LAJMI I FUNDIT:

LDK reagon ndaj lajmeve të rrejshme

LDK reagon ndaj lajmeve të rrejshme

Gjatë ditës së sotme, një portal i quajtur “Kosovasot.live” ka publikuar një artikull që kinse i nominuar për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka deklaruar se “nëse vendi shkon ne krizë nuk përjashtohet koalicioni me PDK-në”.

Madje, ky portal ‘fantom’ shkon aq larg sa që keqpërdori edhe emrin e portalit “Indeksonline” se gjoja ne kemi intervistuar Hotin.


“Redaksia jonë sqaron lexuesit se këso lloj ‘shantazhe virtuale’ duhet të hulumtohen sa më parë nga organet përgjegjëse të Republikës”, thuhet në reagim.

Në lidhje me këtë vjen një reagim nga LDK. Reagimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:

“Pas një përkrahje të fuqishme që koalicioni ynë mori në gjithë Kosovën, në orët e mbrëmjes, oponentët tanë politikë filluan fushatën me lajme të rreme (fake news), kinse unë kam deklaruar se do të bëjmë koalicion me PDK-në.

Ju bëj me dije qytetarëve të Kosovës, se unë nuk kam dhënë asnjë intervistë për asnjë medie dhe të vetmet paraqitje publike kanë qenë fjalimet para mijëra simpatizantëve nëpër komuna të Kosovës.

Koalicioni i mistershëm i natës dhe i nëntokës, po i frikësohet vullnetit qytetar në përkrahje të koalicionit të djathtë që unë e drejtoj dhe nëpërmes lajmeve të rreme po përpiqet që të shkaktojë huti te qytetarët dhe të shmangë humbjen e thellë në zgjedhje.

Këto lajme të rreme vijnë të njëjtën ditë kur krerët e koalicionit nga LDK, AKR, Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, janë zotuar publikisht para qytetarëve të Kosovës se në asnjë mënyrë nuk do të bëjnë koalicion me nëntokën, zhvatësit e pasurisë nacionale, kapësit e sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të pavarura.
Koalicioni i natës po i frikësohet humbjes së thellë në zgjedhje dhe llogaridhënies që duhet të japë para qytetarëve për qindra miliona afera korruptive.

Ju kërkoj qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë të vendosur e të bashkuar dhe të mos bien pre e mashtrimeve dhe shantazheve nga koalicioni i mistershëm, i cili nuk ka aftësi që të përballet me kërkesat dhe vullnetin e qytetarëve, por përdor shpifjet si instrument politik.

Kërkoj nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria që të hetojnë urgjentisht portalin e “fake news” http://kosovasot.live/ dhe personat përgjegjës të thirren para drejtësisë.

Kërkoj edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve që të evidentojnë rastet e tilla të shkeljeve, ndërsa nga kori diplomatik në Prishtinë dhe OSBE kërkoj që të përdorin ndikimin e tyre për t’i penguar keqpërdoruesit e procesit zgjedhor.

Në emër të koalicionit që udhëheqë, unë i garantoj qytetarët e Kosovës se vota e tyre është e sigurt dhe fitorja jonë nuk mund të shmanget nga lajmet e rreme” (sic.), thuhet në reagim.