LAJMI I FUNDIT:

LDK-ja i kthehet reformës zgjedhore

LDK-ja i kthehet reformës zgjedhore

Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme që të japë kontributin për përfundimin e reformës zgjedhore, duke i kthyer anëtarët e saj në Komisionin e krijuar për përfundimin e këtij procesi. Kreu i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli ka deklaruar për Telegrafin se marrëveshja për zonat zgjedhore e arritur ndërmjet liderëve partiakë është lajm i mirë për të ecur përpara. Ndërsa, Avni Zogiani nga organizata Çohu, vlerëson se puna e Komisionit është sabotuar nga vetë liderët politikë.

Partia më e madhe opozitare, LDK-ja, kah fundi i vitit të kaluar kishte tërhequr anëtarët e saj nga Komisioni, duke u arsyetuar se kryeministri Hashim Thaçi qëllimisht po zvarriste përfundimin e reformës zgjedhore. LDK pretendonte se lideri i PDK-së synonte që kështu të krijonte kushtet për të shtyrë sa më shumë mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen brenda gjashtë muajsh që prej përfundimit të procesit të ndryshimeve kushtetuese dhe zgjedhore.

Vitin e kaluar, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi kishte bojkotuar disa herë takimet e krerëve të partive politike, të cilët janë të obliguar që të dakordohen për çështjen e zonave, listave zgjedhore, pragut zgjedhor, e disa çështje të tjera.


Por, LDK-ja tash vlerëson se punët kanë nisur të ecin pas arritjes së marrëveshjes për një zonë të vetme zgjedhore.

Kryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli, nga LDK-ja, ka shpjeguar se gjatë punës së bërë në komision, fillimisht tri partitë e mëdha, PDK, LDK e AAK, kanë përkrahur idenë për të pasur më shumë se një zonë zgjedhore. Por, më pas çështja ishte komplikuar për numrin e zonave.

“LDK-ja fillimisht kishte kërkuar që të ketë 26 zona zgjedhore. Por, më pas ne kemi vendosur që më mirë është të kishte vetëm një zonë, sesa gjashtë zona, siç kërkonte PDK-ja”, ka thënë Demolli.

Ndërsa, Avni Zogiani, nga organizata Çohu, ka thënë se kjo që po ndodhë me reformën zgjedhore është thjesht një mbizotërim i politikës ndaj brengave të kosovarëve për gjetjen e një sistemi zgjedhor që do të reflektojë më saktë vullnetin e tyre.

“Çfarë kuptimi ka krijimi i një komisioni për reformën zgjedhore, nëse kërkesat injorohen dhe nëse në fund vendoset nga dy liderë, ashtu siç ndodhi. Tani është e qartë pse nuk funksionon Komisioni, pasi që ka qenë i sabotuar nga vetë liderët politikë”, ka deklaruar Zogiani për Telegrafin.

Ndërkohë, Ismet Kryeziu nga KDI ka vlerësuar se përcaktimi vetëm për një zonë zgjedhore e cenon demokracinë në Kosovë.

Ai ka deklaruar për Telegrafin se ky vendim është në kundërshtim me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës që një ndër pikat kryesore e ka krijimin e zonave zgjedhore.

“Vendimi i për zonat zgjedhore pritet të pasohet me vendimin për mbylljen e listave duke humbur peshën dhe rëndësinë e vetë Komisionit për reformë zgjedhore, i cili tashmë vetëm se do të vulosë vendimet e shefave të partive”, ka thënë Kryeziu. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Lajme
Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Lajme
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
Kalo në kategori