LAJMI I FUNDIT:

Mita përball Sllobës dhe vrasjes me paramendim të popullit shqiptar

Mita përball Sllobës dhe vrasjes me paramendim të popullit shqiptar

“Fshatrat shqiptare, nga të cilat burrat kishin ikur me kohë, janë shndërruar në gërmadha. Këto ishin njëkohësisht krematoriumet barbare ku janë djegur të gjallë qindra gra e fëmijë (…) Ushtarët serbë nuk kanë kursyer asnjë fëmijë, grua e të sëmurë shqiptar”! Me këto fjalë nis një shkrim të tij, “Mita dhe Slloba”, Aleksej Kushjuhas, profesor i Filozofisë në Universitetin e Novi Sadit. Telegrafi sjell të plotë këtë shkrim të këtij intelektuali serb, që tërheq vërejtje për politikën e përhershme nacionaliste e antishqiptare të Serbisë, një politikë mashtruese pasojat e të cilat po vazhdon t’i vuajë Ballkani.

aleksej


Aleksej Kushjuhas

Me hyrjen e Ushtrisë serbe në Kosovë, “kemi hyrë në tokë të huaj” ku “është kryer vrasja me paramendim ndaj një kombi të tërë”, që është “vepër krimi”, për të cilat “duhet vuajtur”. Sepse, “togat kanë zgjedh gratë me foshnjat në krahë (…) malësoret (shqiptare) të bukura janë shtrirë si krimbat në djerrinë; femrat kanë lindur nga frika. Për dy orë u shuan 500 shpirtra”. Qeveria serbe shpalli popullsinë shqiptare “për njerëz hiqi ndaj të cilëve duhet përdorur forca brutale”, ndërkohë që “shtypi shovinist vazhdon të shkaktojë tek populli serb urrejtjen për ‘arnautët e egër’, duke fshehur egërsinë të cilën Ushtria serbe e ka kryer ndaj tyre”.

Pyetje për tri “Bambi” (term nga një kuis i njohur i Serbisë, “Muzicki tobogan” – v.j.) është: Kush i shkroi këta rreshta? Jo, nuk e kanë bërë këtë as Natasha Kandiqi, as Sonja Biserko, as gjyqtarët e Tribunalit të Hagës gjatë arsyetimit të aktgjykimit, as Ramush Haradinaj në kujtimet e kohës së luftës, e as “Gratë në të Zeza” gjatë viteve ’90 apo më vonë. Ato i ka shkruar Dimitrije “Mita” Tucoviq, socialisti dhe antisocialisti i parë modern serb, i cili para 102 vitesh, në librin “Serbia dhe Shqipëria: Një kontribut për kritikën e politikës pushtuese të borgjezisë serbe” (1914), shkroi mbi ngjarjet e Luftërave Ballkanike (1912-1913), kur Serbia pushtoi Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Në këtë mënyrë, ka thënë Tucoviqi, borgjezia e Serbisë para Evropës “për herë të parë nga fytyra e kombit serb e hoqi velin e popullit të ndershëm që lufton për çlirimin e tij”. Dhe, me spastrimin etnik dhe mizoritë e paimagjinueshme, Serbia ka krijuar armikun e vetëm të gjakut në mesin e popullatës shqiptare. Tingëllon e njohur? Posi.

Tucoviqi dhe socialdemokratët tjerë serbë me guxim dhe pa u lëkundur kanë kundërshtuar imperializmin, kolonializmin, militarizmit dhe projektin e Serbisë së Madhe. Në vend të grindjes me njëri-tjetrin, për shtete kombëtare të mjera e të uritura në Ballkan, Tucoviqi dhe të tjerët ishin në favor të të ashtuquajturës Federata Ballkanike. Pra, një shteti të lirë, të pavarur dhe të bashkuar (kon)federal nga Adriatiku e deri te Deti i Zi, e ku do të realizoheshin interesat e përbashkëta të të gjithë popujve të Ballkanit. Disa do të thonë Bashkim Evropian “Ballkanik” dhe “i butë socialist”. Me vizion e mbi të gjitha me të drejtë, ata kanë argumentuar se në Ballkanin “e përzier” jetojnë shumë kombe, për çka koncepti i shtetit-komb duke u çliruar njëri veçse po e robëron tjetrin. Kjo është arsyeja pse ata kanë kërkuar që Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, në mënyrë të barabartë me Serbinë dhe pjesën tjetër të shteteve të vogla, të hyjnë në një Federatë të Ballkanit, duke kritikuar çdo aspiratë imperialiste (pra edhe serbe).

