LAJMI I FUNDIT:

Lulzim Ahmeti i Telegrafit fiton çmim nga BQK-ja

Lulzim Ahmeti i Telegrafit fiton çmim nga BQK-ja

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka shpërblyer gazetarët të cilët raportojnë për sektorin e ekonomisë. Kjo është hera e parë që BQK –ja ka organizuar ndarjen e çmimeve për storien më të mirë në gazetari nga fusha e ekonomisë- sistemit financiar. Në mesin e katër mediave të shpërblyera është edhe gazetari i Telegrafit.

Në konkursin e shpallur nga Banka Qendrore e Kosovës, me titull: Çmimi i BQK-së për storien më të mirë në gazetari nga fusha e ekonomisë- sistemit financiar janë shpërblyer.


Lulzim Ahmeti nga Portali Telegrafi u shpërblye për artikullin “Milionat që vijnë në Kosovë nga Afganistani”.

Kurse për storien më të mirë televizive është shpërblyer gazetari i RTK-së Faton Salihu me temën: “Rritja ekonomike e Kosovës”. Janë shpërblyer edhe Albert Spahiu nga Gazeta Ekonomia për temën “Sektori bankar fitim vetëm nga kreditë” dhe Rrahman Ramaj nga Rrjeti për Gazetari Hulumtuese (BIRN) për temën: “Pakoja fiskale për qytetarë”.

Guvernatori BQK-së Bedri Hamza ka thënë se çmimi për raportimet e mediave në ekonomi dhe sistemin financiar do të jetë tradicional.

Sipas tij, raportimet e mdiave kanë rëndësi të madhe pasi që ua jetësojnë kuptimin e statistikave më mirë qytetarëve.

Për rëndësinë e kësaj gare kanë folur edhe gazetarët e shpërblyer.

Gazetari dhe redaktori i ekonomisë në portalin Telegrafi Lulzim Ahmeti, ka thënë se ky çmim është një motiv shtesë për punë të mëtejme.

Ai tha se për ekonominë duhet të bëhet më shumë se sa është duke u bërë aktualisht.

“Ndarja e këtij çmimi ka rëndësi të madhe, është një motiv për mua që edhe në të ardhmen të vazhdojë të shkruaj për ekonominë dhe sistemin financiar në tërësi. Për ekonominë edhe ne si gazetarë duhet të shkruajmë edhe më shumë. Por u mbetet të punojnë më shumë për ekonominë institucioneve tjera, në veçanti Qeveria e Kosovës, sepse për ekonominë pak po bëhet e punohet”, ka thënë Ahmeti pas marrjes së çmimit.

Kurse Faton Salihu nga RTK-ja ka thënë se është ndjenë e mirë kur vlerësohet puna e gazetarëve.

“Është ndjenje e mirë kur vlerësohet puna që e bëjmë, kjo na jep kurajë edhe më shumë për punë, që me fakte dhe argumente të informojmë publikun mbi temat dhe ngjarjet ekonomike”, tha Salihu.

Po ashtu BQK ka ndarë edhe tre çmime për Ekonomistët e Rinj, ku fitues janë shpallur: Auerela Deshishku –vendi i parë me punimin “Nonperforming Loans: An analysis of the indicators of the deteriorating asset quality in South Eastern europe”, vendi i dytë për Halim Mahmutin me punimin “Morali Fiskal nga Perspektiva e NVM-ve në Kosovë” dhe vendi i tretë për Arian Krasniqi me punimin “Krijimi i Përparësisë Konkurruese të Firmës nëpërmjet Aplikimit të Strategjisë së Diferencimit (Rast Studimi: Sektori Bankar). /Telegrafi/