LAJMI I FUNDIT:

A mund t’i zëvendësojmë politikanët me robotë?

A mund t’i zëvendësojmë politikanët me robotë?

Frank Mols dhe Jonathan Roberts

Një robot në vend të një deputeti, kush do të votonte për të?

Nëse keni pasur mundësinë për të votuar një politikan të cilit i besonit plotësisht, ju ishit të sigurt se ai nuk kishte asnjë plan të fshehtë dhe se do të përfaqësonte realisht pikëpamjet e elektoratit, apo jo? Po në qoftë se politikani do të qe një robot? Jo një njeri me një personalitet robotik, por një robot i vërtetë i pajisur me inteligjencë artificiale.

Të ardhmet si kjo kanë qenë temë e fantashkencës për dekada të tëra. Por, a mund të ndodhë vërtet? Dhe nëse po, si duhet të ecim përpara?

Sondazhet e fundit tregojnë se besimi ndaj politikanëve ka rënë me shpejtësi në shoqëritë perëndimore, dhe votuesit po i përdorin gjithnjë e më shumë zgjedhjet për të shprehur votën e tyre të protestës. Kjo nuk do të thotë se njerëzit kanë humbur interesin mbi politikën dhe politikë-bërjen. Përkundrazi, ka prova të rritjes së angazhimit në politikën jo-tradicionale, çka sugjeron që njerëzit mbeten të angazhuar politikisht, por kanë humbur besimin tek politika partiake tradicionale.

Më konkretisht, votuesit po ndjejnë se partitë politike tradicionale, janë shumë të ngjashme mes tyre dhe se politikanët janë të shqetësuar më shumë për sondazhet dhe aktivizmin politik. Votuesit e pakënaqur mendojnë zakonisht që partitë e mëdha u shërbejnë interesave të fuqishme vetjake, janë të lidhura me biznese apo sindikata të mëdha, ndaj dhe vota e tyre nuk do të shënojë ndonjë ndryshim.

Një simptomë tjetër e ndryshimit të angazhimit politik (në vend të mos angazhimit), është rritja e partive populiste me një agjendë radikale kundër partive tradicionale, dhe interesi në rritje ndaj teorive të konspiracionit, të cilat vërtetojnë dyshimet e njerëzve se sistemi është i manipuluar.

Ideja e politikanëve vetë-shërbyes dhe shërbëtorëve civilë nuk është e re. Kjo pikëpamje cinike popullarizuar nga seriale televizive “Po z. Ministër” në BBC dhe së fundmi nga seriali amerikan “House of Cards”.

Ne mund të kemi humbur besimin tek politika tradicionale, por çfarë alternativash kemi? A mund t’i zëvendësojmë politikanët me diçka më të mirë?

Një alternativë është projektimi i sistemeve të hartimit të politikave në mënyrë të tillë, që politikë-bërësit të jenë të imunizuar nga ndikimet e jashtme. Duke vepruar kështu, krijohet një hapësirë brenda së cilës evidencat objektive shkencore, dhe jo interesat vetjake, janë ato që orientojnë politik-bërjen.

Në shikim të pare, duket sikur është me vlerë për të mbështetur. Por, si do të veprohet me shumë çështje të politikës, mbi të cilat opinioni politik mbetet thellësisht i ndarë, si ndryshimi i klimës, martesave mes të njëjtit seks apo politikën e azilit? Hartimi i politikave është dhe do të mbetet në thelb politik, dhe politikat janë në rastin më të mirë mbi dijeninë e fakteve, sesa të bazuara tek këto të fundit.

Por, a mundet të depolitizohen disa çështje, dhe të konsiderojmë mundësinë e vendosjes së robotëve për t’i kryer ato detyra?

Ata që janë fokusuar tek përparimet teknologjike, mund të priren për t’iu përgjigjur “po”. Në fund të fundit, llogaritjet komplekse që do të marrin vite për të përfunduar në mënyrë manual, tanimë mund të zgjidhen brenda disa sekondash, duke përdorur arritjet më të fundit në teknologjinë e informacionit.

Inovacione të tilla janë dëshmuar si shumë të vlefshme në fusha të caktuara të politikës.

Për shembull, planifikuesit urbanë që shqyrtojnë mundësinë e projekteve të reja infrastrukturore, përdorin tashmë sofuerë të fuqishëm për modelimin e trafikut, me qëllim parashikimin e flukseve të tij të ardhshme. Nga ana tjetër, duke u fokusuar tek aspektet sociale dhe etike, ky projekt do të merrej me rezerva. Përparimet teknologjike kanë një përdorim të kufizuar në çështjet e politikave që përfshijnë bindjet konkurruese dhe gjykimet e vlerave.

