LAJMI I FUNDIT:

Maqedonia, peng i presidentit të vet

Maqedonia, peng i presidentit të vet
Albanian Foreign Minister Besnik Mustafaj speaks during an International Conference "The Final Status of Kosovo and the Security in the Balkan" in Tirana 21 October 2006. Mustafaj said that the status of the UN-administered province of Kosovo should be resolved in the end of the year, amid rumours that a decision on its status might be delayed. AFP PFOTO/GENT SHKULLAKU (Photo credit should read GENT SHKULLAKU/AFP/Getty Images)

Zgjedhjet e fundit në Maqedoni, në fund të vitit të kaluar, ishin të parakohshme dhe u zhvilluan me qëllimin e mirë për t’i dhënë fund një krize shumë të gjatë politike dhe institucionale. Kanë kaluar më shumë se tre muaj dhe nuk po shihen shenjat e ardhjes së stabilitetit. Përkundrazi.

Është ngritur një valë e vrullshme nacionalizmi maqedonas, e cila, siç po duket, rrezikon të kthehet shumë shpejt në stuhi. Partia kryesore e vendit, VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga ish-Kryeministri Gruevski, është frymëzuesja dhe organizatorja e kësaj vale. Për më keq, në shërbim të këtij nacionalizmi është vënë tërë- sisht edhe Presidenti i Republikës, Ivanov, i cili, me detyrim kushtetues, duhet të jetë i paanshëm për të mishëruar unitetin e kombit.

Kjo stuhi i ka të gjitha simptomat zanfillore të dalldisë nacionaliste serbe, siç e kemi parë në Serbi një çerekshekulli më parë. Madje, krejt siç pati vepruar Sllobodan Millosheviçi kur po përgatitej për t’i vënë zjarrin ish-Jugosllavisë, edhe Ivanov shkoi para pak ditësh të fliste para Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, për t’i nxitur gjeneralët drejt një përfshirjeje në fakt, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit.

Po ashtu, Presidenti Ivanov po udhëheq me zell të madh edhe fushatën diplomatike, me shpresë për ta ndërkombëtarizuar çështjen, që po mbron. Ai u është drejtuar së fundmi me një letër alarmante kancelarive më të rëndë- sishme të BE-së, SHBA-ve, NATO-s dhe Turqisë, duke paraqitur rrezikun, i cili sipas tij po “kërcënon sovranitetin dhe pavarësinë e vendit”. Ky kërcënim, sipas Presidentit Ivanov, mishërohet te “Platforma e Tiranës… një dokument paszgjedhor, i miratuar në një vend tjetër, në kabinetin qeveritar të një shteti të huaj dhe me ndërmjetësimin e një kryeministri të një vendi të huaj”. Po ashtu, thotë Presidenti Ivanov, kjo platformë do ta vendosë Republikën e Maqedonisë në “një pozicion varësie ndaj një vendi tjetër”.

Presidenti Ivanov në letrën e tij rendit një sërë rreziqesh të mëdha që mbart kjo platformë, por dy janë më të mprehtat: a.Kërcënimi për karakterin unitar të shtetit. b. Shndërrimi i tensioneve politike në tensione ndëretnike. Presidenti Ivanov u kërkon letërmarrësve “të zotohen se kjo platformë e dëmshme do të refuzohet publikisht dhe do të dënohet nga Bashkimi Europian dhe NATO, duke përfshirë edhe vendet anëtare të tyre. Më tej, unë pres që ju të dënoni ndërhyrjen flagrante në punët e brendshme të Maqedonisë, të fqinjëve të saj, kandidatë për anëtarësim të plotë në BE”.

Nga pikëpamja diplomatike, letra në vetvete është mirëfilli një spekulim, nga fillimi në fund. Në asnjë paragraf të saj, ajo nuk tregon çfarë përmban e ashtuquajtura platformë, e botuar tashmë nga hartuesit e saj dhe e debatuar gjerësisht në mjedisin publik dhe politik vendas.

Ajo përbëhet prej 7 pikash. Në përmbylljen pa sukses të bisedimeve midis Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit, kur ky i fundit kishte mandatin për krijimin e qeverisë së re, vetëm njëra nga këto 7 pika u vlerësua e papranueshme nga Kryeministri i mundshëm maqedonas: shtrirja e përdorimit të gjuhës shqipe në një nivel të barabartë me gjuhën maqedone nëpër institucionet e republikës në mbarë vendin.

