LAJMI I FUNDIT:

‘Mona Lisa’ afgane, mund të dënohet 14 vjet burg, për falsifikim dokumentash

‘Mona Lisa’ afgane, mund të dënohet 14 vjet burg, për falsifikim dokumentash

Vajza afgane e cila me sytë depërtues u bë e njohur kur fotografia e saj u vendos në ballinën e revistës së njohur “National Geographic”, është arrestuar nën dyshimin për korrupsion dhe mashtrim.

Sharbat Gula, u fotografia në moshën 12 vjeç, në një vend ku qëndronin refugjatët në vitin 1984. Tani ajo përballet me mundësinë e kalimit të 14 vjetëve të ardhshme në burg, raporton The Independent, transmeton lajmi.net.


Ajo është arrestuar në qytetin Peshawar në Pakistan nga Agjencia Federale e Hetimeve (FIA), raporton gazeta britanike, duke u mbështetur në gazetën pakistaneze Dawn.

Duke u mbështetur në burime të veta në FIA, gazeta pakistaneze shkruan se: “ajo dyshohet për kompjuterizimin e një identiteti të huaj në kartën e saj të identitetit”.

Rasti i jashtëzakonshëm i zonjës Gula, sipas disa komentuesve dëshmon nxjerrjen në dritë të gjendjes dëshpëruese në të cilën janë shumë afganë.

Krejt kjo pasi ata në këtë mënyrë duan që të shmangin rikthimin e tyre në vendlindjen e përfshirë nga lufta, pasi Pakistani ka vendosur të veprojë kështu për të gjithë ata të huaj që nuk kanë dokumente.

Zonja Gula rrëmbeu vëmendjen e botës pasi fotografi i “National Geographic”, Steve McCurry, e fotografoi atë në një kamp refugjatësh në afërsi të Peshawarit në vitin 1984.

Imazhi i fiksuar tregon shikimin e saj të fuqishëm dhe depërtues me sytë e saj ngjyrë të gjelbër, duke bërë që ajo të vendoset në faqen e parë të revistës në numrin e qershorit 1985.

Ajo ballinë është kthyer në një nga më të famshmet imazhe në të gjithë historinë e revistës së njohur.

Emri i saj në fillim ishte i panjohur, pasi zonja Gula njihej vetëm me emrin si ‘vajza afgane’ apo edhe me emrin shumë poetik si “Mona Lisa e luftës afgane”-që në atë kohë portretizonte vendin e okupuar nga Bashkimi Sovjetik, e pastaj edhe nga forcat perëndimore.

Prindërit e saj u vranë gjatë bombardimeve ruse në Afganistan, në kohën kur ajo ishte gjashtë vjeç.

Në vitin 1992, tetë vjet pasi është fotografuar nga fotografi McCurry, zonja Gula e cila nuk kishte ide se fytyra e saj është bërë shumë e famshme, e la Peshawarin dhe kaloi kufirin për t’u kthyer në Afganistan në përpjekje për të rindërtuar jetën e saj.

Ndërkohë, McCurry u kthye prapa në këtë rajon 10 herë në intervale të ndryshme kohore dhe secilën herë kërkonte me shpresë të gjente dikë që do ta njihte se ku ishte ajo dhe ta gjente atë.

Më në fund në vitin 2002, 18 vjet pas fotografimit të saj, ai ra në gjurmët e një fshati në lindje të Afganistanit.

Sytë e saj ende kishin shkënditë, por fytyra tregonte vrragët e kohës, pasi ishte martuar me një bukëpjekës dhe ishte nënë e tre fëmijëve. Një fëmijë tjetër i kishte vdekur menjëherë pas lindjes.

Fotografi McCurry

Ajo shprehu dëshirën e saj që fëmijët do të kishin mundësi të shkolloheshin.

Kur ajo u pyet nëse ishte ndjerë ndonjëherë e sigurt, ajo u përgjigj: “Jo. Por jeta nën regjimin Taleban, ishte më e mirë. Së paku kishte paqe dhe rend”.

E pyetur se si ka mbijetuar, ajo u përgjigj se: “ishte vullnet i Zotit”.

Derisa McCurry e gjeti atë sërish, zonja Gula nuk e kishte parë asnjëherë fotografinë e vetes kur ishte fëmijë.

Ajo u rikthye në vëmendjen e publikut sërish vitin e kaluar kur gazetat pakistaneze raportuan se Databaza Kombëtare e Autoritetit të Regjistrimit (Nadra), ka bllokuar kartën e identitetit e lëshuar për të dhe dy meshkuj të listuar si djemtë e saj, nën dyshimin se janë lëshuar në mënyrë ilegale.

Në atë kohë, një burim nga Nadra i ka thënë gazetës pakistaneze Dawn: “Ata mund të mos jenë djemtë e saj, por kjo është një praktikë e panjohur në mes të refugjatëve afganë pasi ata vendosin emrat e jo të afërmëve të tyre si fëmijë të vet, në mënyrë që të marrin dokumente”.

Të mërkurën, Shahid Ilyas, një zyrtar në Nadra ka deklaruar për AFP-në: “FIA arrestoi Sharbat Gula , një grua afgane mbi dyshimin se ka ID të falsifikuar”.

Ilyas deklaroi se autoritetet ishin gjithashtu duke hetuar edhe tre zyrtarë të Nadra-s si përgjegjës për mundësimin e lëshimit të ID-së së falsifikuar për zonjën Gula e cila ishte në arrati që nga dyshimet e vërejtur për mashtrim.

Ai tha se Gula përballet me 14 vjet burg dhe gjobë prej 3 deri 5 mijë dollarë nëse shpallet fajtore.

Pakistani ka ofruar për dekada vend të sigurt për miliona afganë që hynë në këtë shtet pas pushtimit sovjektik në vitin 1979.

Vendi mbanë 1.4 milionë afganë të regjistruar refugjatë, sipas UNHCR-së, duke e bërë shteti i tretë me numrin më të madh në botë që mbanë refugjatë.

Por ndër refugjatët është rritur shqetësimi për të ardhmen e tyre në Pakistan, pasi shteti ka filluar të merret me ata që mund të kenë ID të falsifikuara.

Zyrtarët e Nadra-s deklarojnë se deri më tash kanë verifikuar 91 milionë ID dhe kanë gjetur se 60.675 të nxjerra me mashtrim.

Një zyrtar i Nadra-s i ka thënë AFP-së se 2.473 të huaj, shumica afganë, kanë dorëzuar në mënyrë vullnetare ID-të të cilat janë marrë në mënyrë të kundërligjshme.

18 zyrtarë të Nadra-s janë vënë nën hetime për lëshimin e ID-ve për të huajt dhe 8 janë arrestuar.