Mirosllav Kërlezha studimin e Tuqoviqit e ka quajtur “akt të guximshëm të denjë për respekt”, ndërsa Millovan Gjilas ka thënë se ishte “dëshmi se Serbia ende kishte burra dhe lëvizje që dinin të mbronin nderin dhe interesat e saj reale ndaj qarqeve të prapambetura sunduese”, apo se ishte dëshmi se “ndërgjegjja e popullit serb nuk ka vdekur as në kohën e shovinizmit përçarës”. Partia Socialdemokrate e Serbisë ishte një prej partive më të përparuara e më angazhuara të punëtorëve në Evropë, që ka luftuar për barazi sociale, për të drejtë të përgjithshme për votë, për tatim sipas nivelit të të ardhurave, për uljen e shpenzimeve për ushtri, për zhvillim të arsimit dhe për modernizim të përgjithshëm të Serbisë. Ajo ishte e vetmja parti në Evropë që në Parlament ka votuar kundër Buxhetit të Luftës dhe kredive të luftës, para Luftës së Parë Botërore, duke theksuar se fjala është për “poshtërsi të papërgjegjshme të shovinistëve në rroba civile”.

Natyrisht, Tucoviqi dhe socialdemokratët në Serbi perceptoheshin dhe janë përshkruar si tradhtarë të Serbisë, si agjentët austriakë dhe mbetje të popullit serb, edhe pse ishin alternativë me ndikim dhe me rëndësi, një kundërvënie në vertikalen jetëgjatë morale të kësaj epoke të çmendur. Por, vet Tuqoviqi, si kapiten serb, vdiq në baltën e Betejës së Kolubarit, në moshën 33-vjeçare, në konfliktin që me saktësi e ka përshkruar si “çartja e pasioneve të luftës imperialiste e shoviniste”. Si asnjë luftë “e madhe”, në të cilën “ushtarët kanë humbur të gjitha ndjenjat njerëzore si qentë e çartur që vrapojnë rrugës nga shtëpia në shtëpi, duke kërkuar se çka do të plaçkitin. Fëmijët dhe gratë mundohen të shpëtojnë çka kanë, derisa nuk i hesht pushka e drejtuar në gjoks (…) Një ushtar tund kosheret e bletëve, tjetri derdh raki, i treti e merr bukën nga furra. U bë një kaos i tillë sa që thua se ky shtet nuk ekziston e se kush kë s’e njeh”!

Të gjitha këto është mirë t’i përkujtojmë para ideve, jashtë rezonit, të kryetarit të nderit dhe atij aktual të Partisë Socialiste të Serbisë, Millutin Mërkonjiqit dhe Ivica Daçiqit, që përmendore në Beograd të ketë Sllobodan Miulosheviqi. Dhe kjo të bëhet, siç kemi dëgjuar, pikërisht aty ku është varrosur Dimitrije Tucoviqi, pra në Sheshin Sllavija të Beogradit. Nëse ky skandal intergalaktik dhe lëkundje toke ndodh, ky do të ishte vërtetimi definitiv simbolik dhe kulmi i kundërrevolucionit të fundit të viteve 1980 dhe fillimit të viteve 1990. Do të ishte edhe një lloj ironie historike që monumenti i kritikut më të madh të Serbisë së Madhe dhe militarizmit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, të zëvendësohet në të njëjtin vend me monumentin e figurës dhe krijesës që rinisi projektin e Serbisë së Madhe – duke filluar me Kosovën. Projekt ky, meqë ra fjala, dukej se shkëlqente por që ishte i pasuksesshëm për një medalje olimpike.

Sepse, Sllobodan Milosheviqi erdhi në pushtet duke nxitur shovinizmin serb dhe racizmin kundër shqiptarëve të Kosovës dhe nga pushteti është dëbuar pas tentimit për spastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës. Pra, pas një cikli të ri të mizorive të “vrasjes me paramendim ndaj një kombi të tërë”, dhe pastaj “me fshehjen e egërsisë”, ka heq sërish nga populli serb, para syve të botës, “velin e një populli të ndershëm”, siç ka shkruar Mita Mita Tucoviqi. Për këto kanë rënë bombat mbi kokët tona, në kazerma dhe ura, duke reaguar gjithë bota perëndimore dhe moderne.

