0Shares

Një zjarr ka rënë në shasinë e një treni ekspres mëngjesin e së enjtes në stacionin Viktoria të Londrës, duke shkaktuar evakuimin e tij dhe bllokimin e trafikut në orën e pikut.

Portali lokal “Gatwick Express” njoftoi se stacioni u rihap pjesërisht pas më pak se një orë pasi zjarri ishte fikur dhe tymi ishte larguar. Zyra e Hekurudhës Kombëtare deklaroi se koha e udhëtimeve mund të zgjatej deri në 45 minuta për shkak të bllokimit të përkohshëm.

Treni ishte bosh në momentin kur ra zjarri, në 06:53 me orën lokale. Institucioni, duke iu përgjigjur pyetjeve të udhëtarëve në Twitter, deklaroi: “Askush nuk u lëndua, kjo është e rëndësishme”, transmeton TCH.

Brigada e zjarrfikësve në Londër dërgoi dy njësi në vendin e ngjarjes, ku u dërguan edhe agjentë të policisë së transporteve.

Zjarri u shua përpara orës 07:25 dhe trenat rifilluan qarkullimin nga të gjitha platformat, përveç atyre numër 12 dhe 13. Më pas zjarrfikësit punuan për të larguar edhe tymin.

Një udhëtar tha se kishte parë flakë dhe tym të zi të dilnin nga treni. “Kishte flakë që dilnin nga rrotat. Zjarrfikësit erdhën dhe filluan të nxirrnin të gjithë jashtë stacionit. Nuk kishte panik, por mund të kishte shkuar më keq nëse s’do të kishin ndërhyrë”, tha Tom Edwards.

Një ditë më parë një tjetër incident ndodhi në Londër. Piloti i një helikopteri humbi kontrollin për shkak të mjegullës së madhe, duke u përplasur me një vinç dhe duke rënë më pas në afërsi të stacionit të metrosë së Vauxhal. /Telegrafi/

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)