0Shares

Me 64 vota për, 26 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në leximin e dytë, Ligjin për buxhetin e vitit 2013, në shumë prej 1 miliard e 586 milionë euro. Mirëpo në këtë ligj nuk ka arritur që të hyjë amandamenti i cili ka të bëjë me fillimin e kompensimit material për ish-të burgosurit e Kosovës.

Për këtë çështje ka folur edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi i cili ka thënë se duhet të qartësohet numri dhe kategorizimi i të burgosurve.

“Ne kemi diskutuar me Shoqatën e të Burgosurve Politik dhe ka qenë prioritet, që të zgjidhim çështjen e të burgosurve politikë, por definitivisht duhet të qartësohet numri dhe kategorizimi i të burgosurve prej cilës periudhë deri në cilën periudhë, sepse tek e fundit edhe ai që ka qëndruar vetëm një moment ka qenë i burgosur nga Serbia dhe meriton trajtim institucional”, tha Thaçi.

Ai ka shprehur zotimin që këtë çështje të zgjidh sa më shpejt, por siç ka thënë ai në gjashtë mujorin e ardhshëm, pasi që është marrëveshje me FMN-në.

Ndryshe në buxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm janë planifikuar të hyrat e përgjithshme prej 1 miliard e 423 milionë euro, kurse shpenzimet prej 1 miliard e 586 milionë eurosh.

Ndërsa investimet kapitale parashihen në vlerë 621 milionë euro, 40 për qind e të cilave do të dedikohen për projektin e autostradës Morinë Merdar, kurse 30 milionë për fillimin e autostradës së re në drejtim të Hanit të Elezit. Në buxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm janë planifikuar të hyrat e përgjithshme prej 1 miliard e 423 milionë euro, me një rritje prej 3 për qind krahasuar me këtë vit, kurse shpenzimet prej 1 miliard e 586 milionë eurosh, me një rritje prej 4 për qind.

Të hyrat doganore parashihet të jenë 915 milionë euro, kurse ato vendore 301 milionë euro. Ndërkaq deficiti primar është parashikuar të mbulohet nga bartjet e këtij viti. /Telegrafi/

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)