LAJMI I FUNDIT:

Mr. Sci. Enver Çesko, Qendra Kosovare për Psikoterapi Pozitive

Mr. Sci. Enver Çesko, Qendra Kosovare për Psikoterapi Pozitive

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti, mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese
.

Mr. Sci. Enver Çesko
Qendra Kosovare për Psikoterapi Pozitive
tel. 044 113 376



Përshëndetje i nderuar. Jam 24 vjeç, që kur isha 12 vjeç kam kuptuar diçka të jashtëzakonshme tek vetja ime. Unë nuk isha si të tjerët, kisha tërheqje të madhe seksuale për meshkujt e moshuar, mirëpo asnjëherë nuk ia kam pranuar këtë vetes derisa në moshën 20 vjeçare gjeta dikë që të realizoja kënaqësinë time dhe prej atëherë unë e praktikoj këtë jetë seksuale krejt ndryshe nga të tjerët. Mirëpo, nuk jam aspak i lumtur dhe kam qenë te disa psikolog dhe më kanë thënë se kjo është diçka normale.
Ju lutem, mund të më shpjegoni se cilat janë shkaqet që mua më tërheqin vetëm meshkujt relativisht të moshuar? Dhe, a ka mundësi ndryshimi i kësaj gjendje?

PËRGJIGJE:
Situata e juaj është pak më ndryshe se moshataret në aspektin e arritjes së kënaqësisë epshore, gjegjësisht në kontaktet seksuale. Pasi që ju nuk përcaktoni moshat e personave të moshuar, nuk mund të japi një mendim të saktë se a është një veprim të tillë normal, apo jo normal. Zakonisht femrat e preferojnë që në aktet seksuale të kenë partner që janë më të vjetër se vet, por jo edhe shumë më të vjetër. Duke u bazuar në letrën e juaj, siç ju përshkruani se që nga mosha 12 vjeçe ju keni shfaq interesim për meshkujt më të moshuar. Kjo ka të bëjë me zhvillimin psikoseksual tuajën e që ka pasur ndikim edhe familja e juaj. Gjatë zhvillimit psikoseksual që ju keni kaluar nëpër faza të zhvillimit, ka mundur të ndikojë ndonjë ngjarje jo e zakonshme apo traumatike dhe ajo fazë e zhvillimit ka mbetur e pazhvilluar sipas rrjedhës së vet. Dhe me zhvillimin tuaj në personalitet tek ju ka vazhduar dominimi i figurave të meshkujve më të moshuar, që në subkoshiencën tuaj, keni patur nevojë për mbrojtje, siguri, edukim, mësim apo ndihmë në arritjen e kënaqësisë seksuale. Rekomandimi im është që ju duhet të konsultoheni me ndonjë ekspert në këtë fushë (psikoterapist) që do të analizonte dhe ndoshta edhe të gjen arsyet e vërteta në këtë orientim drejtë arritjes së kënaqësisë seksuale. Do të ishte dëm traumatik nëse ju do të eksperimentoni me meshkujt të moshuar për të arritur kënaqësinë seksuale.


