LAJMI I FUNDIT:

Mëkatarët që rrezikojnë paqen në Ballkan

Mëkatarët që rrezikojnë paqen në Ballkan

Ksenofon Krisafi

Prej disa ditësh, Uashingtoni dhe Brukseli përcjellin vlerësime shqetësuese për situatat problematike në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar atë si një vatër potenciale me rreziqe reale për destabilizim. Një vështrim i shpejtë konfirmon se marrëdhëniet në rajon janë të tensionuara. Politikat nacionaliste dhe tentativat për ndërhyrje në punët e brendshme të njëri-tjetrit, kanë krijuar probleme ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë etj., kurse në Maqedoni, prej më shumë se dy vjetësh vazhdon kriza politike. Johannes Hahn, duke shprehur shqetësimin e BE, e ka cilësuar Ballkanin si “një enë të mbushur me vaj”, të cilës i “duhet vetëm një shkëndijë që të shpërthejë zjarri”.


Flitet edhe për ndikime nga ana e Rusisë ose shteteve të tjerë, të cilat, sipas njoftimeve të mësipërme, dëshirojnë ta kthejnë hapësirën ballkanike në sferë të influencës së tyre. Pa i pranuar dhe pa i përjashtuar ato à priori, mendoj se shkaqet kryesore kanë të bëjnë në radhë të parë me zhvillimet e brendshme në vetë shtetet e rajonit, ku, pothuajse në secilin prej tyre, vihet re prania e problemeve shqetësuese. Ato manifestohen në krizat e vazhdueshme elektorale, në tentativat për bllokimin e ripërtëritjes së mazhorancave në qeverisje, në pengimin e zbatimit të programit të reformave etj. Shtetet e rajonit ballafaqohen gjithashtu me probleme ekonomike, me varfëri, papunësi, rritje çmimesh, emigracion etj., disa prej të cilëve dëshirojnë t’ua faturojnë faktorëve të jashtëm, veçanërisht marrëdhënieve me shtetet fqinjë.

Shkaqet e situatave problematike në rajon mund të kenë të bëjnë edhe me këto raporte, të cilat fatkeqësisht karakterizohen nga përplasje, akuza e kundërakuza, provokime e kërcënime, që shfaqen në organizim veprimtarish apo gjeste sfiduese, tipike ballkanike ose edhe në përdorimin e një gjuhe konfliktuale, hera-herës kërcënuese, të papërshtatshme për marrëdhëniet ndërmjet shteteve fqinjë. Në përkeqësimin e tyre ndikojnë negativisht gjithashtu situatat traumatike që zhvillohen në shtetet përreth, që mund të përcjellin dhe të shkarkojnë në Ballkan pasojat e tyre tensione dhe kriza. Nëse ato gjejnë terren të favorshëm, rrezikojnë ta përkeqësojnë akoma më shumë gjendjen.

Për të kuptuar shkallën e rrezikshmërisë mund të ndihmonte referimi te historia. Për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, që shkaktoi miliona viktima dhe dëme kolosale materiale, shërbeu si pretekst vrasja e trashëgimtarit të fronit të Austro-Hungarisë, Franc Ferdinandit, në Sarajevë. Konflikti i përgjakshëm në ish-Jugosllavi, që i mori jetën disa qindra mijëra njerëzve të pafajshëm, u shpërthye nga aventurierët e papërgjegjshëm, Sllobodan Milosheviqi, Ratko Mlladiqi, Vuk Drashkoviqi etj. Tragjeditë e mësipërme tregojnë se kërcënimet dhe sjelljet agresive nuk duhen nënvlerësuar.

Por, historia dhe përvojat e saj, na vijnë në ndihmë edhe për të gjetur alternativa zgjidhjesh. Ato tregojnë se ngjarjet konfliktuale në Ballkan, si kudo gjetiu, shfaqen si situata që nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm, kërkojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të rajonit, përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar. Politika e pajtimit dhe forcimi i bashkëpunimit politik, ekonomik, social, kulturor etj., ndërmjet tyre, kanë si premisë bazë heqjen dorë prej shigjetimeve të fqinjëve në distancë dhe uljen në bisedime për identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve.

Për shmangien e situatave eksplozive duhet të vlerësohen me mirëkuptim këshillat dashamirëse që vijnë nga faktori ndërkombëtar, i cili gjithashtu vazhdon të përsërisë se pajtimi afatgjatë mund të arrihet përmes perspektivës evropiane, realizimit të reformave, ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nismave të bashkëpunimit rajonal. Nuk ishte rastësi që gjatë samitit të liderëve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, në marsin e këtij viti, në Sarajevë, Bashkimi Evropian, inkurajoi krijimin e tregut të përbashkët rajonal, i cili do të hapë më shumë se 80 mijë vende të reja të punës.

