LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Drejtësisë sqaron rreth arbitrazhit për Hotel Grandin

Ministria e  Drejtësisë sqaron rreth arbitrazhit për Hotel Grandin

Ministria e Drejtësisë (MD) ka konfirmuar se Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve të Investimeve e ka regjistruar kërkesën e kompanisë “Mabco Constructions SA” për të filluar procedurën e arbitrazhit kundër Kosovës.

Siç bëhet e ditur në një kumtesë për media të MD-së, Kosova në këtë proces do të përfaqësohet nga Avokatura Shtetërore në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi.


“Duke marrë parasysh që procedura e arbitrazhit është konfidenciale, dhe me qëllim që të mos paragjykohet asnjë veprim procedural, Avokatura Shtetërore do të respektojë konfidencialitetin e procedurës së arbitrazhit dhe shpreson se edhe pala tjetër do të veprojë njëjtë. Pritet që pas regjistrimit të rastit të fillojë procesi i konstituimit të tribunalit të arbitrazhit i cili pastaj do të drejtojë procedurën”, njofton Ministria e Drejtësisë.

MD-ja thekson se qytetarët do të jenë të informuara. “Avokatura Shtetërore do të njoftojë publikun për ecurinë e procedurës së arbitrazhit me kohë dhe brenda asaj që e lejon konfidencialiteti i procedurës”.

Arbitrazhi do të zhvillohet në lidhje me shitjen e Hotel Grandit, me ç`rast Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, është aksionarë në “Mabco Construction”. /Telegrafi/