Përshëndetje! Jam 32 vjeçe dhe jam e martuar. Kjo është martesa ime e dytë. Nga martesa e parë, jam divorcuar pasi ish-burri im, nuk më respektonte, ushtronte dhunë, më mbante vetëm të mbyllur në shtëpi dhe më tradhtonte (nqs mund ta quaj kështu, pasi ai se kishte problem të ishte i lirë). Pasi jam divorcuar, martesë që zgjati 2 vjet, unë vazhdova universitetin, ndërtova jetën time me miq dhe me një reputacion të kënaqshëm. Drejtim imi janë e shkencat sociale, fakt që e përmend pasi më ka ndihmuar në marrëdhëniet me njerëzit që jo pak raste, të udhehequr nga një mentalitet paragjykues, më kanë dëmtuar. Tani jetoj në Angli, bashkëshorti im është anglez. Kjo martesë është mbas 8 viteve, jam përpjekur në çdo gjë qe ai të ndjehet mirë, por problemi i vetëm është besimi, gjë që nuk mungon tek unë dëshira për t’i besuar, përpjekja që bëj për këtë gjë, por është nga ana e tij. Vazhdon marrëdhënien me ish të dashurën, e cila ka bashkëjetuar në këtë shtëpi ku unë jam, vazhdon të flet për të duke më urdhëruar ta bëj mike. Pas përpjekjeve, arrita t’ia bëj të qartë se ajo kurrë nuk mund të jetë mikja ime, pasi dhe vetë asaj i kam kërkuar të heqë dorë se është duke na shkatërruar…Ta bëj më të qartë, mentaliteti këtu është lidhje miqësore me ish të dashurat. Por, ajo që më shqetëson është fakti se ajo nuk sillet si ish e dashur, por si një hakmarrëse dhe ky nuk e kupton. Më shqetëson, i thotë se unë kam nevojë për doktor, i thotë gjithçka dhe ky flet në çdo moment në tel edhe pasi mu betua se nuk do të flasë. Nga e gjitha kjo, më janë shfaqur shqetësime, të cilat lidhen me mosrespektin nga ana e tij, mosrespekt shpirtëror dhe mendor, duke mos marrë parasysh çfarë unë dëshiroj, kush jam. Ai, kurrë nuk thotë diçka pozitive për mua, por vetëm defekte, injorim. Ndjehem vetëm në mes të botës duke shtrënguar me dhëmbë këtë martesë me një burrë egoist, i cili përpiqet të më ulë, injorojë, të më bëjë të ndjehem askushi, mbyllur në shtëpi, e paafte, pa asnjë para në xhep, si një fëmijë i dhunuar. Shpesh kam akuzuar veten, por doja nga ju, nqs problemi qëndron tek unë, më thoni si të veproj. Dua ta ruaj këtë martesë për veten dhe për ata dy prindër, për rrethin e miqve që më njohin, për gjithçka që ndërtova me thonj dhe shpirt. Dikur u rrëzova dhe nuk duhet ta bëj sërish. Gjithmonë jam cilësuar simbol i forcës dhe guximit, por tani e ndjej veten të lodhur, në presion, pasi më mban dokumentet si shantazh. Bëhet agresiv, më fyen, më injoron, më poshtëron. Unë kam filluar ta imitoj, gjë që nuk më pëlqen. Bëhet nervoz, nqs unë takoj miqtë e mi këtu, pak sa njoh të cilët janë me një status të respektueshëm. Ai nuk ka miq, flet vetëm me të ëmën e vet për çdo gjë, për çdo gjë. Unë, kam menduar ndoshta e ëma është ajo që ka ndikuar një dhunë tek ky dhe ai e respekton si qen besnik, por që dëshiron ta imitojë duke ushtruar presion dhe dhunë ndaj meje. Kam kulturën t’i drejtohem një psikologu, por e di që im shoq, do të më paragjykojë.
Ju lutem, më ndihmoni.
Respekt dhe ju falënderoj!

PËRGJIGJE:
Përvojat e juaja si në martesën e parë ashtu edhe në të dytën dëshmojnë se ju keni përvoja traumatike në raportet ndërpartnerore. Shpesh herë njerëzit akoma pa e trajtuar një përjetim traumatik vendosin të futen në raporte tjera, duke menduar se në atë raport do jetë më mirë dhe kështu të ‘harrohet’ e kaluara traumatike. Por ja çka ndodh: ne injorojmë të kaluarën duke shpresuar për një ardhme më të mirë, sepse akoma pa u shëruar plagët, me pa dije, ne shkaktojmë plagë tjera. Edhe pse nga martesa e parë në të dytën kanë kaluar 8 vite, te ju po vërehet se traumat e mëparshme nuk janë trajtuar. Ju keni hasur në një traditë që për juve ndoshta nuk ka qenë mjaftë e njohur, gjithsesi se ju më parë nuk keni ditur për ekzistimin e një lidhjeje të mëparshme të burrit tuaj, por me kohë jeni informuar, për të cilën kushtet dhe konditat që burri i juaj ka kërkuar, kanë qenë tradicionalisht jo të akceptuara. Këto ndryshime dhe dallime në koncepte për zakone, vese dhe tradita, dallojnë nga vendi në vend, dhe nëse personi nuk është e përgatitur për të akceptuar këto ndryshime, atëherë vuan pikërisht nga dallimet në koncepte. Këto dallime ndikojnë edhe në mbarëvajtjen e shëndosh të raporteve bashkëshortore siç është rasti edhe me juve. Këshilla ime do ishte që ju bëni një vizitë te ndonjë psikoterapist në vendin tuaj që ka mjaftë terapista të mirënjohur, dhe të diskutoni për problemin tuaj. Shpresoj dhe mendoj që terapisti do të këshillojë në zgjidhjen e konfliktit tuaj në sferën e raporteve bashkëshortore. Shpresoj të realizoni këtë takim.


Përshëndetje, jam 40 vjeçar, i martuar, kam dy fëmijë. Kam një hall shumë të madh. Unë, njihem me një vajzë tjetër qe disa vite, jemi ende bashkë. Me gruan që kam, nuk qëndroj mirë, nuk e dua, nuk kam ndjenja për të…Dua të ndahem, por e kam shumë problem. Fëmijët më dhimbsen shumë, por edhe gruaja, sepse nuk kam asnjë të keqe nga ajo. Megjithatë, nuk mundem të jetoj me të. Nuk bëj marrëdhënie qe 5 vite, nuk mundem të flas, as të rri me të.
Të dashurën që e kam, e dua shumë. Po të ndahem, do të çmendem.
E dashura ime ka qenë e martuar, pastaj ndahet vet nga burri i vet për shkak timin. Ajo nuk mundet pa mua. Filluam të dalim rrallë, pastaj e martuan prindërit me dhunë, por sërish e la edhe burrin e dytë. Më parë, më thoshte që të rri unë me gruan time dhe ta marrë edhe atë si grua të dytë. Tashti bashkëjetojmë bashkë, jemi në një shtet perëndimor, kurse gruan e kam
në shtëpi, në Kosovë. Mirëpo, kohë pas kohe, filluan gjërat të ndryshojnë, Tani, e dashura ime, kërkon të ndahem nga gruaja. Të shumtën e kohës grindemi, dëshiron të ketë fëmijë. Jam në hall të madh, sepse nuk mundem të jetoj pa të. Në çdo moment pritet ndarja jonë dhe unë, mendoj, se vetëm vdekja me shpëton nga dhimbja.
Të lutem, më jepni një përgjigje si t’ia bëj. Më ndihmoni!