Rrjedhimisht, edhe Presidenti Ivanov, si nxënës i bindur i Gruevskit, vetëm te kjo pikë e ka hallin. Vështirë të besohet, pra, se ai ka harruar të shpjegojë në letrën e tij se ku, konkretisht, qëndron ky rrezik i madh për sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë apo qoftë edhe për cenimin e karakterit unitar të këtij shteti. Një harresë e tillë është e qëllimshme. Në mos Presidenti Ivanov vetë, këshilltarët e tij, që kanë përgatitur letrën, e dinë me siguri ç’është një shtet unitar.

Teoritë klasike dhe moderne për shtetin bashkohen në përcaktimin e tipareve thelbësore të shtetit unitar, i cili shtet, “në territorin e vet përbëhet nga një organizim i vetëm juridik dhe politik, i cili përmban tërësinë e atributeve të sovranitetit.

Kështu, të gjitha pushtetet kushtetuese janë të përqendruara në një nivel unik qeverisës, që zotëron i vetëm pushtetin normativ, të cilit i nënshtrohen të gjithë shtetasit”. Askund në teoritë për shtetin demokratik nuk parashikohet që pushteti normativ në një shtet unitar duhet të shprehet domosdoshmërisht në një gjuhë zyrtare të vetme. Zbritja në nivelin e fakteve do e rrëzonte themelisht shqetësimin e Presidentit Ivanov në sytë e kancelarive perëndimore dhe do të zbulonte motivimin e tij nacionalist për të ruajtur epërsinë e komunitetit etnik maqedonas ndaj atij shqiptar. Vendet anëtare të BE-së apo SHBA nuk mund t’i kundërvihen për parim një kërkese thjesht për barazi, siç është ajo e shqiptarëve në këtë rast.

Sa për kujtesë, shteti më i ri i Europës, Republika e Kosovës, themeluar para nëntë vjetësh nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të BE-së dhe SHBA-ve, është po ashtu një shtet unitar. Por ka dy gjuhë zyrtare, shqipen dhe serbishten, megjithëse në realitetin etnik të vendit, serbishtja flitet vetëm nga pak më shumë se 5 për qind e popullsisë. Dhe shqiptarët në Prishtinë e kanë pranuar dhe po e zbatojnë në praktikë, pa u ndjerë të cenuar në identitetin e tyre. Në vazhdim, Presidenti Ivanov ngre alarmin se shqiptarët e Republikës, që udhëheq ai, po e shndërrojnë konfliktin politik në konflikt ndëretnik. Konflikti politik është sigurisht i padëshirueshëm, ama mbetet gjithsesi një sëmundje e demokracisë. Ndërsa konflikti ndëretnik është mirëfilli rrënim i demokracisë. Hedhja e një përgjegjësie të tillë historike mbi shqiptarët në këtë rast është insinuatë nga ana e Presidentit Ivanov. Përfaqësuesit e BE-së, të NATO-s, të SHBA-ve janë në Shkup. Ata e shohin përditë si Gruevski dhe Ivanovi i nxisin mbështetësit e tyre të mbushen me urrejtje për shqiptarët.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, ndër të cilët në ballë qëndron Ali Ahmeti, po tregojnë se janë të vendosur me aq sa varet prej tyre për të ruajtur karakterin unitar të shtetit të Maqedonisë, por pa lëshuar në kërkesën e vet të drejtë për barazi brenda kuadrit kushtetues të republikës. Ndërkohë që është vetë Gruevski, i cili ka folur këto kohë për mundësinë e kantonizimit të Maqedonisë. Në këtë zell të verbër antishqiptar, do thënë se Tirana zyrtare u ka dhënë nacionalistëve maqedonas një pretekst me peshë.

Me maninë e tij prej mburraveci patetik, Edi Rama është përpjekur të marrë përsipër një meritë që nuk e ka. Në takimin e tij me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se “Deklarata e përgjithshme e partive shqiptare është shkruar në Shkup dhe rrjedh nga premtimet e BDI-së”. Kjo është e vërteta: deklarata, ose platforma, siç i pëlqen Presidentit Ivanov ta quajë, është menduar dhe shkruar në Shkup dhe buron drejtpërdrejt nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit në zanafillë të së cilës është Ali Ahmeti me UÇK-në.

Për shkak të sedrës së tepruar për njerëz me përgjegjë- si të larta politike dhe të një rivaliteti destruktiv midis tyre, krerët e katër formacioneve politike shqiptare në Maqedoni e kishin të pamundur të uleshin për të bashkuar zërin në një këngë që e këndonin prej kohësh, secili veç e veç, pa dallime në përmbajtje njëri nga tjetri. Edi Rama, me autoritetin moral të Kryeministrit të Shqipërisë, në përputhje me detyrimin e vet kushtetues, ka luajtur në këtë rast atë që në praktikën e diplomacisë quhet rol facilitator për t’i ulur ata bashkë. Asgjë më shumë.