Një shembull i përshtatshëm do të ishte legjislacioni i eutanazisë, që është i lidhur me besimet fetare dhe cështjet në lidhje me vetëpërcaktimin. Ne mund të jemi të prirur për të shpërfillur çështjen si të jashtëzakonshme, por do të mbërrihej një përfundimin se shumica e çështjeve politike përfshin besimet konkurruese dhe gjykimet vlerore, dhe se nga kjo perspektivë politikanët robotë nuk j anë shumë të vlefshëm.

Një super-kompjuter mund të jetë në gjendje për të bërë parashikime të sakta të numrit të përdoruesve të rrugës në një unazë.

Por, çfarë do të bënte ky super-kompjuter kur të përballej me një dilemë morale?

Shumica e njerëzve do të binin, dakord se është aftësia jonë për të bërë gjykime mbi vlerat, ajo që na dallon nga makineritë dhe na bën më superiorë.

Por, nëse ne mund të programojmë disa standardeve etike në kompjuter dhe t’i mundësojmë këtij të fundit marrjen e vendimeve në bazë të udhëzimeve të paracaktuara normative, dhe pasojave që dalin nga këto zgjedhje? Nëse kjo do të qe e mundur, dhe disa besojnë se është, a mund t’i zëvendësojmë tek e fundit politikanët tanë të gabueshëm me robotët e pagabueshëm të inteligjencës artificiale?

Robotët mund të bëhen pjesë e jetës së përditshme më shpejt nga sa mendojmë ne. Për shembull, robotët mund të përdoren së shpejti për të kryer detyrat rutinë në qendrat e kujdesit për të moshuarit, për t’u bërë shoqëri njerëzve të moshuar apo atyre më aftësi të kufizuara, madje disa kanë sugjeruar se robotët mund të përdoren edhe në prostitucion.

Çfarëdo mendimi që mund të keni në lidhje me politikanët robotë, themelet për këtë projekt tashmë janë duke u hedhur. Një raport i fundit, prezantoi një sistem që shkruan në mënyrë automatike fjalime politike. Disa nga këto fjalime janë të besueshme, dhe do të qe e vështirë për shumicën prej nesh për të dalluar nëse ato janë shkruar nga një njeri apo një makineri.

Politikanët përdorin tashmë fjalimet e shkruara nga njerëz të tjerë, kështu që mund të jetë vetëm një hap i vogël për ata që të fillojnë të përdorin një shkrimtar robot për fjalimet e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për politikëbërësit përgjegjës të themi për planifikimin urban apo zbutjen e efektit të përmbytjeve, të cilët përdorin modelet e softuerit të sofistikuar.

Ne mund të jemi shumë shpejt në gjendje për t’i larguar të gjithë njerëzit nga një zyrë dhe zëvendësuar ata me robotë me modelimin e softuerit të ndërtuar në vetvete. Ne mund të mendojmë shumë skenarë të tjerë, por çështja themelore do të mbetet e njëjtë: robotët do të duhet të programohen me një sistem të dakorduar standardesh etike, që do t’i mundësojnë atij të bëjë gjykime mbi bazën e rregullave të moralit, për të cilat është rënë më parë dakord.

Pra, edhe nëse do të kishim një parlament plotë me robotë, ne ende do na duhet një agjenci personeli të drejtuar nga njerëzit për përcaktimin e standardeve etike të programuara tek robotët. Dhe kujt i takon të vendosë mbi këto standarde etike? Ndoshta këtë do të duhet ta vendosim me vote, ndërmjet palëve të ndryshme të interesuara dhe konkurruese. Kjo na sjell në një rreth vicioz, sërish tek problemi se si të parandalohet ndikimi i tepruar.

Mbrojtësit e demokracisë së angazhuar, që besojnë se demokracia duhet të jetë më shumë se sa një shëtitje e rastit në një kabinë votimi, do të dridheshin nga perspektiva e politikanëve robotë.

Por, avokatët e lirë të tregut, të cilët janë më kritikë ndaj ndërhyrjeve të qeverisë dhe masave financiare shtrënguese, mund të jenë më të prirur për të pranuar këtë lloj zëvendësimi. Këta të fundit duket se kanë tanimë inisiativën, kështu që herën tjetër që do të dëgjoni një komentator t’i referohet një politikan si robotik, mos harroni se ndoshta një ditë disa prej tyre do të jenë realisht robotë! /“The Conversation”/Në shqip nga: bota.al/