PËRGJIGJE:
Problemin që e paraqitni, është shumë kompleks, prandaj edhe kërkon një trajtim më kompleks drejt zgjidhjes së problemit. Nuk mendoj se problemi nuk mund të zgjidhet, por mendoj se vërtet është mjaft i komplikuar dhe që në trajtim duhet të përfshihet e tërë familje me të gjithë akterët që janë të involvuar që nga koha e paraqitjes së problemit. Është shumë vështirë të thuhet që ju apo e dashura, apo gruaja të veprojë kështu apo ashtu. Çdo veprim individual nuk jep zgjidhje për problemin. Sepse, ky problem, në vete ka gërshetim të konflikteve.
Çka unë mund të këshilloj juve është sa vijon:
– Konsultohuni me ndonjë terapeut bashkëshortor apo të marrëdhënieve (ka mjaftë atje ku jetoni) dhe veproni sipas udhëzimeve të terapistit,
– Komunikoni në mënyrë të drejtpërsëdrejti me gruan për problemin ekzistues,
– Komunikoni me dashnoren tuaj, në mënyrë pozitive duke mos kritikuar dhe pa kushte nga të dy palët,
– Shprehni dhe tregoni mendimet, ndjenjat dhe planet e juaja në lidhje me ardhmërinë që keni planifikuar,
– Lejoni që edhe gruaja, por edhe e dashura të shprehin, tregojnë mendimet, ndjenjat dhe planet e tyre,
– Në fund, vendosni pasi që jeni konsultuar edhe me terapistin tuaj.


Përshëndetje i nderuar. Një familjar yni, 36 vjeç, mund të themi se është homoseksual. Prirjet e tij seksuale nuk na shqetësojnë, porse ai tejkalon çdo limit me sjelljet e tij kundërshtuese. Nuk komunikon me ne në mënyrë të dëshiruar. Prandaj, konsulta profesionale me juve, do të na shpinte drejt kuptimit të sjelljeve dhe nevojave të tij.
Gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
Problemin që paraqitni është çështje e sjelljeve dhe edukatës në rrethin familjar, social dhe më gjerë. Fakti që ai, gjithnjë sipas juve, është homoseksual, nuk mund të konstatoj vetëm me faktet që ju i përshkruani, sepse një vlerësim për një sjellje devijante aq komplekse siç është homoseksualiteti, duhet të hulumtohen shumë faktor tjerë. Por, varësisht prej dominimit të një sjelljeje devijante, shumë reagime, manifestime dhe sjellje tjera mund të shoqërojnë një dukuri që mund të jetë e pa akceptueshme për një mjedis, rreth apo ambient shoqëror. Fakti që me juve në familje nuk komunikon në mënyrë të dëshiruar, mund të arsyetohet me mosgatishmërinë e tij për të ndarë konceptet, mendimet, ndjenjat dhe aktivitet me juve. Prandaj, ai bënë sjellje të pa pranueshme, vetëm e vetëm të drejtojë vëmendjen e të tjerëve që është me juve, edhe ai vlen sa ju, edhe ai është sikur ju, dhe, edhe ai ka nevojë për gjëra siç edhe të tjerët kanë nevojë. Ndjenja e ngushtimit për arsye të sjelljeve të tij të pajustifikuara, duhet të shikohen nga aspekti i ndjenjës psikologjike që e mundon atë. Komunikimi mund të jetë verbal dhe joverbal. Ka disa njerëz kur dëshirojnë të shprehin apo të tregojnë diçka, e shprehin me fjalë, duke komunikuar. Këtë formë është më lehtë ta kuptojmë dhe t’i përgjigjemi kërkesave të personit. Por, ka njerëz që ndjenjat, dëshirat, nevojat dhe mendimet e veta nuk e shprehin me fjalë, por në vend të tyre, përdorin trupin e tyre, sjelljet apo reagimet. Këtë formë, jo çdokush mund ta kuptojë, e aq më pak të kuptojë në mënyrë të drejtë dhe të saktë.
Prandaj, mendoj që personi në fjalë pikërisht përdor këtë formë të komunikimit që, ndoshta, ju nuk jeni duke ia kuptuar nevojat, kërkesat, mendimet, apo dëshirat e tij.
Këshilloj që të gjeni momente të përshtatshme dhe një disponim të mirë, kur do të flisni dhe të tregoni se edhe ju jeni sikur ai që mund të ketë probleme, vështirësi apo detyrime.
Nëse edhe pas këtyre tentimeve tuaja, nuk ka ndryshime, atëherë duhet të gjendet mënyra dhe momenti kur duhet të ofrohet konsulta profesionale nga ana e psikologut apo psikoterapistit.