Nuk kishte arsye profesionale Edi Rama për ta publikuar takimin me drejtuesit e katër partive politike shqiptare në zyrën e tij. Duke njohur profilin e tij, mund të pritej, në rastin më të keq, që ai të mburrej në Facebook e në Twitter me atë që vërtet ka bërë.

Por ai shkoi shumë larg. Duke përvetësuar autorësinë e atij dokumenti, Kryeministri ynë jo vetëm ka mashtruar publikun, por edhe ka bërë një dëm të shumëfishtë. Së pari, ai ka cenuar rëndë moralisht udhëheqësit në fjalë, duke e shndërruar imazhin e atyre burrave, të cilët e begenisën me respekt, në kukulla, fijet e të cilave i tërheq ai nga Tirana. Zaten, ka vend për hamendje se Ali Ahmeti, si i regjur me të keqen që është, ka pasur dyshimet e tij dhe ka ngurruar. Në takimin e parë në Tiranë ai nuk erdhi. Më tej, Rama u ka dhënë nacionalistëve një pretekst në dukje parimor nga pikëpamja e tyre, siç e pamë edhe në letrën e Presidentit Ivanov. Për mendjet e sëmura të konspiracionistëve, një shtet tjetër po keqpërdor përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve për ta vënë Maqedoninë në “pozicion varësie”.

Sigurisht që Presidenti Ivanov, Gruevski dhe shpura e tyre e dinë shumë mirë nga buron përmbajtja e atij dokumenti. Por atyre u intereson varianti i lëshuar nga zyra e Kryeministrit shqiptar dhe jo e vërteta. Dhe së fundi, Rama e bën verbërisht Republikën e Shqipërisë pjesë të një konflikti politik dhe kushtetues, i cili i ka rrënjët dhe degët krejtësisht brenda Maqedonisë. Me ndihmën e Kryeministrit tonë, Gruevski dhe Ivanovi do të arrijnë, qoftë edhe pjesërisht, t’i largojnë nga vetja përgjegjësitë për këtë konflikt, duke i eksportuar në Tiranë. Jo më kot ata kërkojnë me ngulm zgjedhje të reja.

Në një fushatë të afërme, fotografia e postuar nga Rama me katër kryetarët e partive shqiptare të Maqedonisë në zyrën e tij, do t’ua shtonte ndjeshëm votat. Presidenti Ivanov dhe institucionet e tjera shtetërore maqedonase, në shkelje të plotë të Kushtetutës së vendit të tyre, e cila u imponon paanësinë në kushtet e një konflikti të brendshëm politik për pushtet, kanë marrë haptas anën e nacionalistëve dhe po zhvillojnë një fushatë diplomatike të mbushur me insinuata dhe spekulime kundër një pjese të qenësishme të shtetasve të vet.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve po tregojnë një durim të lavdërueshëm përballë lumit të urrejtjes nacionaliste, që derdhet mbi ta. Siç është njoftuar në media, ata jo vetëm po përmbajnë mbështetësit e tyre, duke shmangur kthimin e konfliktit politik në konflikt ndëretnik, por edhe po zhvillojnë një fushatë të dobishme shpjeguese me partnerët perëndimorë.

Ata po tregohen kështu të vendosur për ta mbajtur të hapur perspektivën euroatlantike të Maqedonisë, duke i bërë një shërbim historik krejt vendit të tyre multietnik, përkundër përpjekjeve të ethshme të Rusisë dhe ndonjë aleati të saj të ri, për ta sabotuar këtë perspektivë. Ata janë, pra, në rrugë të mbarë. BE, SHBA dhe NATO nuk duhet t’i lënë vetëm në një kohë kur Maqedoninë duan ta mbajnë peng Presidenti me ish-kryeministrin.

Në trend

Më shumë
PDK voton kryesinë e re të partisë - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re të partisë - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

Përfaqësuesja e Kosovës
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Pakënaqësi me Ligjin e pagave, Jasharaj paralajmëron protestë më 1 maj - nuk e përjashton mundësinë e grevës

Pakënaqësi me Ligjin e pagave, Jasharaj paralajmëron protestë më 1 maj - nuk e përjashton mundësinë e grevës

Elfije Boletini
Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Kronika e Zezë
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori