LAJMI I FUNDIT:

Milan Sufflay për kufijtë e shqiptarëve në Mesjetë: Mali i Zi, fëmijë i llastuar i Shqipërisë

Milan Sufflay për kufijtë e shqiptarëve në Mesjetë: Mali i Zi, fëmijë i llastuar i Shqipërisë

Etnosi i shqiptarëve është i një lashtësie të madhe dhe me këmbëngulje (vitale) në Ballkan. Për më shumë se njëmijë vjet e ndante fatin e njëjtë me racën tashmë plotësisht të çliruar helene dhe sllave . Në kohën para-turke Shqipëria edhe nëse nuk u formësua si një njësi politike e qëndrueshme, ajo ishte një koncept etnik-gjeografik, paralelisht me konceptin politik të Bullgarisë dhe Serbisë, ndërkohë që Mali i Zi në kuptimin historik mund të merret vetëm si një fëmijë i llastuar i Shqipërisë, ka shkruar historiani i njohur Milan Sufflay, më 13 prill 1913. Teksti është përkthyer nga anglishtja nga Musa Ahmeti dhe Etleva Lala.

Raban-i i serbëve në shekullin XII është tashmë dukshëm më i madh në krahasim me Arbanon-in e Bizantit nga shekulli XI; atij i takon tashmë edhe Pulti i poshtëm dhe i epërm, viset që shtrihen nga bregu lindor i Liqenit të Shkodrës deri në bregun e Drinit. Në po këtë kohë ose diçka më vonë (1255), Arbanoni i bizantinëve është tashmë një nocion me cilësi të veçanta shtrirjeje drejt juglindjes. Emërtimi Shqipëri (Albania) shtrihet mjaft herët edhe drejt jugut, sepse princi shqiptar Karl Thopia i cili në vitin 1381 veten e quan “Zotërues i gjithë Shqipërisë” sundon në fakt territorin nga lumi Mat deri në lumin Dieval (Seman). Kështu del se në shekullin XIV, sipas dokumenteve raguzane S. Sergius në lumin Buna, ndërsa në shekullin XV edhe Tivari, manastiri Rtaç (Roteo), madje edhe Lustica te Kotori të shënohen se shtrihen brenda Shqipërisë, ndërsa në përshkrimet venedikase Shqipëri quhet vendi nga Ulqini deri në Vlorë.

Mund të thuhet pothuaj pa kurrfarë dyshimi se trungu i popullit shqiptar, së paku sa i takon mesjetës jetonte në masa kompakte në atë gjerësi që arrinte emri Shqipëri dhe qendrën e kishte në Krujë. Nëse duhet shtuar edhe kjo, kufijtë e Shqipërisë mesjetare mund të tërhiqen me saktësi relative, po u morën në konsideratë zonat e sundimit të fiseve të veçanta aristokrate të pastra shqiptare, sundim ky që, duke u nisur nga ndjenja e shquar shqiptare e përkatësisë së tyre fisit, mund të mbështetej vetëm në milieun shqiptar.

Nëse pra burimet mesjetare pa asnjë dyshim dëshmojnë se në shekullin XIII sundonte pothuajse i pavarur një fis thjesht shqiptar në disa gjenerata me qendër në Krujë (Progoni, Gjini, Dhimitri, Golemi); nëse në mënyrë koncentrike në veri dominonin familjet Dukagjini, Suma, Jonima, Dushmani; ndërsa në bregdet dhe në jug familjet Matrënga, Thopia dhe Muzakaj; nëse shihet qartë se nga Shkodra nëpër Koplik deri në Tuz zotëron një masë e qartë shqiptare dhe në shekullin XIII raguzanët raportojnë për sulme shqiptarësh te lumi Cem; nëse nga dokumentet serbe del qartë se në rrethinën në mes të Vlorës dhe të dy Drinëve sundojnë fise shqiptare, ndërsa nga burimet greke se Dibra është etnikisht shqiptare; nëse në Vlorë në shekullin XIII gjenden fisnikë shqiptarë shumë të greqizuar – mund të përfundohet me të drejtë se koncepti gjeografik i Shqipërisë mesjetare, ashtu si u zhvillua ai në shekullin XV, është në të vërtetë një koncept etnik par exellence, dhe se është blloku autokton etnik shqiptar që materialisht mbush kufijt e këtij nocioni.