Përshëndetje. Shpresoj të gjeni kohë t’i përgjigjeni pyetjes time. Jam 29 vjeçare. Jetën seksuale e kam filluar në moshën 20 vjeçe, por shumë pasive. Kam pasur dhe një periudhë 5 vjeçare pa pasur marrëdhënie fare. Tani kam sërish, por nuk jam e martuar. Problemi qëllon që unë gjatë këtyre 9 viteve nuk kam përjetuar asnjëherë orgazëm (përveç një herë kur isha 20 vjeç) dhe ky fakt po më shqetëson tepër. Vlen të theksohet se gjatë kësaj kohe kisha 2 persona në jetën time, por me asnjërin nuk kam arritur orgazëm pavarësisht të gjitha stimulimeve. Vlen po ashtu të theksohet se partnerin e doja shumë, kishim edhe tërheqje fizike edhe shpirtërore. Pjesa seksuale ishte e mrekullueshme, por as kjo nuk mjaftonte që unë ta arrija kulminacionin seksual dhe këtë e kishte vërejtur dhe partneri im.
A mund të jetë kjo pasojë e stresit meqë unë nga natyra stresohem shumë? Më duhet ta theksoj se nuk kam probleme, kam një punë të rregullt (por me shumë stres), një pamje të bukur, kam familje të shëndoshë dhe kisha fëmijëri mjaft të mirë.
Ju lutem, më tregoni çfarë duhet bërë në këto raste? A ka shërim apo terapi për këtë problem? Ndoshta jam në moshën ku shumica e femrave këtë e kanë problemin më të vogël, por unë nuk arrij ta përjetoj fare.
Pres përgjigje.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Nga letra e juaj shihet se fjala është për një ngarkesë psikoemocionale që ju me vete mbani, jo vetëm gjatë marrëdhënieve seksuale, por edhe gjatë tërë jetës. Prandaj, kjo gjendje është prezente edhe gjatë momenteve emocionale e në veçanti në atë seksuale. Por, kënaqësia seksuale-orgazma varet jo vetëm prej gjendjes stresuese, apo emocionale, por edhe prej koncepteve ndaj aktit seksual dhe prej pritjeve nga akti seksual. Një moment të rëndësishëm nënkupton edhe qasja dhe mënyra e sjelljeve (teknikave) nga ana e partnerit që aplikon gjatë aktit. Akti seksual është veprim i ndërsjellët në mes dy partnerëve, prandaj bashkëveprimi është kusht themelor që të arrihet kënaqësia seksuale.
Në përgjithësi, harmonia seksuale, jo gjithmonë nënkupton përjetim të orgazmës. Shumë femra kanë vështirësi të përjetojnë orgazëm gjatë aktit seksual, por në të kundërtën ato janë të kënaqura me marrëdhëniet seksuale me partnerin e tyre. Sepse, orgazma nuk nënkupton mungesë të dashurisë midis partnerëve, aq më pak pakënaqësi seksuale. Por, shpesh herë mungesa e orgazmës nënkupton arritje të caktuar në formë dhe mënyrë të kënaqësisë. Prandaj, mos nxitoni vetëm në orgazëm, por kënaquni në lojën dhe procesin seksual dhe, kur këtë e përjetoni, atëherë edhe përfundimi (orgazma) është e nënkuptuar. Sot, në terapinë seksuale aplikohen mjaft teknika dhe mënyra të avancuara drejt arritjes së orgazmës, bile edhe përtej saj. Por, për këto teknika duhet që të dy partnerët të pranojnë të trajnohen në seanca terapeutike.


Shumë i respektuar Prof. Enver. Kam një hall të madh me djalin tim që çdo ditë e më shumë është duke e shkatërruar tërë familjen. Ai është 33 vjeçar, i martuar dhe ka dy fëmijë. Bënë shpenzime enorme, pa kontroll. Gruan dhe fëmijën i do shumë, mirëpo mjetet që posedon, i shpenzon me shoqëri të vet dhe qëndron deri në orët e para të mëngjesit jashtë. Në shtëpi nuk është i rehatshëm, por vetëm gjen e krijon probleme me gruan e vet, sikur pa kontroll. Ajo çka është tragjike, atij i është shfaqur një xhelozi ndaj gruas. I thotë pse po lëvizin perdet, po kërcasin roletat, i ke ndërruar të brendshmet, etj. E akuzon se e ka ndokënd. Më beso, ai ka një grua të çmueshme që nuk e meriton një gjë të tillë. Ajo e ka duruar dhe e duron për hatër të fëmijëve. Kohët e fundit po e përdor edhe dhunën fizike ndaj saj, kinse ajo po e tradhton.
Edhe më parë ka qenë me këto simptoma. Kur është martuar qe 5 vjet, por pasi i lindi vajza dhe hyri në punë, i la të gjitha. Tani është i papunë dhe tërë ditën e natën vetëm flet dhe kritikon.
Nuk ka besim në askënd, as në babën e vet, e as në vëlla. Terapia e mjekut (Olanzopine-5mg, Eftil-500mg, Talam-20mg), nuk po i ndihmon.
Ju lutem, i nderuar, na ndihmo!
Nëna e brengosur.

