çdo ditë trupin e tyre deri ne 30% në mënyrë që të marrin Vitaminën D të nevojshme. Shumica e njerëzve mbulohen me rroba ose rrinë nën hije gjate ditëve të javës duke lënë vetëm 10-15% të trupit të tyre të ekspozuar ndaj rrezeve, duke bërë që të mos jenë në gjendje që këtë vitaminë ta fitojnë aq sa e kanë të nevojshme nga rrezet e diellit.

Ne Australi gati 1/3 e popullatës është deficiente në Vitaminë D.

Lëkura më e errët ose me shumë melaninë, është në gjendje të absorbojë më shumë rreze UV dhe të reduktojë kapacitetin e lëkurës për të prodhuar vitaminë D për 95-99%. Ata duhet të ekspozohen për 3-5 herë më shumë ndaj diellit për të prodhuar sasinë e njëjtë të vitaminës D në krahasim me të bardhët. Afro amerikanët kanë vitaminë D më të ulët (rreth 16) në krahasim me amerikanët (rreth 26).

– Mbipesha dhe obeziteti
– Keqabsorbimi i saj në zorrë nga sëmundjet gastrointestinale
– Kirurgjia bariatrike e lukthit dhe zorrëve
-Mosha – njerëzit mbi 70 vjeç prodhojnë 25% më pak Vitaminë D aktive.
– Fëmijët dhe lidhja me obezitetin
– Artriti rheumatoid
– Fibromialgjia
– Barnat e ndryshme

Si diagnostikohet mungesa e Vitaminës D?

Vlerat e vitaminës D në gjak:

Trajtimi

Vitamina D3 është më e përshtatshme të merret si supplement nëse pacienti diagnostikohet me deficiencë. Trajtimi me Vitaminë D nuk është i njëjtë për çdo individ, kjo varet nga shkalla e deficiencës dhe rrezikut shëndetësorë individual. Gjithashtu edhe koha kur diagnostikohet gjatë periudhës së dimrit apo verës. Marrja e vitaminës D në doza mbajtëse nuk është e njëjtë për mosha të ndryshme, dozat trajtuese mund të shkojnë deri në 100 000 ose 50 000 UI në javë përderisa dozat mbajtëse 600-1000 UI/ditë deri 18 vite ndërsa moshat adulte 1500 deri 2000 UI/ditë, ata të cilët kanë problem me zorrë dhe janë obez dozat duhet të jenë më të mëdha.

Gjatë trajtimit me Vitamin D kujdes duhet patur tek pacientët që kanë edhe probleme kardiake.

Për mjekim pacientët duhet të vizitohen tek endokrinologu.

A është e mundur të parandalohet deficenca e Vitaminës D?

Konsumimi i ushqimeve si peshku i yndyrshëm si salmoni, sardinat, makereli, tuna, kërpudhat e thata, e kuqja e vezës, produktet e qumështit dhe lëngu i portokallit.

Ekspozimi adekuat në rreze dielli sidomos gjatë verës minimum deri 30 minuta pa faktorë mbrojtës duhet të jemi në rreze dielli si dhe të përdoren në mënyrë adekuate faktorëve mbrojtës dhe jo keqpërdorimi i tyre.

Sasia e Vitaminës D në ushqime nuk është e mjaftueshme për trajtimin e deficiencies së Vitaminës D dhe mund të mos jetë e mjaftueshme për shumicën e njerëzve për të mbajtur nivelin adekuat nëse nuk kombinohet ky trajtim me rreze të diellit.

A ka rrezik nga marrja e tepërt e Vitaminës D?

Po, ka dhe kjo manifestohet me disa shenja që vijnë nga niveli i rritur i kalciumit.

Simptomat mund të manifestohen me lodhje, konfuzion, konstipacion, humbje të oreksit dhe zhvillimin e depozitave të dhembshme të kalciumit nëpër trup. /Telegrafi/

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)