LAJMI I FUNDIT:

Merr fund “paraliza politike” në Spanjë

Merr fund “paraliza politike” në Spanjë

Mbreti Felipe VI ka ngarkuar sërish kryeministrin në detyrë, Mariano Rajoy, për të tentuar formimin e një qeverie të re në Spanjë. Lajmi është konfirmuar nga vet udhëheqësi i Partisë Popullore, pas takimit që zhvilloi me kreun e shtetit.

Spanja ka rreth 10 muaj pa një qeveri funksionale, që prej votimeve të dhjetorit të vitit të kaluar dhe atyre të qershorit të këtij viti, të fituara të dyja nga partia e Rajoyt, por ky i fundit nuk ka mundur të sigurojë shumicën e nevojshme për të qeverisur vendin.


“Drita jeshile” për këtë zhvillim ka ardhur pasi udhëheqësi i përkohshëm i Partisë Socialiste në Spanjë, Javier Fernandez, komunikoi edhe zyrtarisht përpara Mbretit vullnetin e tij për të abstenuar në momentin e votëbesimit të ekzekutivit të ri.

Rajoy ka pranuar “pa rezerva” ofertën e Mbretit, ndërsa do t’i nënshtrohet në ditët në vijim emërimit nga Kongresi i deputetëve. Gjithsesi, kreu i Partisë Popullore ka konfirmuar se do të formojë një qeveri pakice. “Jam tërësisht i ndërgjegjshëm për vështirësitë e një qeverie pakice”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar më tej se, qeveria e re do të mund të jetë e qëndrueshme dhe jetëgjatë, vetëm falë “dialogut dhe akordeve” me forcat kushtetuese, veçanërisht me Partinë Socialiste dhe atë të “Qytetarëve”, apo “Ciudadanos”.

Rajoyt do t’i mjaftojnë për t’u zgjedhur nga Kongresi, të shtunën ose të dielën, vetëm 170 vota nga 350 në total sa ka Parlamenti spanjoll, me kushtin që Partia Socialiste të abstenojë. Për të qeverisur dhe për të mos humbur votëbesimin, ai duhet të negociojë paktet e ndryshme me opozitën, mbi të gjitha me socialistët, të cilët janë aktualisht në një pozicion të vështirë dhe në “rindërtim” total, por edhe përballë kritikave të “Podemos”, tjetër parti e majtë në Spanjë. Kjo e fundit gjendet në një betejë të brendshme për pushtet mes Susana Diaz dhe “sançistëve”.

Midis dy partive të mëdha, që kanë qeverisur Spanjën nga fundi i diktaturës, pritet të ketë një periudhë të vështirë. “Ditën, Partia Socialiste do të bëjë opozitë të fuqishme në Kongres, por natën – siç parashikon analisti Enric Lujiana, – Partia Popullore dhe socialistët do të kërkojnë arritjen e marrëveshjeve”.

Nga ana e tij, Mariano Rajoy e konsideron vendimin e Komitetit federal të PS-së (abstenimin në votëbesimin ndaj tij) si tepër të rëndësishëm dhe të arsyeshëm, pasi është një zgjedhje që lejon dialogun. /tch/