PËRGJIGJE:
Djali i juaj ka një shqetësim të theksuar që daton një kohë të gjatë. Kjo gjendje ka të bëjë me një situatë të disa çrregullimeve psikiatrike. Terapia e mjekut ka të bëjë me një gjendje psikike më të theksuar, prandaj edhe djali i juaj duhet të përdorë këtë terapi. Unë nuk mund të them asgjë tjetër përveç të konfirmojë mendimin e mjekut që e ka vizituar. Kurse, unë nuk mund të japi mendimin pa e vizituar personin. Ndoshta djali i juaj nuk pranon, por mund të vini ju bashkë me shoqen e tij dhe mund të japim ndonjë këshillë se si të silleni me të. Në fund mund të them se djali juaj ka nevojë për një trajtim serioz sa më parë.


Përshëndetje i nderuar doktor. Jam 21 vjeçe, para dy viteve tek unë është shfaqur një nervozë e paparë, nuk mund të përballem me asgjë. Bëhem shumë nervoze, acarohem në ekstrem. Më herët nuk isha kështu. Tani nuk mund të kontrolloj veten për asnjë moment. Nga kjo fillova ta pi duhanin me qëllim që të ¨qetësohem¨, mirëpo asgjë nuk më qetëson. Kur jam nervoze, më dridhet trupi, më rrah zemra fort, pastaj më duket sikur dëgjoj do zëra dhe vazhdimisht e pyes te fejuarin a po i dëgjon edhe ai.
Kam përdorë nganjëherë Lexium 5mg, nuk më qetësojnë, porse më vejnë në gjumë.
Pres përgjigjen dhe të falënderoj.
Qofsh i nderuar!

PËRGJIGJE:
Nervoza që ju po e përshkruani mund të ketë burimet nga faktorët dhe ngjarjet e ndryshëm që ju keni përjetuar në jetën e juaj. Ju përshkruani se kjo nervoz është paraqitur para dy viteve por nuk e përshkruani se çfarë ka ndodhur në jetën e juaj para dy viteve. Jam sigurt që diçka në jetën e juaj ka ndodhur prandaj edhe gjendja psiko-emocionale ka ndryshuar. Një ndryshim ka ndikuar që ju të keni një pasqyrë tjetër për jetën, veten, ambienti, shoqërinë, familjen, partnerin, punën dhe të gjitha aktorët tjerë me të cilët ju jetoni. Poashtu, kjo gjendje ka ndikuar edhe në sjelljet e tuaja, siç ju përdorni pirjen e duhanit, acarime dhe reagime hipervigjilente në shoqëri si dhe ndryshime në sistemin neurovegjetativ (pagjumësia, ide halucinative, ankesa psikosomatike, etj).
Ju rekomandoj që të konsultoheni me ndonjë psikolog apo psikoterapeut ku do të bisedoni për gjendjen e juaj dhe sigurisht që ai të këshillon se çfarë në të vërtet duhet të bëni.
Ajo çfarë ju mund të bëni në këtë moment është që për problemet e juaja të diskutoni me personi që keni besim(në këtë rast ndoshta partneri i juaj) dhe të kërkoni që personi të mos kritikoj për gabimet apo dështimet eventuale të juaja por që të jep suport pozitiv për situatën e krijuar. Ju akoma keni gjëra të mira dhe aftësi të konsiderueshëm që mund të operoni në jetën e juaj të përditshme, pra jo vetëm të shikoni nervozen, pagjumësinë, disponimin e keq, zërat e çuditshëm, vështirësitë në punën e zemrës tuaj. Nëse këto nuk mund të arrini të tejkaloni duke biseduar me partneri atëherë konsultohuni me psikologun.
Lexiliumi nuk e zgjidh problemin tuaj, por vetëm e ndryshoni gjendjen tuaj. Ju keni nevojë që të jeni së pari e vetëdijshëm për problemet dhe konfliktet e tuaja e më pastaj të punohet në ndryshimin e gjendjes ekzistuese.


