LAJMI I FUNDIT:

Mos u mburrni me dështimet

Në përfundim të këtij viti vërehet një trend i prezantimit te të arriturave të qeverise së Republikës së Kosovës. Por, gjithashtu bie në sy se asnjëri nga dikasteret e qeverisë nuk kishte madje asnjë dështim të vogël. Pra, gjithçka ishte perfektë dhe e përsosur në rrjedha normale.

Që në fillim të këtij shkrimi dua të citoj një ish polic të EULEX-it, i nacionalitetit gjerman, i cili për një kohë të gjatë kishte shërbyer në Kosovë dhe në kushte anonimiteti kishte dhënë një intervistë për një gazetë gjermane “Der Spiegel”, në të cilën veç tjerave i referohet njërit ndër institucionet me të besueshme që kemi: Policisë së Kosovës.

“Unë e krahasoj forcën policore në Kosovë me Termocentralin Obiliq, pranë kryeqytetit Prishtinë. Që nga viti 1999, kur NATO ka dëbuar serbët nga Kosova, në termocentral është planifikuar për tu instaluar një filtër. Deri më sot nuk kanë pasur sukses. Termocentrali ende hedh ndotje të papenguar në ajër. Me përpjekjen nga ana e BE-së për të krijuar një sistem të pastër politik në Kosovë, për të ndërtuar një sistem funksional juridik, është e njëjtë”.

Raporti në fjalë është përplot me përshkrimin e dukurive negative të cilat në Kosovë janë përditshmëri, e çka është më e keqja: institucionet tona mburren me to dhe i prezantojnë si të arritura.

A është e arritur e ministrisë së Brendshme kur policia e Kosovës krahasohet me termocentralin e Obiliqit, i cili është simbol i dështimit? Apo ndoshta mund të prezantohet si e arritur afera me e famshme korruptive: ajo e pasaportave biometrike, e cila i minoi përpjekjet për të përfituar nga liberalizimi i vizave dhe irritoi faktorin dhe institucionet e BE-së?

A mund të quhet e arritur kur ministria e Arsimit, përpos dështimeve të vazhdueshme i vë hapat e parë në zhbërjen e historisë kombëtare, duke themeluar madje edhe grupin me të cilin do ta fillojë këtë punë të turpshme dhe me prapavijë të dyshimtë, e cila u iniciua nga përfaqësuesit e shtetit turk?

A mund të mburremi me ministrinë e Kulturës në të cilën qellim parësor ka qenë spastrimi i këtij dikasteri nga oponenca politike dhe instalimi i “vlerave tallava”?

A mund të mburremi me ministrinë e Diasporës e cila përpos drekave dhe darkave që kanë organizuar për veti dhe përfitimeve që bëjnë si rezultat i benificionëve asgjë s’ka bërë më shumë?

A mund të mburremi me ministrinë e Integrimeve nga e cila që pesë vite kemi premtime boshe se do ta fitojmë liberalizimin e vizave dhe në fund ju mjafton një deklaratë dëshpëruese: jemi te zhgënjyer me BE-në?

A mund të mburremi me ministrinë e punëve të Jashtme për 13 njohjet që i ka sjell dhe në anën tjetër me rivalitetin e tyre në arenën ndërkombëtare e kanë paraqitur Kosovën si një figurë shahu apo skenë gladiatorësh në të cilën nuk vlen asgjë përpos bizneseve private, duke bërë që shtetet me shumë të irritohen se sa ta njohin shtetësinë e Kosovës?

A mund të mburremi me ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë , si rezultat i angazhimit efektiv të këtij dikasteri kemi vetëm rritje të importeve dhe deficitit tregtar?

A mund të mburremi me ministrinë e Financave e cila planifikimet buxhetore i bën ekskluzivisht nga të hyrat nga doganat e Kosovës, nga taksat në TVSH të cilat i inkason madje që në fillim të vitit, duke dëmtuar kështu bizneset vendore dhe duke iu pamundësuar të jenë likuid?

A mund të mburremi me ministrinë e Zhvillimit Ekonomik e cila gjatë gjithë mandatit s’ka arritur asnjë progres përpos shitjes së distribucionit të KEK-ut për një çmim qesharak? Apo duhet të mburremi sepse inflacioni është rritur në shkallen më të lartë të mundshme, se papunësia po ashtu është në nivel rekord, se varfëria ka arritur shkallë madje alarmante.

Pakënaqësia në popullatë është ndoshta edhe më keq se gjatë bombardimeve të NATO-s.

Kosova nuk është në situatë për t’u mburrur bash me asgjë e aq më pak qeverisja e vendit e cila po udhëheq me një politik populiste të paparë, duke manipuluar ketë popull të nëpërkëmbur: nga njëra anë duke i rritur rrogat apo pensionet për ata të paktit që janë në marrëdhënie pune , ndërsa nga ana tjetër duke rritur inflacionin dhe duke iu bërë jetën të pamundur dhe të padurueshme.

Kosova është vendi më i shtrenjti në Evropë , përderisa ka të ardhurat me të ulëta dhe cilësohet ndër vendet me të varfra ne botë. A është kjo e arritur?

Prandaj, ne Kosovë nuk ka vend për të shprehur “suksese” të cilat janë inekzistente. Por, do të duhej kërkuar përgjegjësi institucionale. Natyrisht, kjo vështirë që do ndodh pasi fjala përgjegjësi dhe dorëheqje nuk është pjesë e fjalorit politik kosovar.

Uroj që ky vit që po lëmë pas të mos harrohet, dhe që viti që po hymë në të të jetë me prosperues.