LAJMI I FUNDIT:

Merovci paralajmëron: Do të zbardh të gjitha të pathënat për Rugovën

Merovci paralajmëron: Do të zbardh të gjitha të pathënat për Rugovën
-->

Njeriu, i cili ndoshta njeh më së miri historinë dhe të bëmat e Rugovës, për një dekadë, 24 orë pa ndërprerë qëndroi afër presidentit Rugova, Adnan Merovci, paralajmëron se do të sjell shumë të pathëna për veprimtarinë e karakterin e Rugovës.

Sado që dilema pati rreth e rrotull se prej nga erdhi e kush ishte Merovci, ai kishte vendosur atë kohë t’i bashkohej Rugovës vetëm mbi bazën vullnetare – për ta ndihmuar.

E ndonëse ishte i diplomuar e me 10 vjet përvojë pune, Merovci kishte marrë vendimin e pakthyeshëm, ta ndiqte Rugovën hap pas hapi. Prej mëngjesit deri në mbrëmje. Prej viteve ’89-’90 deri në vitin 2000. Në situata të qeta e në rrezik. Dhjetë vjet rresht, pa ndalur! Ai për këtë kohë ishte kujdesur për sigurinë e tij, për protokollin, për mbarëvajtjen e zyrës, për ndërmjetësimin në takime, listën e takimeve, etj, shkruan gazeta Zeri.

Merovci madje ishte edhe protagonist i ditëve të para të vilës së njohur të Rugovës në “Velani”. Ai tregon se presidenti fillimisht kishte banuar në “Lakrishte”, por pas zgjedhjes së tij president, më 24 maj 1992, Rugova nën shoqërimin e Merovcit ishte sulmuar nga serbët.

“Ditën e zgjedhjeve, pasi që ka dalë vetë Rugova për të votuar, gjatë kthimit e kemi pasur një incident, kemi qenë të sulmuar prej serbëve dhe serbët na kanë sulmuar me materiale të forta prej kateve të sipërme dhe Zoti ka dashur të jemi në jetë”, tregon ai.

Dhe pikërisht ky ka qenë momenti kur ishte marrë vendimi për largimin e Rugovës. Për rreth gjashtë muaj ai kishte qëndruar te një mik i tij e tek pastaj në “Velani”.

Rugovës shpesh i janë veshur disa gjëra jo të vërteta. Figura e tij është goditur shumë herë me disa të paqena. Adnan Merovci tregon se si Rugova ishte më se i sigurt për ta nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë. Ai madje thotë se ishte pikërisht Hashim Thaçi ai i cili nuk donte ta hidhte nënshkrimin.

“Rugova në një moment ka qenë 100% për Marrëveshjen e Rambujesë, por ka pasur hezitime nga të tjerët. Për shembull, Thaçi në mënyrë shumë insistive e ka refuzuar Marrëveshjen e Rambujesë dhe kështu ka qenë lufta, gjegjësisht shfrytëzimi i autoritetit të Rugovës nga të tjerët për ta bindur Thaçin për ta nënshkruar atë”, thotë ai.

Ai më tej tregon se si sekretarja e SHBA-së, Madeleine Albright, ishte përkulur për t’i lutur shqiptarët për ta nënshkruar marrëveshjen si rruga e vetme për t’i ndihmuar shqiptarët.

Mandej, Merovci tregon se ajo që lidhet me luftën janë paralajmërimet e Rugovës. Ndërkaq, assesi nuk është e vërtetë ajo që i vishet atij se kinse Rugova paska thënë se UÇK-ja qenka dorë e zgjatur e Serbisë.

“Aktiviteti, veprimtaria e Rugovës ka qenë e hapur, ka qenë publike. Dhe fjala vjen, gjëja e parë që lidhet me luftë të armatosur, lidhet me paralajmërimet e Rugovës. Në vitin 1989 Rugova e ka paralajmëruar luftën në Kosovë që do të ndodhë dhe u çon selam serbëve që t’i kenë parasysh kërkesat e shqiptarëve”, nënvizon ai gjatë rrëfimit.

Madje ai thotë se Rugova shumicën e aksioneve të zhvilluara të UÇK-së i ka ditur paraprakisht.

“Ka pasur vija të komunikimit, por Rugova ka qenë në vijën e politikës dhe ai në mënyrë të hapur nuk i ka afirmuar këto aktivitete publikisht, sepse ka qenë në politikë dhe kjo ka qenë strategji e kësaj. Por, a e ka mohuar Rugova UÇK-në ose luftën, kjo është një banalitet ose një marrëzi”, potencon ai.

Merovci më tutje thotë se deklarimet në të cilat thuhej se Rugova kishte kërkuar ndaljen e bombardimeve, janë tërësisht të pavërteta.

E të gjitha këto të pathëna së shpejti pritet të zbardhen në dy librat e ardhshme të Merovcit./Zëri/