LAJMI I FUNDIT:

Mbi dy mijë pjesëmarrës në Karnavalin e Strumicës kushtuar vajzave të fejuara

Mbi dy mijë pjesëmarrës në Karnavalin e Strumicës kushtuar vajzave të fejuara

Rreth dy mijë mijë pjesëmarrës të shpërndarë në 39 grupe performuan të maskuar në paradën e Karnavalit Ndërkombëtar të Strumicës. Përveç maskave nga Maqedonia, paradës së karnavalit nëpër bulevardin e qytetit iu bashkuan edhe të ftuar nga Shqipëria, Rusia, Bullgaria, Mali i Zi, Serbia dhe nga Ishulli i Amerikës Jugore, Aruba, raporton Anadolu Agency (AA).

Parada e karnavalit udhëhiqej nga çifti Aleksandar dhe Sonja Tashevi të cilët në maskaradën e mbrëmshme u zgjodhën princi dhe princesha. Gjatë ditës së nesërme do të mbahet karnavali i fëmijëve, ndërsa pasnesër do të zgjidhen maskat më të mira të këtij karnavali dhe do të ndahen çmime për maskat grupore dhe individuale.


Programi i Karnavalit të Strumicës filloi më 22 shkurt me manifestimin për fëmijë, ndërsa do të përfundojë më 1 mars të këtij viti, ku për çdo ditë organizohen aktivitete dhe koncerte të ndryshme. Mirëpo, manifestimi kryesor shënohet me paradën e grupeve të maskuar të ardhur nga vendet e rajonit dhe më gjerë.

Ky karnaval është zakon tradicional shumëshekullor për të cilin thuhet se rrënjët i ka nga një kult pagan dhe në thelb shënon festimin e lindshmërisë dhe pastrimit. Karnavali në kohën moderne ka kaluar nga një zakon në manifestim, i cili në vitin 1994 fitoi karakter ndërkombëtar.

Ky manifestim një javor mbahet në fillim të Kreshmës së madhe dhe i kushtohet vajzave të fejuara. Burimet e para të shkruara për Karnavalin e Strumicës rrjedhin nga viti 1670, nga shkrimtari turk Evliya Çelebija. Motivet më të zakonshme janë çiftet të cilët i simbolizojnë dhëndërrin dhe nusen, më pas prifti i cili i bekon të rinjtë për lumturi e harmoni në martesë dhe djallin të cilin të gjithë e përzënë, i cili përfaqëson largim të forcave të këqija.