Përshëndetje doktor. Jam 40 vjeçar, i martuar, kam dy fëmijë. Jam në hall të madh, kërkoj ndihmën tuaj. Unë njihem me një vajzë tjetër që nga viti 2002 me të cilën jam ende. Me gruan nuk kam raporte të mira, nuk kam ndjenja për të, etj. Dua të ndahem, por e kam shumë problem, nuk di si t’ia bëj. Më dhimbsen fëmijët. Nga gruaja nuk kam asgjë të keqe, por nuk mundem të jetoj me të. Qe 5 vite nuk kam marrëdhënie me të, nuk mundem të flas, as të rri me të.
Të dashurën që kam, e dua shumë. Ajo më 2005 është martuar dhe pas një viti është ndarë shkaku im. Ajo nuk mundet pa mua. Pas dy vjetësh, prindërit e martuan sërish, jo që unë e detyrova, por vet u nda. E la edhe burrin e dytë për mua dhe më thoshte ta mbaj unë gruan dhe ajo të behët gruaja ime e dytë. Tashti që një vit bashkëjetoj me të në Zvicër, kurse gruan e kam në shtëpi, në Kosovë. Mirëpo, tash gjërat kanë filluar ët ndryshojnë, kërkon nga unë që të ndahem nga gruaja, se kështu nuk mundemi të jemi bashkë. Grindemi, don që të kemi fëmijë. Unë jam në hall, jam shumë i dashuruar dhe nuk mundem të jetoj pa të. Në çdo moment pritet ndarja dhe mendoj se vetëm vdekja më shpëton nga dhimbja.
Të lutem, më jep një përgjigje. Më ndihmo!

PËRGJIGJE:
Së pari më duhet të them se përgjigje për një situatë dhe gjendje që ju jeni, është e pamundur se këtë që ju prezantoni nuk e zgjidh gjetja e vetëm një përgjigjeje, por krejt kjo kërkon një vështrim më të thuktë në situatën e krijuar në raportet midis gruas, fëmijëve, të dashurës dhe vetvetes tuaj.
Prandaj, për të vështruar dhe qasur me situatën që ju keni krijuar, duhet që ju të konsultoheni me psikoterapeutin në mënyrë që të punohet në situatën e krijuar në raportet e ‘katërkëndëshit’ (gruaja, fëmijë, e dashura dhe vetvetja) që ju ndodheni.
Krejt çfarë unë mund t’ju them është se jeni në një gjendje që ju vet duhet të merrni vendime të matura dhe afatgjate në mënyrë që perspektiva e jetës së juaj të jetë më e lumtur dhe e balancuar. Nëse nuk do të kërkoni ndihmë sa më shpejtë, atëherë gjendja e krijuar me dashurën tuaj në Zvicër do të përkeqësohet e njëherë edhe të ftohet dhe kështu të humbni tërë atë që keni dhe ajo gjendje mund të sjelli edhe çrregullime serioze psikologjike dhe psikike.
Në adresën e redaksisë ju mund të gjeni kontaktet e psikoterapeutëve që ju mund të kontaktoni për ndihmë.


Përshëndetje! Jam një vajzë 22 vjeçare, sivjet përjetova lidhjen time të parë, por kjo lidhje nuk zgjati shumë. Kanë kaluar 5 muaj dhe unë vazhdoj të ndjehem keq. Fajësoj veten time pse ndodhën gjërat ashtu, nuk më vjen për të bërë asgjë. Jam hapur dhe me familjen time, por përsëri nuk po gjej ngushëllim. Gjendjen shpirtërore e kam shumë keq, çdo ditë jam e mërzitur. Kjo mërzi nuk më kalon as kur jam me shoqet e mia, as kur vie në shtëpi, as kur dal në shëtitje, as kur blej gjëra të reja për vete, as kur shkoj te të afërmit e mi. Kam ngelur mbrapa me mësime dhe kjo gjë më frikëson akoma më shumë. Nuk arrij të përqendrohem dot. Lexoj me zë gjithmonë, e kam ballin si të mpirë dhe jam shumë konfuze. Kam dhe mungesë të oreksit, madje kur ha më vjen për të vjellë. Kur mendoj për gjëra të bukura, më vjen për të vjellë. Gjumi më del shpesh dhe përjetoj vetëm frikë, më duket sikur do të çmendem.. E kam humbur besimin te vetja dhe nuk po arrij të dal dot nga kjo gjendje.

Ju lutem më jepni një këshillë.

PËRGJIGJE:

Në letrën tuaj shihet një gjendje e lëndimit psikoemocional pas një përjetimi të papërgatitur më parë për çfarëdo konsekuence, pas një dështimi të mundshëm. Them të mundshëm sepse, ju, siç është parë nga letra, nuk e keni pritur një shkëputje të shpejtë. Arsyen për këtë shkëputje të shpejtë, në letrën e juaj nuk mund të konkludoja, por ajo që është e sigurt, juve tani nevojitet një energji që do të këndell nga kjo gjendje e stresit traumatik. Manifestimet që përshkruani në letër, janë karakteristik për ekzistimin e stresit traumatik. Në këtë situatë ju keni nevojë për disa seanca psikoterapeutike që mund të merrni nga ekspert të profesionit të psikoterapisë.