Intelektualët, institucionet fetare, klerikët dhe shoqëria civile në shtetet ballkanikë mund të ndikojnë jo pak në largimin e konflikteve dhe instalimin e klimës së bashkëpunimit. Të çliruar nga gjynahet e politikanëve, intelektualët janë më të besueshëm në nismat që mund të ndërmarrin. Klerikët, të cilët për shkak të misionit që kanë, dëgjohen dhe respektohen nga shtresa të gjera të shoqërisë, le ta përdorin autoritetin e tyre shpirtëror në dobi të paqes, sigurisë së rajonit, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës paqësore të popujve të vet. Shoqëria civile ka gjithashtu mundësi të jetë më efektive dhe më aktive. Nuk mund të mohohet roli i mediave, por këtu kërkohet detyrimisht “demilitarizimi” i tyre. Sepse është për të ardhur keq, që disa prej tyre, për pakujdesi, inkompetencë profesionale apo interesa të caktuara, nuk iu shërbejnë siç duhet popujve të vendeve të veta. Këta segmente së bashku, mund të kontribuojnë realisht në mënyrë konkrete.

Për detantën në Ballkan rol me rëndësi ka luajtur dhe luan posaçërisht faktori shqiptar. Fatmirësisht, shqiptarët, të shpërndarë pothuajse në të gjithë shtetet e rajonit, ndryshe nga pjesa më e madhe e fqinjëve të vet, kanë një të kaluar tërësisht paqësore, nuk i kanë sulmuar dhe nuk iu kanë shpallur luftë asnjëherë vendeve përreth. Përkundrazi përmenden për përvojat e lavdërueshme të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës me ta, për frymën e qytetarisë, moderacionit dhe tolerancës. Por, aktualisht, roli i faktorit shqiptar, cenohet disi nga zhvillimet e brendshme konfliktuale në vend, ku disa “mëkatarë politikë”, për t’iu shpëtuar përgjegjësive dhe paudhësive të veta, tregohen të vendosur që të sakrifikojnë paqen, sigurinë dhe qetësinë e krejt vendit, duke rrezikuar ta çojnë drejt situatave destabilizuese.

Është, me sa duket, ky edhe motivi që i shtyn ata të sulmojnë, ta blasfemojnë dhe ta akuzojnë faktorin ndërkombëtar, ndër të cilët ambasadorin amerikan dhe atë të BE, në një kohë kur shqiptarët mendojnë ndryshe. Ata kanë bindjen se ndërkombëtarët meritojnë vlerësim dhe mirënjohje, sepse duke këmbëngulur dhe ndihmuar për realizimin e reformave, veçanërisht asaj në drejtësi, kontribuojnë për ringritjen e shtetit dhe ringjalljen e shpresës. Këta “mëktarë” duhet të mënjanohen dhe ta lënë këtë vend të marrë frymë lirisht, të eci përpara drejt progresit ekonomik e social, të bëhet një shtet i përparuar dhe të luajë rolin e vet pozitiv që i takon për të ardhmen e Ballkanit. Edhe faktori shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës duhet të ndërgjegjësohet, t’i lerë grindjet dhe sjelljet fodulle dhe të ngrihet në lartësinë e përgjegjësive kombëtare, për të përfaqësuar e mbrojtur siç duhet interesat e bashkëkombasve të vet shqiptarë.

“Mëkatarë politikë” ka edhe në vende të tjera ballkanike, të cilët gjithashtu, në dëshpërim të thellë për ç’i pret, i etiketojnë ndërkombëtarët me lloj-lloj emërtimesh, iu drejtojnë akuza false për t’i trembur dhe mënjanuar nga roli i tyre moderator e ndërmjetësues, që synon shmangien e pasojave të politikave konfliktuale të disa prej shteteve ballkanikë.

Situatat që zhvillohen në Ballkan, edhe pse me probleme e ndoshta të papritura, për fat të mirë janë nën kontroll. Popujt e tij nuk kanë reshtur së afishuari dëshirën e flaktë për paqe e miqësi, dëshirë e cila duhet të respektohet me përulësi njerëzore nga liderët e tyre. Ata duhet të braktisin projektet nacionaliste, t’i përkushtohen seriozisht zbatimit të garancive për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe miqësisë në Ballkan. Për këtë lypset sanksionimi juridik i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, sipas standardeve më të përparuara euro-atlantike dhe krijimi i kushteve për gëzimin real të tyre, ndjekja e politikave të fqinjësisë së mirë, zbatimi i parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Nga ana e vet popujt e gadishullit lypset të bojkotojnë ideatorët dhe ideologët revanshistë, të hedhin poshtë dogmat dhe teoritë e tyre shoviniste, që nxitin urrejtje dhe ndjenjat arkaike të supremacisë kombëtare etj.

Për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë për popujt e tij, për bashkimin e tyre me Evropën, duhet besim i ndërsjellë dhe vendosmëri për të zbatuar mësimet e evropeistëve të mëdhenj dhe modelet e tyre që transformuan dhe krijuan Evropën e bashkuar, që ndërtuan rrugën e paqes, bashkëpunimit dhe prosperitetit evropian. Në këtë mënyrë Ballkani do të kthehet në një zonë paqeje, sigurie, qetësie dhe miqësie në shtëpinë e përbashkët të popujve të vet.