LAJMI I FUNDIT:

Lojërave të Serbisë duhet t’ua japim përgjigjen e trenit

Lojërave të Serbisë duhet t’ua japim përgjigjen e trenit

Serbia ka plane dhe ajo tashmë nuk po provokon. Në fakt, është në tendencë për të realizuar një plan konkret – ndarja e Kosovës, përmes së cilës Kosovës do t’ia vështirësojë funksionimin duke krijuar çdo herë situata tensioni.

Serbia e di saktësisht se çfarë është duke bërë, por a e dimë ne se çfarë duhet të bëjmë në raport me Serbinë? Konsiderojë se ende jo, të paktën jo nga veprimet që po i ndërmarrim deri më tash.


Politika kosovare ka qenë mjaftë toleruese, edhe ndaj serbëve lokalë, por edhe ndaj Serbisë. Që nga paslufta, në raport me minoritetet, ne si Kosovë kemi pasur standarde të dyfishta për serbët: u kemi dhënë më shumë ç’duhet, ndërsa të tjerëve u kemi dhënë aq sa u takon. Dhe, krejt kjo për shkak të një përpjekjeje për integrim artificial të serbëve nëpër institucionet e Kosovës, të cilat fillimisht nuk i kanë njohur, pastaj filluan t’i njohin, por për aq sa kishin interes (një pagë, një mëditje dhe një realizim të planeve të Serbisë në Kosovë).

Kosova nga ana e saj ka bërë çdo gjë për t’i normalizuar marrëdhëniet me serbët lokalë, por edhe marrëdhëniet ndër-fqinjësore me Serbinë. E, rezultatet janë të pakta – për të mos thënë janë të padukshme.

Para disa viteve, lojërat e Serbisë kemi mundur t’i quajmë provokim, por ato tashmë ka kohë që kanë kaluar në një dimension tjetër, që nga koha kur vritet nga paramilitarët serbë, në pjesën e veriore të Mitrovicës, polici Enver Zyberi – në përpjekjen e tij për ta mbrojtur sovranitetin e vendit). Pastaj pasuan trazirat, barrikadat që qëndruan me vite, i ashtuquajturi Parku i Paqes e deri te muri i ngritur së fundmi në veri të urës së Ibrit. Të gjitha këto mund t’i quash çfarëdo, por jo provokim.

Kosova e njeh politikën e Serbisë e cila vështirë mund të ndryshojë në raport me shqiptarët. Por, duke e pasur një situatë të tillë përpara, pra kur kemi një Serbi që nuk i bindet as presionit ndërkombëtar po me çdo kusht bën përpjekje për të vazhduar me agjendat e veta destabiluziese, konsideroj se është koha që edhe Kosova të lëviz një hap tutje dhe t’i kthehet vetes – ta respektojë veten më shumë. Kjo do të thotë që çdo loje të Serbisë t’ia japë përgjigjen e trenit. Vetëm kështu ne mund ta bindim Serbinë e ndërkombëtarët se jemi rigorozë kur të tjerët dëshirojnë ta cenojnë integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.