LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Bujqësisë dyfishon subvencionet

Ministria e Bujqësisë dyfishon subvencionet

Shumica e fermerëve në vendin tonë po del se janë të kënaqur me mbështetjen, të cilën po e marrin nga Ministria e Bujqësisë, e cila, krahasuar me një vit më parë, ka dyfishuar shumën e subvencioneve për ta. Me gjithë këtë, ekspertë të kësaj fushe, por edhe zyrtarë nga Ministria e Bujqësisë, konsiderojnë se buxheti i ndarë për këtë ministri, nuk mund të përmbush në tërësi kërkesat e bujqve. Ata i bëjnë thirrje qeverisë, që të ndajë mjetet e nevojshme, pasi që konsiderojnë se për zbutjen e papunësisë bujqësia është e vetmja alternativë.

Për kryetarin e shoqatës “Bashkimi i Shoqatave Bujqësore të Kosovës”, Agim Sahiti, kjo është edhe një shenjë që tregon se fermerët nga viti në vit, po arrijnë të jenë pjesë e programeve zhvillimore të Ministrisë së Bujqësisë, gjë e cila po ndikon edhe në avancimin e fermerëve në veprimtaritë e tyre bujqësore.

Sipas tij, ky sektor ka ende nevojë për mbështetjen e institucioneve vendore, porse e gjithë kjo po varet edhe nga buxheti, të cilin e ndan Qeveria e Kosovës për këtë sektor.


I pari i bujqve pohon se prodhuesit e qumështit, të bletëve, deleve dhive, janë të kënaqur me shërbimet që u ka ofruar Ministria e Bujqësisë, ndërsa shpeztaria, sipas tij, deri më tani nuk është përkrahur, por që këtë vit edhe për këtë sektor janë ndarë mjete në formë subvencioni, transmeton Kosovapress.

Ndërsa, për zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë rëndësi ka mbarëvajtja e proceseve dhe përkrahja e fermerëve meritorë. Sipas zëdhënësit të kësaj ministrie, Adil Behramaj, secili fermer që përfiton është i kënaqur dhe secili që nuk përfiton, mund të ndahet i pakënaqur.

Behramaj, pohon se gjatë vitit të kaluar kanë aplikuar gjithsej 21 mijë e 672 fermerë, kanë përfituar 19 mijë e 195 prej tyre dhe pakënaqësi përmes ankesave të tyre kanë shprehur vetëm 109 fermerë.

Derisa, 146 fermerë, sipas Behramajt, janë tërhequr vet nga investimi, sepse nuk kanë mundur ta sigurojnë pjesën që duhet ta vetëfinancojnë.

Ai deklaron se pakënaqësitë kanë të bëjnë me kriteret e rrepta, mirëpo shton se fokusi i Ministrisë së Bujqësisë është më shumë zhvillimor se sa social dhe se nuk janë të fokusuar tek fermat ekzistenciale që prodhojnë vetëm për nevojat e tyre familjare, por tek fermat gjysmë komerciale dhe komerciale që prodhojnë dhe janë të orientuara drejt kërkesave dhe nevojave të tregut për produktet e ndryshme bujqësore.

Edhe Tahir Tahiri, kryetar i Sindikatës së Bujqve të Kosovës, ka pranuar se Ministria e Bujqësisë, në vazhdimësi ka rritur përkrahjen për bujqit, por megjithëkëtë ka fajësuar qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij, nuk po e trajton bujqësinë si prioritet.

Kryesindikalisti Tahiri, ka drejtuar edhe akuza në adresë të Ministrisë së Bujqësisë, duke thënë se e njëjta po i diskriminon bujqit në baza partiake. Por, Behramaj një akuzë të tillë e konsideron të pakuptimtë dhe absurde.

“Tendenca për të pasqyruar si të politizuar çdo shërbim publik është mjaft e shprehur në shoqërinë tonë dhe një akuzë e tillë, përveç se është e pakuptimtë është edhe absurde. Secili fermer që aplikon për të përfituar subvencione prej Ministrisë së Bujqësisë, të gjithë përfitojnë dhe subvencionet janë fikse, por duhet të jenë në përputhje me kriteret”, ka thënë ai.

Behramaj, shpjegon se në bazë të grafikonit që posedon kjo ministri në periudhën kohore, 2009-2013, janë pikërisht komunat që udhëhiqen nga partitë opozitare që kanë përfituar më shumë prej Ministrisë së Bujqësisë, duke përmendur, komunën e Prishtinës, Rahovecit, Istogut, Gjakovës dhe Pejës.

Krahasuar me vitin e kaluar, Ministria e Bujqësisë, ka dyfishuar buxhetin për subvencione, pasi që në vitin 2012, buxheti i kësaj ministrie për subvencione ishte rreth 14 milionë euro, ndërsa për vitin 2013, është ngritur në 27 milionë. /Telegrafi/