Fizikisht është në të vërtetë një vend i kyçur nga jashtë, i ndarë nga vendet fqinj me kufij natyrorë pa pothuaj kurrfarë vendkalimi, vetëm drejt verilindjes mund të gjendet një boshllëk i rëndësishëm në vargmale dhe këtu (mbi Prizren) që në mesjetë shqiptari ose më mirë emri shqiptar (në mediumin ilir) kishte kaluar kufijtë e vendit të vet autentik. Dhe ky vend mbulohet në gjerësi dhe në gjatësi nga Illyricum Proprium i romakëve, por sidomos nga Epirus Nova i grekëve, nga Thema Dyrrhachion dhe burimisht nga Dukata e Durrësit e venedikasve dhe kufijtë e të cilit përputhen me ato të pjesëve të kishës së Durrësit e cila në shekullin X kishte mbi 15 shufraganë: Stefaniaka (te Vlora), Cunavia (rreth lumit Mat), Kruja, Lezha, Dioklea (te Podgorica, buzë lumit Moraça), Shkodra, Drishti, Pulti, Gllavinica (te Vlora), Vlora, Ulqini, Tivari, Cerniku (te Elbasani), Berati dhe Gradac (te Vlora)!

Ndonëse që në shekullin XI Tivari u shkëput nga Durrësi, pas fërkimeve të shumta me kryeipeshkvin e Raguzës, Tivari mori vetë ,natyrisht si kryeipeshkvi, sundimin kishtar mbi territoret shqiptare si Shkodra, Drishti, Ulqini etj. Kryesisht në këtë moment kishtar qëndron arsyeja pse ne Tivarin nuk e nxjerrim nga koncepti gjeografik i Shqipërisë mesjetare dhe pse nuk mund të shohim si kufi verior bregdetar shtratin e rrafshët të lumit Buna.

Mbas gjithë asaj që u tha, konceptin shkencor gjeografik i Shqipërisë mesjetare rrjedhimisht në mënyrë të shkurtë mund ta definojmë kështu: Shqipëri mesjetare është katërkëndshi Tivar-Prizren-Ohër-Vlorë. Mirëpo kufijtë më të saktë janë këta: Nga Tivari mbi Pass Suterman-in, tashmë të njohur në mesjetë, përmes Liqenit të Shkodrës te lumi Moraça, pastaj përgjatë lumit Cem deri te burimi i tij. Mbi Bjeshkët e Nemuna, Mali Kakinjo (Albanische Knoten), Nyjet shqiptare dhe burimi i: Valbonës mbi lumin Erenik nën Gjakovë në Drinin e Bardhë, mbi Prizren, Lumë, Drinin e zi, kur dihet se Dibra i takonte Shqipërisë, përmes vargut të maleve që shkon paralelisht me luginën e Drinit deri te Liqeni i Ohrit, nëpër bregun perëndimor të liqenit, nëpër Podgorac (Pogradec?), Radoshe, lumin Dieval, përgjatë lumit Tomorrica, te lumi Osum në jug të Beratit, përgjatë lumit Osum nëpër degën e tij Prroni i Selës në kthesën kryesore të Vjosës dhe nëpër degëzimin e saj Sushicën, poshtë Vlorës deri në bregdetin e Adriatikut. Periferia e harkut me radiusin Krujë-Vlorë përputhet më së shpeshti me këta kufij dhe i përfshin të gjithë ata në vete! /Shqiptarja/Telegrafi/