Redaksia mund të ndihmoj që të gjeni psikoterapistë që të ndihmon juve.


Përshëndetje doktor. Jam 19 vjeçe, kam problem se nuk mundem të rri pa lëviz. Kam shumë vese, i ha shumë thonjtë deri në mish, pastaj s’mundem t’i duroj duart e mia, prandaj shumicën e rasteve i mbaj në xhep. Nuk lë stilolaps pa e futur në gojë, lugë të kafesë saqë edhe dhëmbët i kam dëmtuar pak. Kam shumë kritika prej familjes, sidomos prej babit. Edhe në punë mezi rri, sepse s’mund të rri ulur, pa lëviz. Kur kam qenë fëmijë, kam pas trauma për një arsye familjare.

A duhet të jetë kjo rezultat i traumave që kur kam qenë fëmijë, kam qenë shumë e ndrojtur, si e frikësuar. Tash nuk e kam më atë problem.

Pres përgjigje nga ju.

PËRGJIGJE:

Rastin të cilën ju e paraqitni është fjala për një sjellje komplusive orale e shpeshtë në periudhën e pubertetit dhe adoleshencës. Kjo sjellje, me ato përshkrime që edhe ju e bëni, sipas nomenklaturës mjekësore (DSM IV dhe ICD 10) paraqitet si çrregullim impulsiv i kontrollit, i quajtur me emrin Onychophagia (e njoftur si ngrënie, kafshim, copëtim i thonjve). Arsyet më të shpeshta janë të natyrës psikologjike e në veçanti nga përjetimet traumatike në periudhën e fëmijërisë dhe pubertetit. Kur këto sjellje përcillen me disa sjellje tjera siç i përmendni edhe ju, me pa mundësi në kontroll të lëvizjes, e njohur si hyperaktivitet, atëherë gjendja juaj bëhet më e komplikuar që kërkon një trajtim më të gjatë. Këshilla ime në këtë rast do të ishte që ju së pari të konsultoheni me një psikiatër dhe më pastaj të filloni me trajtime psikoterapeutike në reduktimin e stresit dhe menaxhimin e përvojës traumatike.

Ju lutem pranoni këto këshilla serioze.


Përshëndetje doktor! Duke vlerësuar përkushtimin tuaj në lidhje me sa shkruajnë personat e interesuar në këtë adresë, nëse do të ishte e mundur të më jepni një përgjigje në lidhje me situatën time shëndetësore. Në periudha të përsëritura, ndodhem në një gjendje të vështirë, një mpirje e kokës, që si shkak unë vendos mbingarkesën nervore (halle e probleme familjare dhe një ngarkesë në punë, e konsiderueshme, lodhje mendore). E vërteta është se nuk është puna që më lodh, por janë mendimet në lidhje me jetën të cilat më qëndrojnë vazhdimisht në kokë e në të njëjtën kohë nuk jam në gjendje të përqendrohem tek puna, ndërkohë që përqendrimi tek puna duhet të jetë në maksimum (për shkak të natyrës së punës). E kuptoj që është një mbingarkesë nervore dhe mpirja e kokës është aq evidente, sa nuk arrij dot të përqendrohem në bisedën me personat e punës, me materialet e punës, me fluksin, etj. Jam vazhdimisht e mërzitur dhe kjo ka shkaqet e veta që nuk vijnë nga unë. Nuk e di se deri ku do të shkoj me këtë gjendje. Nganjëherë më duket se në vend të kokës kam diçka pa jetë, si një gur a nuk e di mesa ta krahasoj që nuk është në gjendje të kthjellët). Është e vështirë të bisedosh me mjekë pasi nuk e di se cili është mjeku të cilit duhet t’i drejtohem. Kjo edhe për një arsye tjetër. Nuk kam besim tek ruajtja e një sekreti profesional nëse do e quajmë kështu. Shpesh kam dëgjuar raste te thuhet (e gjora ose i gjori djalë ka probleme, etj, etj, e këto fjalë shkojnë nga një person tek tjetri). E kam fjalën për aftësitë e tij.
Duke Ju falënderuar, jam në pritje të një përgjigjeje.