Njëqind vjet më vonë, historia me të vërtetë është një farsë që përsëritet edhe sot kur po jetojmë. Çfarë do t’i thotë Mita, Sllobës? Për fjalimin në Gazimestan më 1989 kur shpalli luftën dhe konfliktet etnike? Për atë se “përsëri jemi para betejave në beteja; se ata nuk janë të armatosur, por as kjo nuk mund të përjashtohet”? Dhe, a do të jetë dikush për të parë e dëgjuar? Ndoshta bash mbetjet tokësore të Tucoviqit paralajmërojnë në mënyrë të përhershme, se kjo Sllavi e mallkuar dhe rrethrrotullimi i saj janë ende konfuz e hutues?

Këtu është esenca e kundërrevolucionit serb, fundi simbolik i të cilit ose epshi i mjerë mund të jetë zhvendosja e Mitës për t’i bërë vend Sllobës. Nuk është fjala për asnjë “kthim te vitet e nëntëdhjeta”, edhe pse krijesat tjera si Vulini e Drecuni vazhdojnë të na brengosin. Por, fjala është për një logjikë antimoderne, nacionaliste dhe kundërrevolucionare që po vazhdon pa u ndalë që nga fundi i shekullit XIX, nga fillimi i shekullit XX e deri më sot. Dhe po, kjo nënkupton edhe Zoran Gjingjiqin kur e hoqi yllin me pesë cepa më 1997 dhe kur e solli mësimin fetar si lëndë gjysmë-obligative më 2001. Edhe riemërimi i rrugëve, edhe neglizhimi i monumenteve, edhe ndryshimi i teksteve shkollore, edhe Srebrenica e Vukovari, edhe pajtimi me socialistët e Milosheviqit dhe kërkimi maniak për kockat Drazhës (Mihajloviq, kreu i çetnikëve serbë në Luftën e Dytë Botërore – v.j.) me “lenonka” (stili i syzeve që i mbante John Lennon – v.j.).

Dhe, kështu, kush e di, ndoshta është më e përshtatshme që Tucoviqi të zhvendoset nga kjo qendër e Beogradit, e edhe nga pjesa tjetër e Serbisë mendjengushtë, reaksionare, nacionaliste; nga Serbia që është në të njëjtën baltë dhe në të njëjtin mentalitet si një shekull më parë. Kush sot ka vesh për idetë e Tucoviqit? Dhe, a ka njerëz trima si Tucoviqi mes nesh? Në cilën trashëgimi jetojmë sot, të Mitës apo Sllobës? Ballkani (Perëndimor) është më i ballkanizuar se kurrë, dhe nuk e ka njet të ndalet me budallallëqet e saj. Përmendin “padrejtësi historike”, numërojnë vetëm viktimat e tyre, e në mënyrë kolektive shohin ëndrra të lagëta për një madhësi e për një dalje në det. Ndërsa, në të njëjtën kohë nuk kanë centë për të shkuar në atë det, për të kripur prapanicën, për të përtypur sufllaqe apo për të pjekur kalamari në skarë. Ose thjeshtë të lirohen dhe relaksohen veç një herë, pa shovinizëm, pa ngarkesa historike dhe pa frustrime tjera seksuale.

Tucoviqi i ndjerë edhe ashtu deri tash pesë herë është zhvendosur (Mali i Vrapçit, Kolubarë, Kisha e Llazarevës, Sllavija, dhe siç paralajmërohet te Varrezat e Reja), që do të thotë se këtij njeriu nuk i jepet paqja. E, kjo është shumë mirë. Nga ana tjetër, le ta qojnë Sllobodan Milosheviqin në vend të Mitës në Sllavi. Sepse, së paku kështu do të jemi të sinqertë ndaj vetes, apo jo? Pra, të sinqertë ndaj asaj që veç neve na intereson e që do t’ua bënim të tjerëve; rreth asaj se cilat janë monumentet reale dhe kujt i përulemi me të vërtetë. Derisa shoku Mita apo thjeshtë realiteti jetësor nuk na përkujton në rolin borgjezisë serbe në politikën trazuese, pra mashtrimin kolektiv nacionalist të të gjithë neve, fshatarët, punëtorët dhe inteligjenca e drejtë – për shkak të këtij mashtrimi – ka mbetur e varfër, e vogël, e mjerë dhe e përbuzur në botë. /Telegrafi/