LAJMI I FUNDIT:

Masakra në Newtown: Mesazhi që pikëlloi botën

Masakra në Newtown: Mesazhi që pikëlloi botën

"Jack, ti je miku im më i mirë. Së bashku kemi lozur. Do të më mungosh. Do të mbetesh në lutjet e mia. Të dua Jack”, është ky mesazhi me të cilin ka përshëndetur Johni mikun e tij gjashtëvjeçar Jack Pint, dikur nxënës në Shkollën Fillore “Sandy Hook” në Newtown.

Edhe pse ky është vetëm një nga mesazhet e dhimbshme – në shenjë kujtimi për viktimat e furisë së tmerrshme të vrasësit masiv, 20-vjeçarit Adam Lanza – ky u përhap me shpejtësi në internet, pasi këtë mesazh, bashkë me fotografitë e djaloshit në rrjetin social Twitter, i ka publikuar gazetarja e “USA Today”, Yamiche Alcindor. Mesazhi i bëri shumë njerëz të qajnë.

Jacku është varrosur të hënën, si një nga viktimat e para nga të cilat banorët e një qyteze dikur të qetë, janë përshëndetur përjetësisht.


Kolumnistja e njohur amerikane, Ina Hugs, masakrën në Newtown e ka komentuar me këto fjalë: “Ajo që ndodhi të premten e kaluar në Newtown po bëhet një histori e vjetër. Dhe, nëse politikanët e votuesit nuk kanë ndërgjegje të përbashkët të shëndoshë, kur është fjala te kontrolli i armëve, edhe ne atëherë kemi përgjegjësi për këto vrasje. Do të bëhemi komb mendërisht i sëmurë nëse vazhdojmë të jemi të tmerruar e të njëjtën kohë të mos kemi guxim që ta ndalojmë krizën valore tek e cila na mbajnë pengë lobuesit që promovojnë armët e zjarrit".

Në kolumnen e saj, për ata që thonë se armët i mbajnë në shtëpi për shkak të mbrojtjes së tyre, ndër të tjera thotë: “Armët në shtëpinë familjare çojnë 12 herë më shumë në vrasjen e anëtarit të familjes sesa sulmuesit, ndërsa kjo armëmbajtje shton edhe shanset për vetëvrasje”.

"Ajo që ndodhi në Newtown sigurisht se nuk është vullneti i Perëndisë, por vullneti jonë? Nëse përgjigja në këtë dilemë është ‘jo’, atëherë ne do të ndërmarrim diçka”, porositi Hughs.

Presidenti amerikan Barack Obama do të mbështesë projektligjin e një senatoreje demokrate për të ndaluar prodhimin, shitjen, shpërndarjen dhe importin e modeleve të caktuara të armëve të sulmit, thonë nga Shtëpia e Bardhë. Ky ligj federal është miratuar në vitin 1994 dhe ka përfunduar në vitin 2004. Kongresi nuk e ka rinovuar atë më vonë.

"Presidenti mbështet propozimin që të futet sërish ligji që do të ndalonte posedimin e armëve të zjarrit", tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney. Sipas propozimit, në listën e armëve të ndaluara do të jenë ato gjysmë-automatike, pistoletat dhe pushkët, si dhe çdo armatim tjetër me më shumë se 10 plumba. /Telegrafi/