PËRGJIGJE:
E kuptoj gjendjen tuaj dhe më duhet të them se manifestimet të cilat ju i përshkruani, përshkruhen me një gjendje të stresit psikoemocional. Çfarë do të thotë kjo? Së pari, më lejoni që t’ju shpjegoj ca faktorë determinues në paraqitjen e kësaj gjendjeje.
E para është menaxhim i dobët me vetveten, që ka të bëjë me mosnjohjen e aftësive aktuale për të ballafaquar me situatat e përditshme. Nëse ju bëni pyetje se si është e mundur që më herët të njëjtat situata me sukses kam tejkaluar, atëherë them se trupi (organizmi-aftësitë) e juaja nuk kanë qenë të stërmbushura me strese, ngarkesa, obligime, detyrime, etj, prandaj keni menaxhuar mirë.
Së dyti, është natyra e punës dhe tendencat për të arritur më shumë si në planin profesional, ashtu edhe në atë personal. Në këtë aspekt, ju duhet të dini se çfarë kërkoni nga vetja dhe çfarë janë synimet tuaja në realizimin e objektivave profesionale në punën e përditshme.
Së treti, si janë raportet tuaja me familje, partnerin (nëse keni), shoqërinë, kolegët, miqtë dhe të tjerët. Çfarë janë pritjet tuaja nga ata dhe çfarë ju dëshironi t’u ofroni atyre, por që ndoshta nuk keni mundësi ose arsye tjetër. Në këtë drejtim është me rëndësi të gjeni kohë, jo vetëm për plotësimin e obligimeve profesionale, por edhe atyre shoqërore.
E katërta, është vizioni i juaj për të ardhmen. Keni bërë ndonjëherë pyetje vetes se çfarë dëshironi të arrini në jetën tuaj, kur do të arrini dhe kur e arrini çfarë do bëni më pastaj? Aspekti i parë ka të bëjë me sferën fizike, pra sa kohë kushtoni për trupin e juaj, në aktivitete fizike, siç janë ushtrimet fizike, meditimi, ushqimi, shëndeti, seksi, etj. Këtu dominojnë proceset e të menduarit (intelektuale).
Aspekti i dytë ka të bëjë me performancën në punë, dëshironi të keni vetëm rezultate superiore në punë apo jeni më tepër e orientuar në proces, që do të thotë; edhe nëse nuk bëhet, nuk ndryshon gjë. Këtu dominojnë proceset emocionale (kënaqësia).
Aspekti i tretë ka të bëjë me raportet në rrethin social, si e krijoni dhe si i mbani marrëdhëniet, këtu dominojnë proceset shoqërore.
Aspekti i katërt ka të bëjë me bindjet, besimet, planet dhe ardhmërinë e juaj, ku dominojnë proceset spirituale (shpirtërore).
Nëse akoma keni vështirësi të menaxhoni, atëherë ju mund të vizitoni psikoterapistin tuaj.


I nderuari doktor. Është interesante me mua, mundohem shumë, por arrij rezultate pak. Psh. në shkollën fillore dhe atë të mesme mësoja shumë, arrija pak; të tjerët mësonin pak, arrinin më shumë ose mësonin aq sa unë, por arrinin rezultate. Kështu më ndodh edhe në fakultet. Pastaj mundohem shumë të tregoj respekt ndaj prindërve, mundohem dhe e bëj, por nuk duket që ata janë të kënaqur, vëllezërit dhe motrat bëjnë më pak ose aq sa unë për prindërit, por janë më të kënaqur me ta. Një dëshirë për të m’u realizuar, duhet mund i madh, lot, sfida … Çdo hap i vështirë në jetën time, çdo gjë e vështirë për ta arritur. Kam një sekret që kurrë nuk ia kam thënë askujt, më mundon shumë, por nuk dua ta di askush. Kam gabuar dhe me sa po e vërej, më vonë do ketë pasoja, sepse çdo e vërtetë, kuptohet herët apo vonë. Mundohem t’ju bëj mirë të tjerëve, por gjej keq. Të gjitha këto po e bëjnë kokën time me ankth të madh sa nganjëherë më duket që po luaj mendsh. Më mundon pagjumësia, çaj çdo natë (jam e lodhur, por unë nuk di të dorëzohem. Jam vetëm 19 vjeçare dhe kam përjetuar gjëra ç’parakohshme, por gjithë këto mund të ndikojnë dhe po ndikojnë keq në psikikën time.
Ndonjë këshillë për mua?
Ju faleminderit!

PËRGJIGJE:
Njerëzit dallohen sipas vetive të personalitetit, karakterit, sjelljeve, mendimeve dhe aftësive. Prandaj, thuhet se çdo njeri është personalitet në vete. Një gjë e tillë është edhe me juve. Por të gjitha këto tipare mund të zhvillohen dhe me zhvillim edhe të ndryshohen. Shpesh herë mundimet, përvojat dhe traumat e përjetuar, që mund të jenë të pa shprehura apo sekrete, mund të ndikojnë negativisht në realizimin e dëshirave dhe nevojave personale. Në këto situata personi shpesh ndien veten të pa aftë, të pasigurt me vetëbesim të ulët dhe i pa motivuar në arritjet e rezultateve të dëshiruara.
Këto janë disa prej shumë faktorëve që mund të ndikojnë në situatën tënde të përshkruar më sipër.
Do këshilloja që të bisedoni me ndonjë psikolog në mënyrë që të tregoni përvojat e përjetuara dhe psikologu do të kupton se për çfarë ju keni nevojë dhe si të gajaseni në ato situata kur juve është e çuditshme.
Vlerësojeni veten e juaj me të gjitha aftësitë që posedoni, mos e krahasoni veten me të tjerët, sepse ju jeni të veçantë nga të tjerët dhe të tjerët janë ndryshe nga ju.


Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori