LAJMI I FUNDIT:

Mendoni pak për shtetin

Mendoni pak për shtetin

Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare dhe i të drejtave të njeriut, Adem Demaçi, u ka bërë thirrje politikanëve që para se të mendojnë për interesat e tyre, të bëjnë më shumë për qytetarët të cilët janë duke e vuajtur këtë nivel korrupsioni, ekonomi shkatërruese, shëndetësi dhe arsim pa vizion.

Demaçi si të rëndësishme në këtë pesëvjetor të shtetit të Kosovës, konsideron njohjet nga gjysma e shteteve të botës. Ndërsa, në segmentet tjera nuk ka parë asnjë lloj përparimi.

“Si po mbijeton ky popull? Po mbijeton falë solidaritetit të madh që kemi ne, se krejt pensionistët, krejt invalidët, krejt ata që kanë nevojë për ndihma do të vdisnin. A jetohet me 45, 80 a 100 euro?”, ka thënë Demaçi në një intervistë për KosovaPress.

Ai nuk ka lënë pa kritikuar zyrtarët e institucioneve që merren me interesa personale, duke mos qenë në shërbim të qytetarit të vendit.

“Ministër e kryeministër do të thotë shërbëtor, e kryeshërbëtor të kujt?! Të popullit. Duhet t’i shërbejnë popullit e jo t’ i shërbejnë disa qarqeve atje që merren me korrupsionin e me punë të liga e mafiozitete e njëqind të zeza që na kanë pllakosur neve. T’i ketë Kosova 20 mijë njerëz të cilët e përdorin drogën, kjo është katastrofë”, ka deklaruar ai.

Demaçi ka folur edhe për pritjet e dialogut që po vazhdon midis Kosovës dhe Serbisë dhe deklarimeve të zyrtarëve se do të prodhojë një traktat paqeje midis këtyre dy vendeve. Ai këto pritje i ka quajtur si qesharake, përderisa Kosova vazhdon të figurojë në Kushtetutën e Serbisë si pjesë përbërëse e saj.

“Kemi mbetur një copë Kosovë edhe këtu donë t’ia heqin një copë”, ka deklaruar ai.

Demaçi ka ripërsëritur që institucionet e Kosovës, liderët e tyre, duhet të bëjnë më shumë punë se fjalë të kota, duke marrë si shembull debatin për liberalizimin e vizave. Sipas tij, shumica e qytetarëve të Kosovës kanë halle të tjera më urgjente se vizat, të cilat as që u bëjnë përshtypje. /Telegrafi/